Dita e Verës simbolizon ardhjen e pranverës dhe festën që mbahet për t’iu gëzuar natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri, e cila sipas kalendarit Gregorian, përkon me datën 14 mars.
Dita e Verës e ka zanafillën në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila në kulturën pagane ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e te gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 Marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon qytetin e Elbasanit, por gjithsesi ka qenë një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.
Por cilat janë disa nga traditet e kësaj feste:
Ballokumja
Ballokumja është gatimi tradicional që karakterizon këtë festë. Kjo lloj ëmbëlsire është tradicionale e Elbasanit, receta e së cilës është ruajtur prej vitesh nga gjyshet tona. Megjithatë shumë prej familjeve që nuk mund ta bëjnë dot, e blejnë atë mjafton që ta dinë se ka ardhur nga Elbasani.
Verorja
Tradita e vendosjes së verores në kyçin e dorës është ndjekur prej vitesh. Verorja vendoset një ditë para Ditës së Verës, pra më 13 mars dhe hiqet kur shihet dallëndyshja e parë për t’u varur në degë. Shumë familje këndojnë edhe këngë ose vargje gjatë vendosjes së verores.
Vezët me ngjyrë
Kjo është një traditë e festës së Pashkës, mirëpo në zona të ndryshme të Shqipërisë në Ditën e Verës bëhen vezët me ngjyra të ndryshme. Fëmijët luajnë duke i “goditur” njëri me tjetrin për të parë se kush është më “i fortë”.
Kulaçi me lek
Gjatë drekës së 14 Marsit, ndahet edhe kulaçi mes pjesëtarëve të familjes për të parë se kujt do t’i qëllojë leku që është vendosur brenda tij. Leku simbolizon mirëqenie dhe mbarësi.