Bëhuni gati! Cmimi naftës rritet përsëri

0
325

Çmimet e naftës kanë shënuar rritje ditët e fundit, pasi kishin rënë dy herë radhazi. Në pikat kryesore të shitjes me pakicë të karburanteve, nafta është shtrenjtuar me pesë lekë për litër.

Në pikat e Kastratit, operatori më i madh në treg si i shumicës, ashtu dhe pakicës, nafta shitet me 176 lekë për liteër, nga 171 që ishte më parë, ndërsa benzina tregtohet me 177 lekë, nga 172 që tregtohej më parë.

Eida Petroleum e tregton naftën dhe benzinën përkatësisht me 175 dhe 176 lekë për litër, me një shtrenjtim prej 5 lekë për litër.

Kjo është hera e parë që çmimet e naftës marrin kthesën rritëse muajt e fundit, pasi ishin ulur dy herë radhazi me nga pesë lekë për litër, duke zbritur nga niveli prej 182-183 lekësh, më i larti që nga viti 2012, teksa nafta në bursa kërceu në 80 dollarë për fuçi në mes të vitit të kaluar. Më pas teksa nafta ra në bursa në 50 dollarë për fuçi, çmimet në tregun vendas ranë në 171-173 lekë, ku ndryshimi i fundit në kahun rënës ishte në janar.

Operatorët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore lidhet me shtrenjtimin e naftës në tregjet e huaja.

Në bursat ndërkombëtare, treguesi referencë i naftës Brent është rritur në 67 dollarë aktualisht, nga rreth 50 dollarë që ishte në janar.

Shqipëria mbetet një nga vendet me karburantin më të shtrenjtë në botë, duke u renditur ndër 20 vendet me çmimet më të larta, sipas të dhënave të Global Petrol Price.

Taksat e larta që paguajmë për naftën, të cilat përbëjnë rreth 60% të çmimit, janë arsyeja kryesore për shtrenjtësinë e saj. Në Shqipëri nafta taksohet si vijon: Akciza, 37 lekë për litër; Taksa e qarkullimit, 27 lekë për litër; Taksa karbonit, 3 lekë për litër. Krahas tyre, vitet e fundit në kosto janë përfshirë dhe tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila, dhe taksa e rilicencimit prej 3 lekë/litër. TVSH totale i arrin 30-40 lekë për litër.

Marre nga monitor

Titulli redaksional

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here