Aktet e paprecedenta që sollën “aktin final”! ( Opozita e letrave të hapura)

0
166
Nga Gëzim Saliu

Opozita e kthehu në fakt të kryer dje atë që shumëkush ende ishte skeptik ta besonte! Dorëheqja nga mandati i deputetëve të PD-së dhe LSI-së përbën aktin e paprecdentë në historinë e politikës shqiptare dhe më tej në Evropë. Por ky “akt i paprecedentë” i opozitës ka nga pas një historik të paprecedentë përsa i përket mënyrës se si janë ndërtuar raportet e Qeverisë me pakicën parlamentare dhe qytetarët në tërësi.

 

Fillimisht vlen të vihet theksi tek vitet e para të pushtetit të Partisë Socialste, atëherë në koalicion edhe me LSI-në. Kur jo vetëm opozita, por edhe aleati brenda rradhëve e më tej mediat ndërkombëtare ngrinin zërin për fenomenin e drogës që e ktheu vendin në “mbretërinë e hashashit” në Evropë, askush nga PS nuk pranoi të paktën për një herë të vetme, seriozitetin e situatës. Sigurisht në këtë pikë, rol negativ luajtën edhe ambasadorët e akredituar në vend, ku krahas atij amerikan që në disa raste shprehu shqetësime të shkëputura për fenomenin, askush tjetër nuk foli me “zë të lartë” për fijet e klaneve të drogës të shtrira thellë në aparatin shtetëror. U desh kohë që vetë kryeministri Rama ta pranonte problematikën me drogën, dhe kjo sigurisht erdhi pasi ai kishte shkëputur apriori lidhjet me ish-ministrin e Brendshëm. Ndoshta do mjaftonte vetëm ajo kauzë, që e ktheu vendin në “Kolumbinë e Evropës” për t’ja numëruar “një më një” mazhorancës socialiste. Por propaganda e fortë, shpeshherë e paguar edhe nga paratë e nxjerra nga trafiku illegal i marijuanës, shkoi deri aty sa mundi të blejë edhe zëra në Bruksel. E megjithatë mediat ndërkombëtare nuk e lanë të qetë qeverinë dhe Kryeministrin, i cili kapërceu limitet kur quajti “kazan” shtypin më prestigjoz në kontinent.

Faktori dytë ishte kriminalizimi i jetës politike dhe administratës. Nuk ishin të paktë emrat e politikanëve ( deputetë e kryebashkiakë) që i mbërtheu ligji i dekriminalizimit, i kërkuar me forcë nga opozita dhe i kundërshtuar po me forcë nga Partia Socialiste.  Nëse në ndonjë vend tjetër të Evropës do të zbuloheshin haptazi emra me të kaluar kriminale të përfshirë në jetën politike me “leje nga lart” zor se do mund të qëndronte në këmbë një qeveri e tillë. E megjithatë edhe në atë kohë, PS ja hodhi. Sa me ndihmën e ambasadorëve të akredituar në vend, që kabllogramët për selitë e tyre i dërgonin sipas “telave të purpurt” aq edhe me pamundësinë e opozitës për të arritur më shumë se sa ligji i dekriminalizimit. Jo se ky i fundit ishte arritje e pakët, përkundrazi, dha një impakt të fortë edhe tek ndërkombëtarët të cilët deri më parë flisnin për “justifikime të opozitës”. E megjithatë ky ligji ishte pak, madje shumë pak, si “hak” i merituar për PS-në.

