Bashkia e Durrësit nga ana tjetër thotë se rritja e çmimit do të ketë efekte në përmirësimin e shërbimit dhe cilësisë në linjat e transportit urban në qytetin bregdetar.
Pas atyre të Tiranës, banorët e Durrësit do të jenë të radhës që do të përballen me rritje të çmimit të biletës për transportin urban. Në mbledhjen e fundit, Këshilli bashkiak vendosi çmimin 40 lek për biletë.
Bileta e shërbimit u rrit me 10 lekë në mbledhjen e 11 marsit të Këshillit bashkiak, ku votat e PS-së e një pjesë të këshilltarëve të LSI miratuan propozimin e Bashkisë.
Rritja e biletës ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e operatorëve në qytetin bregdetar me argumentin se nuk mbulojnë dot kostot. Por propozimi i Bashkisë duket se nuk është konsultuar.
Qytetarët veç mungesës së informacionit flasin edhe për kosto sociale që mund të shkaktojë rritja e çmimit për një shërbim publik.
“Pa punë janë, rriten çmimet”. “Nuk e përballojmë ne, mezi po hamë bukë”, janë reagimet e qytetarëve durrësakë.