MAZOKIZËM INSTITUCIONAL

0
218

 

Nga Brikena Bogdo

Cfarë u prodhua realisht në këto 28 vjet, postkomunizëm? Mazokizëm institucional? Shkatërrim i institucioneve, për vetkënaqësi pushteti?

Muret e pathyshme, të parrëzueshme, ishin simbole të diktaturave të mirëfillta dje, (muri i Berlinit 1989), dhe simbolikë e institucioneve të blinduara neodiktatoriale sot. Shqipëria aktualisht është e blinduar me mure dhe ushtarakë. !5 muaj më parë u hoqën 12 prefekte për t’u emëruar 12 ushta,rakë, ish-ushtarakë me grada të larta, deri në gjeneral major, duke u vënë në detyra që demokracia i percakton për civilët. Është botuar në fletoren zyrtare, udhëzimi i ministrit të brendshëm, Sandër Lleshi, për pranimin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura, në Policinë e Shtetit. Kjo do të thotë që, ideja e hedhur para disa kohësh nga ministri i brendshëm, për të futur ushtarakë në polici, ka marrë formë ligjore. Me ushtarakët janë realizuar historikisht grushtet e shtetit. Cili është kuptimi i futjes së ushtarakëve në qeveri? Do të thotë mbajtje e pushtetit me dorë të hekurt, apo një formë e  sofistikuara e një grushti shteti? Ky ishte konflikti institucional, i krijuar mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit, vendosja e një ushtaraku si ministër i brendshëm.

Ky blindim muresh dhe institucionesh ka rikthyer në Shqipëri të njëjtat sllogane: “Liri Demokraci”, “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, të viteve ‘90. Dy grup mosha janë ngritur në protestë, 20 vjecarët në dhjetor 2018, dhe 50 vjecaret e lart, në 16 shkurt 2019.

Ata politikanë që deklarojnë se, nuk kemi të bëjmë me një diktator, por thjesht me një kryeministër të paaftë, kanë koncepte tejet të gabuara për diktaturën dhe demokracinë. Këtu duhet të fillojë i gjithë diskutimi. Përse, prej 28 vitesh prodhojmë vetëm diktatorë? Përse institucionet demokratike degradojnë në blinde dhe autokraci? Përse ndarjet e pushteteve rezultojnë thjesht një fiction? Sepse nuk ka ndryshuar kurrë, koncepti i diktaturës dhe kurrë nuk i interesoi, vendosja e demokracisë, vazhdimit të nomenklaturës? Ta degradosh sjelljet e pushtetarëve, thjesht në paaftësi, do të thotë që të mos tentosh kurrë të zgjidhësh problemin me themel, crrënjosjen e konceptit ”diktaturë”.

Protesta e 16 shkurtit dështoi se, nuk u prekën simbolet? Nuk u depërtua në kryeministri nga protestuesit dhe kjo është një dështim? Të paktën kështu nxituan të deklarojnë disa analistë. U rrëzua muri i Berlinit në 1989, si simbol, duke e konsideruar lëvizjen një revolucion të kadifenjtë. Por, a ra realisht ai sistem, ajo ideologji? Rënia e një muri jo domosdoshmërisht rrëzon mentalitete, koncepte, sjellje, ideologji. Muret ngrihen lehtë, konceptet, mendësitë, psikat,  bien vështirësisht. Rënia e një simboli nuk e përjashton mundësinë e vendosjes së një simboli tjetër, me po aq diktat, blindim institucionesh, varësi institucionesh, sic po ndodh rëndom në harkun kohor të 28 viteve politikë shqiptare. Ra ”kryeministria” më 1998, pas trazirave që u shkaktuan me vdekjen e Azem Hajdarit. Protestuesit hynë në ambjentet e kryemnistrisë të qeverisë Nano. U kap simboli nga protestuesit. Nano iku, braktisi institucionet. Por, nga pushteti iku, kur deshi dhe u kthye përsëri, kur deshi ai. Muret, edhe nëse rrëzohen, apo pushtohen, do të tingëllojë foshnjarake, përpara blindimit të mentalitetit që reflekton në blindimin e institucionit.

