Qytetarë të shumtë e mbështetës të opozitës janë vendosur në dy hyrjet e parlamentit, ku kanë kaluar deputetët e maxhorancës.
Tensione e shashka tek parlamenti. Protestuesit kanë tentuar të çajnë radhët e policisë dhe kanë hedhur herë pas here tymuese.
Mes protestuesve janë edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi si dhe përfaqësues të tjerë politikë të opozitës.
Ndonëse nuk ka tel me gjemba, masa të shumta sigurie janë marrë nga forcat e rendit të cilat janë vendosur në disa radhë.
Opozita vendosi të protestojë sot sapo Konferenca e Kryetarëve mori vendim të zhvillonte seancën e së enjtes së kaluar pasdite në orën 17:00. Megjithëse është një protestë e paparalajmëruar dhe pa marrë leje Policia e Tiranës ka marrë gjithë masat për mbarëvajtjen e saj dhe sigurinë e institucionit të parlamentit.
Basha: Klikës kriminale i erdhi fundi, është ora e të vërtetës
Ora 17:20 Gjatë fjalës së tij në protestën para Parlamentit, kreu i PD Lulzim Basha ka hedhur akuza në drejtin të qeverisë dhe kryeministrit Ei Rama. Basha tha se qeveria ndryshoi ditën e seancës plenare sepse kanë frikë, ndersa sipas tij klikës kriminale i ka ardhur fundi.
“Sot ajo godinë nuk është Kuvendi i Shqipërisë, por banda e hajdutëve që ka marre peng Shqipërinë. Ata që kalojnë ligje anti-kushtetuese dhe futën duart në kutitë e votave dhe i dhanë Shqipërisë Maduron e Ballkanit. Ato karrige nuk përmbajnë asgjë sepse pushteti i takon popullit. Ne kishim njoftuar protestën e radhës për të enjten, por nga tmerri i frikës ata ndryshuan orarin sepse mendojnë se mund ti shpëtojnë zemërimit të njerëzve. Fundi i ka ardhur klikës kriminale. Ora e të vërtetës ka ardhur”- tha Basha.
Basha dhe Berisha dalin nga selia e PD, i bashkohen protestuesve
Ora 17:00 Kreu i PD, Lulzim Basha dhe ish kryeministri Sali Berisha kanë dalë nga selia e PD dhe i janë drejtuar protestës.
Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se plani i masave të zbatuar është i ngjashëm me protestat e mëparshme të opozitës por vërehet një numër më i vogël policësh. Është formuar një kordon me punonjës rendi përgjatë gjithë rrethimit ku vërehet se të gjithë janë të pajisur me maska kundër gazit. Po kështu vërehet se mungojnë policët femra. Në vijë të dytë janë pozicionuar forcat “Shqiponja” ndërsa pranë godinës së parlamentit është vendosur Garda e Republikës. Në rrethimin e xhamisë së Namazgjasë janë pozicionuar FNSH-të, zjarrfikëset dhe autoambulancat. Në godinat e larta pranë parlamentit janë forcat RENEA.
Kjo është protesta e tretë brenda muajit shkurt e opozitës së bashkuar, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, një qeveri tranzitore që do i sigurojë vendit zgjedhje të lira e të ndershme. Të gjithë deputetët e opozitës u dorëhoqën nga mandati i tyre në shenjë proteste kundër maxhorancës dhe duke e konsideruar një masë drastike në situatë drastike.
(m.k/BalkanWeb)