Vasili: Europa nuk kurseu gjigandë si Kohl dhe Kraksi përballë korrupsionit!

0
111

Ne kemi bërë denoncime mjaft në atë kohë, por jemi para fakteve të tilla të denoncuara në Prokurorinë shqiptare të njohura botërisht nga mediat më autoritare botërore, të cilat janë riprurë edhe nga mediat shqiptare gjerësisht. Pra ka ndodhur një krim elektoral dhe në një kohë të caktuar u zbulua krimi. Unë nuk mund ta pranoj dot që një eurodeputet i caktuar të më thotë që zgjedhjet u certifikuan në atë kohë, shprehet Petrit Vasili për televizionin News 24

Intervista 

 

Ndërkombëtarët i kanë sytë e turbulluar,  jeni shprehur ju, pse kjo deklaratë nga ana juaj zoti Vasili?

Më lejoni tu shpjegoj në pak momente arsyet e këto deklarate. Së pari do bëj një kronologji që ka lidhje me zgjedhjet në Shqipëri. Në 27 qershor, pra dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve në Shqipëri , në cilësinë e Kryetarit të LSI-së në atë kohë, kam deklaruar publikisht që janë mbajtur zgjedhjet më të shëmtuara të mbajtura ndonjëherë. Nuk jam absolutisht ofensiv me ju dhe as me mediat kurrën e kurrës, mund t’i rimarrin sërish këto deklarata të miat të bëra pikërisht në atë moment, të cilat nuk ishin deklarata as emocionale, por në bazë të dëshmive të mbledhura në terren me bollëk.

Dhe sot jemi përpara disa fakteve të tmerrshme të zbuluara jo vetëm nga ne. Ne kemi bërë denoncime mjaft në atë kohë, por jemi para fakteve të tilla të denoncuara në Prokurorinë shqiptare të njohura botërisht nga mediat më autoritare botërore, të cilat janë riprurë edhe nga mediat shqiptare gjerësisht. Pra ka ndodhur një krim elektoral dhe në një kohë të caktuar u zbulua krimi. Unë nuk mund ta pranoj dot që një eurodeputet i caktuar të më thotë që zgjedhjet u certifikuan në atë kohë. Jo më larg sesa përpara konferencës sime të shtypit jam shprehur: “Në rast se një kriminel i cili zbulohet pas 10-20 vjetësh duhet dënuar? Dënohet.

Ju dini një proces shembullor që është bërë ndaj nazistëve, të cilët janë zbuluar pas 74 vitesh dhe kanë përfunduar në burgje. Pra faji kurdo që të zbulohet, aq më tepër që është denoncuar dhe publikisht, është  vija ndarëse ndërmjet respektit të votës së lirë dhe pushtetit që lind nga ajo apo jo. Këtu fillon dhe mbaron jo vetëm pushteti, por edhe ndershmëria, raporti me qytetarët. Nuk mundem kurrsesi që unë të pranoj nga kurrkush, qoftë ky evropian apo çfarëdo lloj gjuhe që të flasë, i cili do të më imponojë standardin e të pranuarit të votës së blerë nga krimi i organizuar. Ky nuk është më pretendim, por është provë dhe fakt. Asnjë shqiptar nuk ka më nevojë të më dëgjojë mua. I ka mjaftuar të dëgjojë dhe të rimarrë mjaft e mjaft argumente. Dhe e dyta, që ta mbyll çështjen e parë, ideja që çdo evropian të promovojë pandëshkueshmërinë, pra pajtimin me këtë gjë, kjo është gjëja e cila e rrënon vendin dhe nuk e çon përpara. Nuk di si mund të shkojë një vend me vota të blera nga krimi në Europë. Janë dy rrugë që na ndajnë. Ose një zgjedhje në rrugën ku krimi i organizuar qeveris vendin, ose në demokraci ku vota ime dhe vota juaj vendos se cili do ta qeverisë vendin.

Ndërkohë ndërkombëtarët shprehen se nuk është nevoja për një qeveri tranzitore, nga ana tjetër dënojnë dhunën, sikurse i quajnë edhe zgjedhjet e 2017 legjitime. Sa afër e shihni ju këtë qeveri tranzitore?

