Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi gjatë takimit të zhvilluar me strukturat e LSI në qytetin e Gramshit theksoi se kryeministri Rama dhe qeverisja e Rilindjes tashmë kanë dështuar, duke sjellë taksat të larta dhe duke rrënuar ekonominë e vendit. “Qeveria e Rilindjes, politikat e saj kanë dështuar. Dështoi edhe fenomeni i Edi Ramës. Dështoi dhe fenomeni i artistit që sjell gjëra të bukura. Por ky fenomen nuk solli as begati, as vende të reja pune, as zhvillim, por përkundrazi solli largimin masiv të të rinjve dhe të rejave nga Shqipëria. Solli taksa të larta, solli një ekonomi të rrënuar dhe solli një implementim të segmenteve të krimit të organizuar në qeverisje, të cilët nuk e shikojnë qeverisjen, qoftë të pushtetit vendor apo qoftë të qeverisjes si qeveri, nuk e shikojnë në shërbim të qytetarëve, por e shikojnë si një segment që është në funksion të grupeve të caktuara”, tha Kryetarja e LSI. Por Kryemadhi theksoi se tashmë nuk mjafton më vetëm denoncimi dhe konstatimi, por se ka ardhur koha e shpalosjes së alternativës së LSI. Kryemadhi tha se LSI ka një Plan Veprimi, që synon që të rinjtë dhe të rejat ta ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri. “Ka ardhur koha që të mbarojmë me idenë e denoncimit. Ka ardhur koha që të shfaqim alternativën. Ka ardhur koha që tu themi njerëzve se çfarë do të bëjmë ne. Ku jemi ne? Ne jemi shumë të qartë në planin tonë të veprimit. Një plan veprimi që e kemi thënë, e kemi promovuar, por tashmë ka ardhur koha të zbërthejmë. Çdo ditë e më shumë radhët e LSI-së shtohen, çdo ditë e më shumë LSi-ja është prezente në jetën politike shqiptare dhe çdo ditë e më shumë roli i saj është i domosdoshëm për të bërë zbërthimin e alternativës së saj, atë alternativë që ne mendojmë se është shumë e rëndësishme. LSI-ja, duam apo nuk duam, kudo është për partia e të rinjve, sepse në thelbin dhe boshtin e saj kryesor ka të rinjtë dhe të rejat. 70% e bazës së saj janë të rinjtë dhe të reja. Po të shikosh në këtë sallë, mbi 80% e sallës janë të rinj dhe të reja. Kështu që detyra jonë është që ti ofrojmë këtyre të rinjve dhe të rejave Shqipërinë që ta kenë si shtëpinë e tyre, që ëndrrat e tyre, dëshirat e tyre ti realizojnë në vendin e tyre”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.