Ndërkohë që opozita e bashkuar tashmë me mandate të dorehequra, po proteston para Kuvendit dhe qeverisë Rama, në nisje të seancës plenare kryeparlamentari Gramoz Ruçi njoftoi se një tjetër deputet i është bashkuar grupit parlamentar të PS.
“Iu njoftoj se deputeti Dritan Bici është bërë anëtar i grupit të PS-së”- u shpreh Ruçi.
Deputeti Bici u rreshtua në radhët e PS pas largimit nga PDIU, duke mos pranuar djegien e mandatit. Ndër të tjera Ruçi tha se është njoftuar KQZ për dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës.
“Në zbatim të kodit për dorëzimin e mandateve, njoftuam organin kompetent për të vijuar me procedurat e mëtejshme.’ tha Ruçi ndërsa çeli punimet e seancës.
Me Dritan Bicin, mazhoranca shkon në 78 deputetë. Mazhoranca socialiste shkon në 78 deputetë, 73 që socialistët i fituan vetë në zgjedhje, Robert Bitri, dhe Tom Doshi në 75 dhe 2 Reme Lala e Elena Xhina
Ndërkohë kujtojmë se gjatë deklarimit në formularin e dekriminalizimit deputeti Bici rezultonte se në mars të vitit 2013 të jetë dënuar për kundërshtim të urdhrit të policies, dënim të cilin e ka shënuar në formularin e dekriminalizimit.
Mësohet se atëherë, Bici ka hyrë me automjet në fushën e futbollit gjatë ndeshjes Gramshi-Mamurrasi dhe ka tentuar të dhunojë arbitrin e takimit. Ai është proceduar nga policia dhe është dënuar nga Gjykata e Elbasanit me një muaj e 15 ditë burg, e konvertuar përfundimisht me 60 orë punë publike.