Edhe njëherë do të rikthehem tek çështja se çfarë shikojnë apo nuk shikojnë këta zotërinj. Së pari përveç zgjedhjeve të degraduara, të cilat u rrëmbyen qartazi nga krimi i organizuar, kemi një korrupsion i cili, ku ka një kontribut të jashtëzakonshëm media juaj, jo në pozicionin që ndodheni ju por në një studio tjetër tuajën, janë denoncuar fakte nga më tronditëset për korrupsionin dhe unë i jam mirënjohës News 24 për këtë gjë, ku bëhej fjalë për miliona euro.

Tani po kthehem dhe po u jap nja dy shembuj këtyre europianëve që vijnë këtu. Ne e dimë që Europa është treguar shumë e prerë , në kuptimin në respekt të ligjit, dhe nuk ka kursyer kolloz si Helmut Kohl.  Ju e dini shumë mirë që zoti Kohl, i cili realizoi sipërmarrjen më të jashtëzakonshme të bashkimit të dy Gjermanive, një kryevepër politike, për disa çështje të financimit të partisë, ju e dini që u dënua nga gjykata. Një kolloz i politikës botërore. Italia krenohet se ka pasur një kryeministër nga më të mëdhenj të të gjitha kohërave Bettino Craxi, që për çështjen e financimit të partive mbylli jetën e tij në Hamamet, pasi drejtësia deri në fund qëndroi e fortë. Ju e dini shumë mirë që rënia e Republikës në Itali, ra për shkak të historive të korrupsionit, që në disa raste ishin shuam të vogla sesa shifrat e tmerrshme këtu. Dhe pranoi Italia dhe mori kurajën  që të rrëzonte një sistem të tërë politik. Dhe një grup i madh partish nuk ekzistojnë më në skenën politike italiane, për të ngritur një republikë të re, sepse kjo republikë e korrupsionit nuk mund të ekzistonte më.

Çfarë t’u dëgjoj këtyre zotërinjve, të cilët thonë ne rrëzojmë republika në vendet tona, “ne qëndrojmë shumë të prerë në raport me ligjin me burra të mëdhenj të shtetit”. Nuk doja të përmendja burra shteti si Sarkozi e të tjerë e të tjerë ku politika europiane ka dhënë shembuj pafund në të respektit ndaj ligjit. Pyetja ime është kjo, ç’republikë do të ndërtojmë, republika të pastra ku sundon ligji, ku sundon shteti ligjor, në Europë dhe republika të antiligjit në Shqipëri? Absolutisht e vetmja aspiratë që ne kemi për të hyrë në Europë është që republika jonë, Shqipëria jonë të ketë këto standarde, duke filluar nga vota, nga korrupsioni, nga shteti i së drejtës e të gjitha siç funksionojnë si atje.

Ndryshe, cila është arsyeja e aspiratës tonë europiane? Për çfarë duhet të hyjmë në Europë? Për çfarë arsyeje ne duhet të jemi, jo thjeshtë dele e zezë, do ishte e keqja më e madhe e shqiptarëve? Dhe këto kauza janë aty në tavolinë. Këto kauza duan përgjigje. Nëse qeveria ka marrë fund në këtë drejtim, është një i vdekur klinik praktikisht. Nuk ka asnjë mundësi për të ringjallur sëmundjen e tmerrshme të korrupsionit dhe padënueshmërisë. Unë kam një pyetje, retorike sigurisht, asnjë nga eurodeputetët nuk mori kurajon të thonte apo të vinte me shpatulla pas murit edhe drejtësinë edhe qeverinë para se të duartrokisnin për drejtësinë dhe institucionet e reja e të tjera, Një dosje kriminale, shume e rëndë si dosja 339 ku ka të gjithë krimin elektoral brenda që nuk ishte i kufizuar por ishte gati në 5-6 qarqe të vendit, që ishin gjysmat, ne 12 qarqe kemi rri e bllokuar prej 2 vitesh.. Këtë konstatim e them unë si opozitar, këtë konstatim e thonë kolegët tuaj të Zërit të Amerikës, kolegët tuaj të Rai-t dhe kolegët e tuaj të ZDF-së gjermane. Mediat më gjigande europiane e kanë vënë në termin e ditës, çuditërisht disa eurodeputetë që unë nuk di se nga vijnë nuk e paskan lexuar dhe shoh disa qeveritarë që ekzaltohen se vendi i tyre do të vazhdojë sipas disa deklarimeve të jetuarit në krim e korrupsion pa asnjë problem se nuk do të ndëshkohen.

