OST, me anë të këtij projekti kërkon të kontraktojë një kompani private kineze për të bërë riparime në rrjetin e transmetimit me paratë e saj dhe më pas do të shlyhet nga shteti për 15 vjet. Edhe pse kjo është një praktikë e njohur e PPP-ve, OST e mohon.
Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka paraqitur një projekt të dyshimtë në Ministrinë e Energjisë. Ajo kërkon të realizojë 100 milionë euro investime në rrjet përmes një procedure që shmang Prokurimet Publike. Procesi ka nisur zyrtarisht në datën 28 dhjetor 2018, nga ish- administrori i OST, Klodian Gradeci që u shkarkua pas skandalit të “DH Albania”. Por edhe pse drejtori u shkarkua, projekti vazhdon të presë miratimin e Ministrisë së Financave dhe asaj të Energjisë.
“Procedura, e cila kërkohet të ndiqet nuk është PPP, por do të realizohet nëpërmjet marrjes së një huaje tregtare (pa garanci sovrane) nga të tretë, hua e cila do të sigurohet nga kompania, e cila do të fitojë edhe realizimin e këtij investimi”, thotë OST-ja.
Pra privati do të marrë 100 milionë euro hua në bankë me interesa të larta tregtare, do të bëjë po vetë punimet dhe në fund shteti shqiptar do të shlyejë faturën.
Por çfarë qëndron pas projektit? Top Channel ka mësuar se bëhet fjalë për nje kompani kineze, e cila vjet ka patur kontakte të vazhdueshme me OST-në dhe madje ministrinë e energjisë. Madje është kjo kompani, e cila ka bërë studimin e rrjetit duke përcaktuar, pikat se ku duhet ndërhyrë dhe faturën e investimeve.
Mbetet e paqartë nëse Ministria e Energjisë do të vazhdojë me procedurën kontroverse, e cila ngjan me një koncesion të ri me vlerë 100 milionë euro./Tch