180 milionë lekë skenografia, 150 milionë të tjera kancelari, vjedhje edhe me diasporën…

0
143

Esmeralda KETA
Samiti i dytë i diasporës shqiptare pritet të hapet zyrtarisht të enjten në Tiranë me ceremoninë e mirëseardhjes në pallatin e Brigadave. Eventi kryesor është planifikuar të zhvillohet më 1 mars, ku do të ketë katër panele të ndryshme diskutimi, ndërsa më 2 mars, pjesëmarrësit do të udhëtojnë drejt Lezhës për të përkujtuar 575 vjetorin e Kuvendit të Besëlidhjes.
Petrit Kuçana, drejtor i përgjithshëm i gazetës “The Albanian” me seli në Londër që prej vitit 2004 do të jetë një nga pjesëmarrësit, por gazetari shprehet dyshues për paratë që qeveria shqiptare po harxhon për një konference dy ditore. Në anën tjetër, ai nënvizon se edhe samiti i parë nuk u ndoq me veprime që adresojnë shqetësimet e shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut.
“Edhe sot e kësaj dite askush nuk di çfarë u arrit nga Samiti i Parë i organizuar tre vite më parë,” tha Kuçana, duke shtuar se “përtej fasadës, nuk kemi parë asnjë adresim të atyre kërkesave apo shqetësimeve të mërgimtarëve që jetojnë jashtë republikës së Shqipërisë”.
“Mënyra sesi po organizohet samiti i dytë nuk shihet që do të ketë një dritë shprese për pritshmëri të mëdha. Fatkeqësisht, gjithçka po mbetet brenda setit të fotografive,” tha ai.
Qeveria ka vendosur të shpenzojë 67 milionë lekë nga buxheti i shtetit për konferencën dy ditore, një shifër e përafërt me buxhetin e Ministrisë së Diasporës gjatë një viti. Kjo shifër është konsideruar e tejfryrë nga disa personalitete shqiptare që jetojnë jashtë vendit, të cilët e kritikojnë kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij se po i përdor mërgimtarët për shoë.
Përtej kritikave, Ministria e Diasporës shprehet e kënaqur me pjesëmarrjen dhe deklaroi se po punohej për të rritur bashkëpunimin me diasporën.
“Deri të premten janë regjistruar në portal mbi 1500 pjesëmarrës”, i tha BIRN një burim zyrtar pranë kësaj ministrie. “Ministria e Diasporës dhe të gjitha strukturat e saj kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të rritur bashkëpunimin dhe të zgjidhur çështjet që shqetësojnë diasporën,” shtoi zyrtari i ministrisë.

Buxheti i fryrë
Samiti i Parë i Diasporës u mbajt në vitin 2016 dhe mblodhi në Tiranë rreth 1000 përfaqësues të komunitetit shqiptar jashtë atdheut nga 40 shtete të botës. Ai u konsiderua një sukses nga qeveria shqiptare. Por samiti i dytë i këtij lloji, i cili mblidhet në Tiranë të premten dhe të shtunën, i ka shqetësuar disa nga anëtarët e komuniteti shqiptar në mërgim për shpenzimet e tij ekstravagante.
Në një vendim të datës 9 janar, Këshilli i Ministrave i kaloi drejtorisë së shërbimeve qeveritare një shtesë fondi prej rreth 67 milionë lekësh të reja për organizimin e samitit. Por detajimet e buxhetit të ndarë në zëra kanë sjellë dhe kritika ndaj eventit.
Skenografia e ditës së parë të konferencës do të kushtojë 18 milionë lekë. Për qiranë, vetëm për një ditë aktivitet nga ora 09:00- 14:00, për sallën me 800 persona në ExpoCity është miratuar një fond prej 10 milionë lekësh, ku janë përfshirë edhe 9 ditë parapërgatitore.
Më 2 mars, 800 përfaqësuesit e diasporës do të nisen drejt Lezhës ku do të marrin pjesë në ceremoninë e 575 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Për transportin e tyre qeveria ka parashikuar një fond prej 2 milionë lekësh, me një kosto prej 2500 lekësh për çdo person, ndërkohë që bileta vajtje-ardhje për Lezhë aktualisht, në të gjitha linjat që e ofrojnë këtë shërbim kushton vetëm 500 lekë. Por edhe transporti nga Tirana drejt ‘Expo City’ nuk do të jetë më pak i kushtueshëm. Nëse për këtë linjë qytetarët paguajnë 100 lekë vajtje ardhje, transporti për 800 të ardhurit nga diaspora do të kushtojë plot 1250 lekë për person.
Qeveria është treguar bujare edhe për kancelarinë dhe paketën e aktiviteteve për 800 të pranishmit e ardhur nga diaspora, pasi për këtë zë janë vënë në dispozicion 15 milionë lekë. Paketa kancelarike për çdo person do të kushtojë plot 19 mijë lekë.
Publikimi i shpenzimeve është shoqëruar me kritika dhe disa nga pjesëmarrësit në samitin e parë kanë vendosur ta bojkotojnë aktivitetin.
“Nuk ka nevojë kaq shumë për skenografi, mbrëmje gala, çmimet, qira për dhjetë ditë për sallën e cila do të përdoret vetëm për një ditë, zbukurim i rrugës, …për më tepër, nuk mund të justifikoj 67 milionë lekë për dy ditë të Samitit, kur buxheti i Agjencisë së Diasporës është më pak së gjysma e kësaj shume,” shprehet ekonomisti Mark Kosmo, i cili ka qenë i pranishëm në Samitin e parë. Kosmo mban postin e kryesuesit të bordit të shoqatës së diasporës së Kosovës “Germin”, si dhe ka ngritur Fondacionin Shqiptar të Filantropisë.