Gjithsesi zoti Vasili situata është kjo për ju dhe ju ndërmorët aktin ekstrem të themi të djegies së mandateve për të cilat duhet ta pranojmë këtë fakt LSI-ja fillimisht ka hezituar apo jo, për djegien e mandateve. A ka ndonjë formë, le të themi pendimi për këtë pjesë apo mendoni se ishte dhe është zgjidhja e duhur.

Kam qenë gjithmonë i lumtur me thënë të drejtën, për vetveten por edhe për LSI-në më shumë se sa për veten për koherencën që kemi pasur. Kemi thënë gjithmonë, kur populli ta vendosë, jo ne, nuk jemi ne pronarë të mandateve, pronarë të mandateve e ndjenë veten në qeveri, që i blejnë mandatet, i vjedhin me vota të blera të krimit dhe sigurisht janë mandate të blera të cilët marrin disa prona të vogla. Këto nuk janë tonat, ai popull na zgjodhi, na çoi për të bërë një detyrë. Përfundimisht është kthyer në një Parlament i 2 prillit një Parlament që ka një kryetar Kuvendi, një turp të vërtetë i cili mat orët e të folurit dhe orët e të mos folurit dhe nuk mat që ministra të tërë nuk raportuan kurrë në Kuvend. Që për çështjen e Saimir Tahirit e të tjerë, komisioneve hetimore nuk u jepeshin dokumente.

Ju e dini që ne kemi një shtet që nuk i jep informacion as Presidentit të Republikës, ju e dini që e ka bërë publik për çështjen e “Unazës së Re”. Pra që kemi komplet një shtet të rënë, në të gjitha pikëpamjet, dhe atëherë, 100 mijë njerëz në 16 shkurt na dhanë një urdhër të prerë, këto mandate nuk mund të ushtrohen sepse ky Parlament ka vdekur dhe nuk mund të shkonim dhe të talleshim me ato të cilët na i dhanë ata për të ngritur problematika, të thërrisnim qeverinë e korruptuar të na jepte llogari e cila nuk vinte. Ju patë skandale të tilla tani nuk është se unë po bëj opozitarin e sëmurë por, ne kërkonim ministren të raportonte se në Skrapar kishin mbetur fëmijët dhe handikapi pa bukë sepse nuk çonin financimin. Mua si kryetar grupi më përgjigjesh, i kërkova interpelancë, që ministrja nuk mund të vijë se nuk do të jetë në Shqipëri dhe ministrja më shfaqet në seancë. Një pacipësi, një paturpësi dhe një arrogancë.

Pse lind kjo? Sepse ideja e kësaj mazhorance të kriminalizuar është qeveria është e imja, Parlamenti është i imi, nuk kupton që as qeveria nuk është e tyre dhe as Parlamenti nuk është i tyre. Qeveria është një qeveri që lind nga një mazhorancë dhe do tu shërbejë të tërëve , do jetë garantuese për të tërë, edhe për ata që nuk e votojnë se ju jeni gazetare me eksperiencë por ju e dini që ne jemi 2 milion e 800 mijë njerëz, një mazhorancë politike 700 mijë vota merr, 2 milionë e 100 mijë të tjerëve do tu shërbejë që nuk kanë votuar për të? Ky Parlament është pronë e tyre? Jo. Janë parlamentarët që kanë të drejta të barabarta, i ndan vetëm momenti i votimit.

Shumë deputetë janë shprehur se nuk ua priste mendja për ju që do të irritoheshit në atë formë në seancën plenare, sa do të prishnit dhe fjalorin…

Do t’iu jap një sqarim. Kam pasur mundësi të sqarohem me disa njerëz. I kam kërkuar atë ditë ministres që të jepte një përgjigje, asgjë më shumë. Ishin 11 pyetje të cilave nuk begenisën ti kthenin përgjigje. I kam kërkuar Kryetarit të Kuvendit vetëm këtë. Nga salla dikush mu drejtua mua me fjalë shumë të rënda, pa asnjë lidhje, ndërkohë që unë nuk kisha punë me atë dhe ju keni rekordet që po i kërkoja z. Ruçi që ministrja e Financave të kthente përgjigje dhe shikoj një sjellje të një njeriu të çartur që fliste nga vendi pa kuptim. Arriti deri në fyerje personale.

