Banorët që pritet të preken nga ky projekt kanë protestuar sot përpara godinës së Bashkisë, që për ironi të fatit mund të shembet edhe vetë në kuadër të këtij projekti infrastruklturor.
Rreth 30 banesa dhe objekte biznesi rrezikojnë të shemben në Këlcyrë, në kuadër të një projekti për ridimensionimin e pedonales së qytezës.
Duke folur për Fax News banorët janë shprehur se kreu i Bashkisë së Këlcyrës Klement Ndoni, nuk i ka pritur ata në takim, dhe ca më keq, ai nuk gjendet fare në zyrën e tij. Një tjetër problem që ngritën banorët ishte dhe ai i vlerës së dëmshpërblimeve, që për ta është tërësisht qesharak.
“Kryebashkiaku na ka ikur në drejtim të paditur, nuk na ka dhënë asnjë llogari. 3 mijë banorë ka Këlcyra, pse na duhet kjo pedonale kaq e madhe. Këtë Bashki e mbajmë ne me lekët tona, na kanë dërguar një shkresë qesharake, dëmshpërblimi fillon nga 60 mijë lekë në 7 milionë lekë të vjetra. Të gjitha banesat dhe objektet janë me certifikatë, janë të gjithë të rregullt. Ne nuk duam tia dimë nëse ky është një vendim i Edi Ramës, se ne nuk kemi votuar atë”, u shpreh një prej qytetarëve.
I kontaktuar nga ana e gazetares Ervina Shehaj, Ndoni ka deklaruar se në fundin e muajit mars pritet të merret një vendim i qeverisë për ndërtimin e këtij projekti infrastrukturor.