‘Fitore legjendare’. Erik ten Hag, me Ajax në gjak dhe… Pep Guardiolën si mësues. Pushtoi Bernabeun

0
111
Elozhe pa fund për lojën e holandezëve, për serbin Tadic, për mbrojtësin e talentuar De Ligt, për mesfushorin e ardhshëm të Barcelonës De Jong, por gjithçka ka nga pas një klub fantastik, një filozofi mahnitëse futbolli dhe një trajner të shkëlqyer si Erik ten Hag.

Ajax është në qendër të vëmendjes anembanë botës për atë që bëri të martën në mbrëmje në Bernabeu, duke arritur një fitore legjendare kundër Real Madridit dhe duke u kualifikuar për në turin e ardhshëm në Champions League.

Ndoshta deri dje pak njerëz jashtë Holandës ia mbanin mend emrin, por Ten Hag është bir i futbollit të Johan Cruyff, bir i brezit pas-Johan Cruyff. Trajner pa karrierë të madhe, por me Ajax në gjak dhe… Pep Guardiolën si mësues.

Ten Hag ka vetëm 4 sezone si trajner i parë, deri në vitin 2015 ishte një student i futbollit të bukur, një ëndërrimtar, në pritje të shansit të madh. Shumë vite studime, që ia kanë vlejtur, pasi ajo që bëri Ajax në Bernabeu ishte epike, një kryevepër nga një orkestër perfekte.

30 vite më parë Johan Cruyff thoshte: “Pse të mos e mundësh një klub më të pasur? Nuk kam parë ndonjëherë që një çantë e mbushur me para të shënojë gol”. Duket shprehje rutinë, nga ato që janë të bukura vetëm në letër, sepse nuk realizohen kurrë, por disa përralla bëhen realitet dhe mbeten në histori, duke u kujtuar edhe pas disa dekadash, duke u kaluar brez pas brezi si heronjtë e mitologjisë së lashtë.

Erik Ten Hag, prej kësaj jave, ka një histori të madhe për të treguar. Nuk bëhet fjalë thjesht për krizë të Realit, bëhet fjalë sidomos për magjinë Ajax. Një magji e tentuar pa fund, derisa u realizua, me Ten Hag në regji.

MBËRRITJA NË AMSTERDAM – Një vit e dy muaj më parë Erik ten Hag bëhet trajneri i ri i Ajax. Edëin Van der Sar, drejtues i klubit legjendar, e zgjodhi në dhjetor 2017, duke shpresuar t’i ecte mbarë, sepse para Ten Hag 5 trajnerë ishin ndërruar për 18 muaj, pa sukses, përtej mbërritjes deri në finalen e Europa League, humbur ndaj Manchester United.

Ten Hag kishte lënë mbresa në Amsterdam në nëntor 2017, kur Utrecht i tij triumfonte brenda në Amsterdam, me lojë fantastike. Aq u desh që drejtuesit e Ajax ta kuptonin se kishin përpara trajnerin e së ardhmes.

STUDENT I PEP GUARDIOLËS – Karriera e Ten Hag si trajner ka nisur 12 vite më parë, në letër. Në vitin 2002 tërheqja nga futbolli i luajtur, në moshën 36-vjeçare rikthim te Tëente, por si ndihmëstrajner. Në 2009 ishte zëvendës i Fred Rutten, i cili e mori me vete edhe te PSV, ndërsa më pas erdhi fillimi i karrierës si trajner i parë. Në divizionin e dytë holandez një vend i gjashtë me Go Ahead Eagles, ndërsa verën pasuese erdhi shansi i madh: Guardiola e donte te Bayern, për të drejtuar ekipin B.

Pep dhe Erik punojnë së bashku, ten Hag me detyrën për të përgatitur të rinjtë për ekipin e parë. Guardiola beson verbërisht tek ekipet e të rinjve dhe ten Hag duhej t’u mësonte tiki-takan e spanjollit. Gjithçka perfekte, ten Hag mori eksperiencën dhe leksionet që i duheshin dhe në korrik 2015 erdhi telefonata nga Utrechti, aty ku kishte luajtur 20 vite më parë.

Utrecht i ofroi stolin dhe ten Hag i mahniti të gjithë, duke mbërritur në finalen e kupës dhe duke e kualifikuar Utrecht-it për në Europa League, gjithçka falë metodave të veçanta stërvitore, me simulime kundërsulmi, me lojë totale dhe me cilësi e shpejtësi, pa gabime.

Kush e ka parë në punë e sipër, garanton se ten Hag ka marrë më të mirën e mundshme të Guardiolës, nga futbolli i luajtur deri tek administrimi i skuadrës në dhomat e zhveshjes. Të gjithë protagonistë, të gjithë duhet të bashkëpunojnë. Mirëkuptim, brenda e jashtë fushe. Miqësi9 e qetësi nga njëra anë, lojë e bukur dhe rezultate nga tjetra. Një përrallë e bukur u shkrua në Bernabeu, ten Hag do t’ua tregojnë nipave pas shumë vitesh, por ndërkohë kërkon të shkruajë histori të tjera.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here