. Projekti me kosto të fryrë synon të gjejë kompaninë që do të rehabilitojë rrugën për 1 vit e gjysmë.
Bashkia e Tiranës hap tenderin e dytë për riparimin e Bulevardit Zogu i Parë. Projekti me kosto të fryrë synon të gjejë kompaninë që do të rehabilitojë rrugën për 1 vit e gjysmë.
Bulevardi “Zogu i Parë” i cili fillon nga Sheshi Skënderbej deri tek ish-Stacioni i Trenit do t’i nënshtrohet së shpejti rehabilitimit. Bashkia e Tiranës ka hapur zyrtarisht procedurat e tenderimit për zbatimin e këtij projekti, por ajo që bie në sy është fondi i vënë në dispozicion, 708 milionë lekë. Bëhet fjalë për 600 metra rrugë, në të cilën parashikohet riparimi apo rehabilitimi i saj. Pra, projekti i kërkuar nga Erion Veliaj, parashikon ndërhyrje për përmirësimin e shtresave rrugore, trotuareve, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të shiut, ndriçimin rrugor e gjelbërimin dhe me një llogaritje të thjeshtë, del se kosto e rrugës për 1 km mbërrin në 12 milionë dollarë. Pra, për një rrugë, e cila ndryshe nga Unaza e Re nuk ka as vepra arti, dhe as tunele e mbikalime, shuma duket të jetë marramendëse.
Projekti
Operatorët ekonomikë të interesuar do të mund të dorëzojnë kërkesat për pjesëmarrje brenda datës 11 prill, ndërkohë që kohëzgjatja e kontratës është përcaktuar 18 muaj kalendarikë nga firmosja e saj. Nga detajet e investimit, grafiku i punimeve përfshin një sërë ndërhyrjesh në të gjithë gjatësinë e bulevardit. Më konkretisht, do të bëhet rivendosja e shtresave rrugore, si dhe vendosja e pesetave në të gjitha pikat e nevojshme. Projekti përfshin edhe riparimin dhe zgjatimin e pjesës së sipërme të shkallëve duke krijuar një hyrje më të përshtatshme për Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Po ashtu, do të bëhet edhe kanalizimi i ujërave të bardha me standardet bashkëkohore. Gjelbërimi njëkohësisht do t’i kushtohet një rëndësi e madhe, ku propozohet çrrënjosja e pemëve ekzistuese dhe mbjellja e pemëve të reja, që do të jenë kryesisht pjesë e florës vendase të Shqipërisë. Po ashtu, parashikohet vendosja dhe instalimi i rrjetit elektrik përgjatë gjithë bulevardit me ndriçues të llojeve të ndryshëm. Në zona të ndryshme të këtij të fundit do të përdoren edhe stola të njëjtë me ato që janë vendosur në Sheshin “Skënderbej.” Ndërkohë, projekti parashikon edhe rregullimin e të gjitha fasadave përgjatë bulevardit si dhe krijimin e katër shesheve të reja si dhe një shatërvan. Ndërsa, është propozuar edhe krijimi i një hapësire të posaçme edhe për biçikletat. Më herët, kryebashkiaku Erion Veliaj është shprehur se ky bulevard do të kthehet në një rrugë shopping-u, e ngjashme me Pazarin e Ri. Kujtojmë se në këtë bulevard 2 vite më parë janë bërë ndërhyrje, në mesin e tij përmes shtrimit të korsisë së biçikletave, por ky investim tashmë po rezulton pa leverdi, pasi paratë e taksapaguesve të Tiranës duhet të hidhen edhe njëherë nga e para për ambicien e kryetarit të Bashkisë. Por ky nuk është projekti i vetëm në planet e bashkisë, që vjel kaq shumë pará. Një tjetër projekt për rehabilitimin e fasadës së një pallati në kryqëzimin e rrugës së Dibrës me Unazën e Vogël, do të kushtojnë plot 32 milionë lekë. “Ky objekt ndodhet në kryqëzimin e Unazës së Vogël me rrugën e Dibrës në qendër të Tiranës dhe ka si qëllim harmonizimin e tij me mjedisin përreth. Fasada e këtij objekti është e amortizuar dhe në pjesë të veçanta e dëmtuar. Projekti parashikon unifikimin e fasadës me ndërhyrje në riparimin dhe lyerjeve e fasadës. Kjo ndërhyrje do të kryhet duke ruajtur arkitekturën ekzistuese të objektit”, shkruhet në përshkrimin e investimit. Pra, vetëm boja e pallatit do të kushtojë 32 milionë lekë. Kujtojmë se vetëm 3 javë më parë një tender për fasadat dhe rregullimin e hapësirave të vogla në kryeqytet, kushtoi plot 52 milionë lekë. Bashkia e Tiranës ka shpallur tenderin në fund të dhjetorit, ndërsa shpalli në mes të shkurtit fituesin. Bëhet fjalë për kompaninë Aurora Konstruktion, e cila ka fituar garën përballë dy operatorëve të tjerë, të cilët janë skualifikuar për shkak të mosplotësimit të disa kritereve teknike, ndërsa shpallja e fituesit shënjohet me redflag (flamur të kuq). Skualifikimi nga gara i konkurrentëve, në praktikën e prokurimeve konsiderohet një ngjarje ose rrethanë që tregon një shqetësim apo ekspozim mbi rrezik potencial të pajtueshmërisë ligjore për sjellje të paligjshme ose joetike të biznesit, veçanërisht në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve anti-korrupsion. Më tej, bashkia synon të investojë edhe për rikonceptimin e parkut Rinia (parqe, shkallare, sheshe pushimi etj) dhe për rikonceptimin e kopshtit zoologjik pranë liqenit artificial në një sipërfaqe 5 hektarë. Shpenzimi për të dy projektet së bashku do të jetë mbi 900 milionë lekë (8.2 milionë dollarë). Në kopshtin zoologjik, bashkia do të investojë 750 milionë lekë dhe ndërhyrja konsiston në rikonceptimin e tij, për ta bërë sa më atraktiv për të gjitha grupmoshat. “Punimet që parashikohet të kryhen janë ndërhyrje rehabilituese në godinat ku janë të vendosura kafshët për t’i kthyer në ambiente të përshtatshme sipas normave dhe standardeve që kërkon një kopsht zoologjik, ndërhyrje për pastrimin e mini-liqeneve dhe rikompozim i tyre, punime në sipërfaqet e gjelbra duke i kompletuar me të gjithë elementet e nevojshëm të mobilimit urban, si stola, kosha; punime për rrjetin e ndriçimit, etj”, shkruhet në relacion./shekulli.com.al/Neritan Gjergo