Nga: Aurel Plasari
“NË EMËR TË POPULLIT”
Për hir të “popullit” duhet lënë qoftë edhe “poezia” e Rilke-s dhe i duhet kthyer përgjigje dikujt që diskuton për “popullin”. Z. Voltaire nuk e kishte gabim kur mësonte: “në do që të diskutojmë, përcakto termat”. Meqë termi “demokraci” në prejardhjen e vet pati kuptimin “pushtet i popullit”, e vetëkuptueshme edhe nevoja e sqarimit se ç’është “populli” për të mos e falsifikuar kuptimin e tij. Në fazën e komunës primitive populli ishte një identitet i padiferencuar në klasa, përkatësisht as dhe në shtresa. Fill me shpërbërjen e shoqërisë primitive të padiferencuar dhe deri në ditët tona populli nuk paraqitet më si unitet monolit. Askund. Paraqitet si tërësi klasash, shtresash ose kategorish sociale, për ata që u druhen “termave klasorë”. Në shoqërinë me klasa ose me kategori të ndryshme sociale nocioni popull pra nuk ka më kuptimin e një uniteti të pastër, por të një pluraliteti social. Prandaj bëhet kujdes për të dalluar rastet kur fjala “popull” shpërdoret për të maskuar realitetin plural të një shoqërie duke krijuar iluzionin e një solidariteti total, të bazuar në një identitet absolut interesash që buruakan nga “uniteti” i popullit kinse pa interesa divergjente, të përkundërta, pra njëfarë “populli” i mistifikuar kështu në emër të të cilit dikush mund të pretendojë të flasë .
fb © a.p.