Në këta 28 vjet e gjithë politika, politikanë, kryeministra, presidentë, kanë vendosur me rradhë tulla për të përfunduar këtë mur të blinduar institucional, duke i mundësuar cdo kreu shteti, të krijojë kultin e individit, për tu larguar, kur të dojë ai, duke prodhuar të njëjtin tip timonieri, që krijon mosbesueshmëri në elektorat.

Prandaj, në Ballkan, por edhe me gjerë, në vendet e Europës Lindore, tentohet të vazhdojë ajo, cka nisi në vitet ’90 dhe u degradua përgjatë postkomunizmit. Duket, sikur komunizmi është në venitje, por në fakt realiteti tregoi se, thjesht sofistikoi format e diktatit dhe autokracisë. Kur e keqja zgjat në kohë, kërkon të shndërrohet e konsiderohet një normalitet. Përpos rënies së mureve më të rëndësishme, janë protestat, lëvizjet, reagimet, si domosdoshmëri, për të treguar që, kjo e keqe nuk është normalitet.

Gorbacovi, më 1986, e filloi Glasnost-in, si një trasparencë të kontrolluar nga lart. Katovica u mblodh për të treguar se, do ishin po komunistët që do të vazhdonin regjimet që, do të vinin më pas, të cilat vetëm demokratike nuk do të ishin. Ashtu ndodhi në Europën Lindore, ish-Jugosllavi, Ballkan, Shqipëri. Perestrojkë do të thotë ristrukturim themelor i sistemit. Pra, që në fillesë të lëvizjeve të viteve ‘90, nuk u ideua kurrë përmbysje reale e sistemit, por një ristrukturim i tij, i kontrolluar nga lart. Në fakt, prodhoi si lëvizje, sisteme të paqarta, që kulmuan me oligarkë, autokratë, institucione të kontrolluara, liderë autoritarë, burokratë, injorantë, megallomanë, pushtete të gjata, institucione të parrëzueshme.

Duke qenë ristrukturim, lëvizja e atëhershme ndodhi brenda sistemit, thjesht u ndërruan timonierët, për të vazhduar sistemin, duke dështuar lëvizjen e 20 vjecarëve të atëhershëm. Kjo është ajo cka ndodhi në harkun kohor 8 dhetor 2018 – 16 shkurt 2019, takimi i dy brezave. Shanci i 20 vjecarëve të sotëm, që filluan një lëvizje shumë të bukur, do të ishte, nëse do të fillonin një lëvizje jashtë sistemi, kundër sistemit, për të përmbysur sistemin, për të përfunduar atë që u nis me rënien e Murit të Berlinit. Gjithsesi, lëvizja e studentëve 2018, ishte një vazhdim i lëvizjes studentore të viteve ‘90, që padyshim do të sjellë efektet e saj, pasi nuk munguan slloganet antisistem. Lëvizjet po zgjerohen, brenda Shqipërisë dhe jashtë saj. Pranvera ballkanike ka tërhequr vënendjen e SHBA-ve. U dorëhoq papritmas sekretari amerikan i shtetit per ceshtjet Europiane Ëess Mitchell, duke vënë në dyshim angazhimin amerikan në Europë. Por menjëherë ai është pasuar nga Philip Reeker, ish ambasador i SHBA-ve në Shkup. Ai njihet si një diplomat i aftë, që njeh shumë qartë situatën në Europë dhe vecanërisht në Ballkan. Kjo, në të kundërt, tregon një interes të shtuar të Amerikës, në Ballkan.