Faktori tretë lidhet me zgjedhjet, ku kontaminimi i tyre përmes blerjes së votës dhe ndërhyrjes së elementëve kriminalë në favor të partisë në pushtet u faktua dhe vazhdon të faktohet që nga vendoret e 2015-ës dhe deri tek të përgjithshmet e 2017-ës. Denoncimet e opozitës ( demokrate në 2015-ën) dhe (PD e LSI bashkë në 2017-ën) për tjetërsim të votës dhe blerje masive të saj ranë në vesh të shurdhët. Megjithëse në raportin zyrtar të OSBE fenomeni i blerjes së votës dhe ndikimit të elementit kriminal pranohej, askush nga Brukseli nuk e vuri ujin në zjarr për këtë pikë.  Ish-ambasadorja Vlahutin më shumë se sa e dërguar e BE-së në Tiranë na u paraqit në tri vite e gjysmë në detyrën e saj si përfaqësuese e Qeverisë. Asnjë fjalë për drogën, heshtje për dekriminalizimin dhe bashkëpunim me PS-në për një reformë në drejtësi të kapur e politike. E megjithatë, një ndihmesë të madhe në 2017-ën Ramës, i cili ndoshta sot nuk do ishte më Kryeministër nëse Basha do këmbëngulte tek qëndrimet e mbajtura në çadër, ja dha vetë lideri i opozitës. Marrëveshja e 18 majit ishte vrastare për vetë opozitën (PD), dhe në një farë mënyrë amnistoi Ramën para ndërkombëtarëve, ku vetë përfaqësues të lartë të SHBA-ve por nga BE kishin ngritur dyshime të forta deri atëherë për qeverinë dhe hullinë ku po drejtohej reforma në drejtësi. Nëse në një vend tjetër të Evropës do të faktohej blerja e votës, me zë e figurë  apo edhe do të vërtetohej infiltrimi i elementëve kriminalë me ndikim në zgjedhje, padyshim Qeveria nuk do ishte më në këmbë, më e pakta do kishim një qeveri tranzitore.

Për të ardhur më pas në 2018-ën, viti ku antiligjshmëria e mbështetur nga pushteti mori krahë në drejtësi. Si fillim ishte votimi i kryeprokurores së përkohshme ( që ende sot është në detyrë) Arta Marku me 69 vota në Parlament ( e paprecedentë). Më pas erdhën problemet e rënda me ecurinë e procesit të reformës në drejtësi, ku krahas ligjeve që kaluan pa konsensusin e opozitës, u përfshinë në organet e reja njerëz të partisë e ish-bashkëpunëtorë të sigurimit.

Kulminantet e këij viti ishin “zbrazja në shesh” e të palarave të koncensioneve dhe PPP-ve. Mega skandali me projektin e Unazës së Re, ku një firmë e aprovuar nga shteti fitoi tenderin me dokumenta fallso ( të shtetit të Delaware), përbën një akt të paprecedentë në jetën politike shqiptare. Aq  i paprecedentë ishte po ashtu edhe çmimi i vendosur për vetëm 2 km rrugë të këtij projekti, që do kushtonin 40 milionë euro ( as në SHBA nuk ka një çmim të tillë për km, autostrada më e mirë në të gjtha shtetet). Mega vjedhje të tilla nuk do kurseheshin në Evropë, madje në demokracitë funksionale, kryeminsitra e ministra janë larguar nga jeta politike për shumë më pak. Qëndrimet e njëpasnjëshme të FMN-së e BB-së kunder praktikave koncensionare të kthyer në një “biznes fitimi” për pushtetin, i hynin në njërin vesh dhe i dilnin nga tjetri, Qeverisë. U desh alarmi nga SHBA, që këto praktika të frenoheshin, aq sa Qeveri korigjoi vetveten me një projektligj që heq mundësinë ligjore për “propozime të pakërkuara” nga 1 korriku 2019.

Për të ardhur më pas në vitin aktual 2019, aty ku një pjesë e mirë e denoncimeve të opozitës për blerje masive vote dhe përfshirjen e njerëzve me rekorde kriminale në favor të partisë në pushtet, u faktuan nga përgjimet e dala në publik. Dosja e famshme “339” që qëdrone ende në sirtarët e Prokurorisë do të mjaftonte ( me aq sa ka dalë në publik, por thuet se ajo është shumë pak nga çka fshihet vërtetë ne fashikuj) për të mbyllur hesapet me Qeverinë. E më pas do ishin përgjimet e zbardhura nga VOA që i vendosën kapakun gjithë diskutimit, duke i dhënë fund njëherë e mirë aludimeve të shumëkujt ndaj opozitës dhe argumentave mbrojtës qeveritarë. Padyshim që të tilla ngjarje, përbëjnë akte të paprecedenta në historinë e jetës politike shqiptare.  Në këto kushte, akti i PD dhe LSI me djegien e mandateve, përbën  vërtetë një “akt të paprecedentë”, por qartazi i ardhur si shkak i një sërë aktesh të paprecedenta e skandaloze nga ana e partisë në pushtet që bien në kundërshti të fortë me parimet elementare të një demokracie funksionale. Opozita nuk pranoi më të ishte fasadë e një pushteti që gjithnjë e më shumë nxirrte në pah arrogancën dhe daljen nga shinat e shtetit ligjor.