“Në cilin vend të botës harxhohet më shumë për dy ditë konferencë, se sa ka buxheti vjetor i agjencisë apo ministrisë,” pyet Kosmo, i cili ka një karrierë të pasur si konsulent i Bankës Botërore.
Edhe Jeta Kaziu, aktualisht drejtoreshë marketingu në një kompani produktesh televizive – “Harvest Direct LLC” dhe po ashtu edhe nënkryetare e shoqatës “MAAS Besa” në Masaçusets e ka refuzuar ftesën njësoj si Kosmo.
“Ky event ka buxhet jashtëzakonisht të patolerueshëm! E them këtë si ekonomiste dhe si drejtoreshë marketingu. Ishte arsyeja kryesore që vendosa të mos marr pjesë,” tha Kaziu.
“Kur një samiti dy ditor i është bashkangjitur një shifër shumë më e madhe se sa i gjithë buxheti vjetor i Ministrisë së Diasporës, tregon se ata duan më shumë një “shoë” dy ditor sesa një departament që do të krijojë marrëdhënie afatgjatë me diasporën,” shtoi ajo.
Kaziu është e angazhuar edhe në projektin Cure së bashku me dr.Ina Farkën nga Uashingtoni, që po ndihmon spitalet shqiptare me pajisje aparaturash. Sipas saj, është e pakuptimtë që ligjvënësit shqiptarë miratojnë një buxhet kaq të majmë për një event, kur në spitalet shqiptare ka nevoja bazike.
“Kemi parë spitale dhe qendra shëndetësore pa aparatura bazë, personeli shëndetësor që punon në ato situata është i jashtëzakonshëm. Kur e shohim diferencën që mund të bëjnë 5 mijë dollarë, 10 mijë dollarë apo 20 mijë dollarë për njerëz kaq shumë në nevojë, atëherë unë nuk mund të bëhem pjesë e mjerimit të bashkatdhetarëve të mi. Nuk mund të justifikoj 660 mijë dollarë për një shoë dy ditor,” shtoi ajo.
Pak investime për diasporën
Aktualisht i gjithë buxheti për shërbime për diasporën për vitin 2019 është 83 milionë lekë. Gjatë diskutimeve të projektbuxhetit të 2019-ës, Ministria për Diasporën kërkoi që Agjencia Kombëtare për Diasporën të kishte një buxhet prej 165 milionë lekësh për vitin 2019, por Ministria e Financave i alokoi kësaj agjencie vetëm 26.5 milionë lekë. Asokohe Minisitri i Diaporës, Pandeli Majko e kundërshtoi këtë rrudhje me 84% të buxhetit të kërkuar, duke u shprehur se duhej rishikuar.

Shqipëria ka ministri për Diasporën që prej vitit 2015, por komuniteti shqiptar jashtë atdheut shprehet se e ndjen veten të braktisur dhe të papërfaqësuar. Jeta Kaziu, e cila ka studiuar Ekonomik dhe Shkenca Politike në universitetin e Toëson në Maryland dhe master në Harvard për menaxhim Biznesi dhe Marketing, tregon se entuziazmi pas samitit të parë iu shua shumë shpejt.
“Në samitin e parë isha shumë entuziaste që më në fund qeveria shqiptare do të dëgjonte kërkesat tona, mënyrën e angazhimit që donim me mëmëdheun. Fatkeqësisht jo shumë u bë pas samitit të parë dhe kur morëm ftesën për të dytin, isha shumë dyshuese sepse m’u duk një organizim komplet politik, pa organizim diaspore,” tha Kaziu. “
“Jo vetëm që nuk jemi këshilluar si diasporë, por edhe sot akoma nuk kemi një axhendë konkrete të samitit, kush janë prezantuesit, cilat janë çështjet kryesore që do të diskutohen në samit,” shtoi ajo.
Ajo tha se i referohej në mënyrë të veçantë komunitetit të Bostonit në SHBA, duke theksuar se qeveria shqiptare ishte fillimisht shumë e angazhuar me projektin që kishin realizuar në këtë drejtim me Universitetin e Harvardit.
Edhe për Petrit Kuçanën, mungesa e bashkëpunimit tregon se sa rëndësi i jep qeveria diasporës.
“Absolutisht deri më sot nuk kemi parë ndonjë dalje jashtë kornizës së fasadës. I vetmi zhvillim mund të quhet emërimi i një Ministri Shteti për Diasporën, që lehtësisht përkthehet si ministër pa portofol, e mbase kjo flet shumë për qasjen që qeveria ka për diasporën,” tha ai.
Kuçana, i cili për shkak të profesionit si gazetar i njeh me themel telashet me të cilat përballen shqiptarët e Londrës, ka një listë të gjatë çështjesh, që sipas tij, qeveria shqiptare duhej t’u jepte përgjigje në këtë samit. Edhe Mark Kosmo mendon se bashkëpunimi i qeverisë me komunitetin shqiptar jashtë vendit le për të dëshiruar.
“Qeveria shqiptare nuk ka krijuar asnjë bashkëpunim formal me Diasporën nëpërmjet komiteteve apo grupeve të punës. Bisedat ose takimet nuk mjaftojnë. Konferencat apo samitet kanë vlerë vetëm nëse ka ‘folloë-up’ serioz,” tha ai.
“Personalisht, kam pasur disa takime dhe kam dërguar shumë ide për samitin, Strategjinë e Diasporës, etj…por nuk kemi gjetur rrugën për bashkëpunim,” përfundoi Kosmo.

“BIRN”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here