Dilema mbetet, do të kemi realisht përmbysje të sistemit, apo thjesht ristrukturime, bojatisje, ndërrim timonierësh. Ndryshimi i timonierëve, qoftë të djathtë, apo të majtë, me ambiguitete politike, paqartësi ideologjishë, nuk sjell rënie, apo përmbysje themelore, thjesht mure, njësoj të blinduara, por me bojë të ndryshme, herë të kuqe, herë blu, portokall, apo edhe të verdhë e jeshil. Problemi i centralizimit nuk është thjesht problem ballkanik, apo Europe Lindore, por problem botëror, pasi kërkohet të kapet nga  rendi i ri botëror. Rendi i ri botëror do të thotë një formë e re, por shumë e sofistikuar e centralizmit, por tashmë, jo vetëm në rrafshe shtetesh, por edhe në rrafsh botëror. Një grusht njerëzish që udhëheqin krejt botën.

Protestat që po ndodhin,  jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Europës Lindore, si p.sh. Bullgaria, Moldavia, Rumania, tregon që kur institucionet blindohen, veprohet jashtë institucioneve.

Demokraci, autokraci stabilokraci, burokraci, rend-i-ri-kraci, kanë një rrënjë, (kratos), pushtetin. Por i kujt? Këtu fillon loja. Pushtete të mbyllura, apo të hapura? Pushtete të popullit, apo të kultit të individit? Pushtete sovrane, apo pa kufij? Pushtete të rendit të ri botëror të centralizuar? Europës i intereson stabiliteti, në kurriz të demokracisë, prandaj gjithmonë e më tepër po flitet për stabilokraci, në kurriz të demokracisë. Por, nuk mund të ketë stabilitet, as në Shqipëri, Ballkan dhe Europë Lindore, pa demokraci.

Dy janë elementet thelbësorë të demokracisë,  vota e lirë dhe pavarësia e pushteteve. Kur të dy këto elementë të demokracisë mungojnë, cfarë prodhon? Kapja e politikës ka sjellë si rezultat injorim të qytetarëve, nga politika, duke i detyruar ata të përqafojnë populistët,  djathtas, apo majtas. Grupi parlamentar socialist, në Parlamentin Europian, pas zgjedhjeve të majit pritet të rrudhet ndjeshëm, ndërkohë që pritet të fitojnë shumë vende liberalët dhe populistët euroskeptikë. A do të kenë sukses? Populistët luajnë fort lojën e imazhit, deri në detaj, qoftë edhe me ngjyra të reja, por thelbi mbetet e njëjtë, demagogji, centralizëm, për të prodhuar të njëjtën gjë, varfëri. Emërtimi më i saktë i tyre, është iluzionistë.

Situata politike në Shqipëri për kryeministrin është good sport, për ligjvënësit, djegia un block e mandative, veprim politik, që nuk ia ka kapur, as fantazia ligjvënësve, për sa kohë nuk është e qartë juridikisht, dhe e paparasjhikuar nga ligji. Të dy palët, megjithëse janë në tempullin e ligjit, kanë kryer akte politike, por jo juridike, sepse ligji është evaziv. Rrugë unike, për raste unike, të momenteve unike.

Me dy karta po luhet sot, nga maxhoranca, me ideologjizim dhe politikën përcarëse jug-veri, toskë-gegë. Për një paralelizëm, Lëvizja “Pesë Yje”, në Itali, mbas një super ideologjizimi  si politikë dhe Lega Nord, mbas një lufte jug-veri, sot të dy në pushtet, e kanë futur Italinë në një recension ekonomik. Të luash kartën jug-veri, jo vetëm që nuk përfiton, por është edhe e rrezikshme. Nëse maxhoranca e ka mbështetur ekzistencën e saj, në delegacionet e PE-së, trecerekut të tyre u ka dalë boja si sorosianë.

Nëse protestat në Ballkan, Europë Lindore edhe me gjerë, do të rezultojnë lëvizje jashtë sistemit, kundër sistemit, mundet të ketë sukses dhe të sjellin përmbysje. Nëse do të mbeten brenda sistemit, në rrafshin e populizmit, demagogjisë, dështimi do të jetë i sigurt.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here