Tetori 2018 si afati i vendosur nga kryeministri Edi Rama për të nisur fluturimet “fluturoi” para avion duke lënë shumë pikëpyetje për ecurinë e kësaj kompanie.
Air Albania zhduket përsëri. Linja ajrore nën emrin shqiptar që sipas premtimeve të qeverisë Rama do të ngrihej në qiell disa muaj më parë vijon të jetë një fantazmë. Pas prezantimit me bujë në verën e vitit që shkoi të avionit të parë, i cili bëri disa udhëtime provë Tiranë- Stamboll avioni u parkua në Turqi për të pritur licencimin.
Por sapo mediat nisën të hedhin dyshime për problemet në licencimin e kësaj kompanie ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku doli në Rinas pranë avionit me mbishkrimin Air Albania dhe deklaroi se për 10 ditë do të merrej licenca e fluturimit.
Balluku njoftoi firmosjen e marrëveshjes financiare, mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë Turkish Airlines dhe premtoi se “Air Albania ka kaluar nëpër fazat që kërkohet për t’u certifikuar, për të arritur sot në konkludimin e marrëveshjes financiare mes palëve e cila hap dritën jeshile për certifikimin e kësaj kompanie nga autoritetit civile, gjë që do të ndodhë brenda një jave ose 10 ditëve”. Ishte data 15 shkurt kur u bë kjo deklaratë dhe akoma kjo kompani nuk e ka marrë licencën e fluturimeve as për fluturimet drejt Turqisë, ku është e vendosur dhe kompania mëmë Turkish Airlines. Disa fluturime që avioni Air Albania ka bërë i ka pajisur qytetarët shqiptarë me bileta që mbajnë mbishkrimin Turkish Airlines.
Problemet me çertifikimin, çfarë nuk thotë Balluku
Balluku, ish drejtoreshë e Albcontrol, kompani shtetërore shqiptare që është aksionere në kompaninë Air Albania tha se kësaj kompanie i duheshin vetëm 10 ditë për t’u certifikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil.
Ndërkohë burime pranë Aviacionit Civil thanë se procesi i certifikimit mund të kërkojë 1 deri në 3 vite kohë. Për të plotësuar të gjitha kriteret e licencimit kompanisë i duhet shumë punë administrative. Së pari, duhet të plotësojë dhe dorëzojë disa manuale fluturimi që prej 1-2 mijë faqe secili. Edhe nëse autoriteti shqiptar do të kishte “vullnetin” për t’i përshpejtuar këta hapa do të ishte e kotë pasi çdo certifikim duhet të kalojë në zyrat europiane, ku nuk hyn në punë as vullneti politik i Ramës e Ballukut dhe as emri prestigjioz i Turkish Airlines.
Pavarësisht afateve publike të tyre që janë tejkaluar kompania shtetërore ajrore nuk është pajisur akoma me lejen e fluturimeve, përveç fluturimeve dhuratë që ofroi qeveria në verë si pjesë e promovimit të saj. /Mapo/