Sigurisht kur kalon masa dhe shoh një Kryetar Kuvendi që është shumë i vëmendshëm, që duhej të dënonte për fjalën më të vogël, për qëllimin më të vogël të opozitës, s’mbante asnjë qëndrim tjetër ndaj tij. Atëherë i lash vend që të kuptonte që as opozitën dhe as personalisht nuk guxon ta dhunojë njeri. Por ajo sallë atë ditë, siç keni parë dhe Kryeministrin po atë ditë që tha qelbërllëqe dhe për të cilin kurrë nuk merret asnjë masë, edhe popullin ju e dini si e ka quajtur Kryeministri, kemi bërë dhe kërkesë, por sërish nuk merret asnjë masë. Pse? Sepse Parlamenti sipas tyre është pronë e tyre, e rrëmbejmë ne, jemi ne partia në pushtet.

Ju keni parë dhe Kryetarit të Kuvendit i shkau goja, në vend që të thotë Byroja e Kuvendit, thotë Byroja Politike. Këtë psikologji kanë në mendjen e tyre. Ne me këtë nuk pajtohemi dot.

Ju si e shihni zgjidhjen tani? Sepse me të vërtetë ju kërkoni zgjedhje të parakohshme, qeveri transitore. Nga ana tjetër kemi një Kryeministër, i cili shprehet se zgjedhjet do të bëhen vetëm në 2021 dhe se nuk do të ketë një dorëheqje prej tij. E shihni vetëm me protesta, me mosbindje civile, me aksion opozitar sa herë që të ketë aksion opozitar?

Edhe shqiptari më i fundit, voton apo nuk voton opozita, di shumë mirë tani që votat i kanë blerë kriminelët. Çdo gjë që do të thonim ne, do të mobilizoheshin ajo pjesë e medias që nuk është objektive, jemi mirënjohës pafund që këtë mision e mori përsipër një media, së cilës së paku me përjashtim të çmendurisë së Edi Ramës që iu thotë kazan, ju të gjithë keni qenë gjakftohtë dhe nuk keni bërë një gafë të tillë, Zëri i Amerikës, ju e dini që është një media e DASH. Ju jeni një media e pavarur dhe paguheni nga një biznes privat, ndërsa ata kanë një varësi të tillë.

Falë atyre, falë televizionit italian dhe falë televizionit gjerman, këto fakte edhe shqiptari i fundit e ka dëgjuar dashurinë pafund të politikanëve të rilindjes me kriminelët. Tani ka një pyetje që do ta bëjmë me çdo shqiptar. S’ka shqiptar që do që votën e tij ta blejë krimineli dhe me votën e tij të qeveriset vendi. Kështu që kjo qeveri është ilegjitime.

Të vijnë nga të duan deputetët, fakti është aty dhe dëgjova disa eurodeputetë që thanë se këto gjëra i gjykojnë gjykatat, jam dakord me ta, por drejtësia ka dy vjet që e mban dosjen. Se në qoftë se unë shikoja dosjen, ku njerëzit ishin të kallëzuar penalisht dhe shkonin të përgjigjeshin para gjykatave, kishin të drejtë të thonin që çështja është hetuar, njerëzit janë në gjykatë dhe ju ç’pretendim keni?

Dosja qëndron e bllokuar dhe unë nuk po shpik ndonjë gjë, këto janë të vërteta. Populli ia ka dhënë dënimin atyre që janë përgjuar, ata të tjerët në një marrëveshje që të mbajnë Kryeministrin të gjithë bashkë, i bashkon halli, sepse hapja e dosjes nxjerr një seri personazhesh nga këta që çirren në Parlament, të cilët janë të mbyllur deri në grykë. Çdo të bëjmë ne? Do të pajtohemi me këtë? Do vazhdojmë në 2019 që votat ti blejnë kriminelët dhe në të pranojmë të qeverisim në këtë lloj mënyrë?

Kush ka një standard të tillë, le ta pranojë. Unë përpara se të jem politikan, jam qytetar. Prandaj e kam lënë me qetësinë më të madhe mandatin. As unë dhe asnjë nga ato 61 deputetë të tjerë, nuk kanë mandate të përjetshme. Askush nuk ka mandate të përjetshme në politikë. E përjetshme është që ky vend të qeveriset me standarde. Standardet krijojnë një qetësi të madhe publike, e cila nuk është e mirë për politikanët, është e mirë për të gjithë ju. Është një e mirë e përbashkët që e ndajmë të gjithë. Këtë tension që ka ardhur nga vota e kriminalizuar, këtë tension që vjen nga korrupsioni, që ju keni pasur mundësinë ti përcillni shumë nga protestat që po bëhen në Unazën e Re.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here