Vlen të kujtojmë se nuk kanë qenë të pakta edhe shkeljet e konstatuara nga Presidenti për mazhorancën qeverisëse për një sërë ligjesh, shkelje të mirëargumentuara, që nga ana e PS nuk kanë marrë asnjëherë kundërpërgjigje juridike. Që nga projektligji për “Teatrin e ri”, ai “për Kadastrën”, deri tek ai për “Lojërat e Fatit” e “Tatimi për të Ardhurat”, Presidenti Meta së bashku me ekipin e ekspertëve ka argumentuar deri në detaj shkeljet mbi Kushtetutën dhe ligjin të këtyre drafteve. Por asnjëherë nga Qeveria nuk ka patur një reflektim, por thjesht dekretet janë rrëzuar me argumenta partiakë, madje shpeshherë edhe duke e sulmuar Presidentin. Arroganca e mazhorancës ishte e njejtë me të gjithë, madje mbetet e tillë, me asnjë reflektim mbi sjelljet antiligjore, ndaj asnjë autoriteti apo institucioni!

Janë të gjithë faktorët sa më sipër që kanë prekur thellësisht edhe qytetarët, të cilët siç vërtetuan në dy protestat e opozitës, janë me dhjetëra mijëra që kundërshtojnë politikat e qeverisë “Rama”. Praktikat antiligjore të Qeverisë bien padyshim mbi kurrizin e qytetarëve, i cili nga vite më parë jo vetëm që nuk po ndjen përmirësim në jetën e tij, por po largohet në masë jashtë vendit për t’i qëndruar larg realitetit të trishtuar vendas pa shpresë e të ardhme. Po ashtu ky popull po ndjen mbi vete kamzhikun e pushtetit i cili gjithnjë e më shumë po shton “peshë” mbi kurrizin e qytetarit e po heq nga ai i një pjesë fare të vogël të popullsisë, që falë aferave ku ata përfshihen së bashku me pushtetin, u krijon lehtësira dhe imunitet nga drejtësia.

Ndërkaq mund të thuhet pa më të voglin dyshim se nga dje e në vazhdim, opozita ndodhet në sheshin e betejës politike me letra të hapura. Të vetmin pushtet që kishte e që mund të shfrytëzonte për “strategji të fshehta”, brenda e jashtë vendit, e dorëzoi. Tanimë përballë mazhorancës monopartiake nuk janë më deputetët e opozitës, por përfaqësuesit e popullit opozitar pa pushtetin e karriges, me fajet e dështimet e tyre, por padyshim me kauzën që në çdo vend tjetër të Evropës, nëse do kishte të njejtin itenerar ngjarjesh si në Shqipëri, të paktën nuk do ishte sulmuar si “minim i demokracisë”.

Aq më tepër siç rëndom mazhoranca po tenton ta emërtojë lëvizjen e opozitës këto ditë si një akt të pashpresë të ardhur nga “frika e drejtësisë”. E pse, fundja fare, lind pyetja retorike? Nëse do kishin këtë hall, trazirat mund t’i bënin edhe me pushtet mbi supe, madje do kishin një arsye të fortë me mandatin e deputetit nga pas për të ndalur edhe çdo veprim ndaj tyre, pasi me ligjin e ri të mazhorancës , imuniteti është rikthyer në Parlament. Argumentat se e gjithë kauza e opozitës vjen për shkak të reformës në drejtësi, janë thjesht logjikë pa argument ose “gjellë e mirëgatuar” për militantët partiakë  e ndoshta madje edhe për një pjesë të qyetarëve që mund ta hanë një lugë nga çorba e qeverisë.

Tjetërkund bien këmbanat, aty ku themelet e shtetit ligjor dhe elementit parësor të demokracisë ( vota) janë shkelur e po shkelen me të dyja këmbët. Dhe pikërisht në këtë pikë, aksioni i opozitës duhet të thellohet duke e përcjellë ndërkombëtarisht situatën reale në vend, për të pamundësuar atë që do ishte fatale për vendin: krijimin e një monoshteti që blen e sundon popullin!

* Autori mban postin e kryeredaktorit në gazetën “Standard” 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here