Meqë jemi në stinën e gazeve….!!! Ja shiko si thotë dhe TV që 2+2=5…

0
138

Meqë jemi në stinën e gazeve, nuk është gazi lotsjellës i protestave ai që po dëmton më shumë, por një efekt tjetër që quhet “Ndriçimi i gazit” (gaslighting) që në fakt s’ka lidhje me ndonjë gaz specifik, përveç emrit.

Termi “Gaslighting” i referohet momentit kur dikush të manipulon deri në pikën kur ti vendos në pikëpyetje realitetin tënd që është prodhuar nga shqisat e tua. Ai rrjedh nga një film shumë i vjetër me të njëjtin titull. Procesi i gaslighting konsiston në goditjen e kollonës kryesore të perceptimit tënd që është informacioni direkt që ti merr nga shqisat e tua, pra ajo që sheh, ajo që dëgjon, ajo që jeton, apo dhe parimet bazë të logjikës – aritmetika e thjeshtë, dijet bazë etj.. Ti bombardohesh me kundërshtì të fortë dhe të shpeshtë deri në pikën që ti vendos në diskutim veten tënde.
2+2=4
– Joo 2+2=5, e di gabim, ja shiko si thotë dhe TV që 2+2=5. Dhe shifrat që kanë dalë nga institucionet thonë që 2+2=5. Madje mund të lexosh dhe raportin e ndërkombëtarëve dhe ai thotë që 2+2=5.

Unë këtë term e kam hasur për herë të parë kur lexoja për teknikat aetike të shitjeve dhe gjenezën e kishte nga postulati i Makiavelit tek “Princi” i cili thoshte pak a shumë – Nëse të duhet të gënjesh dikë, thuaje gënjeshtrën fort, përsërite shpesh dhe fol me siguri të plotë, kështu viktima do të fillojë të dyshojë tek ajo që ka parë apo ka dëgjuar, madje mund të fillojë të dyshojë dhe në shëndetin e vet mendor.”

Realiteti i gjithësecilit është produkt i perceptimit të tij. Ndryshoju perceptimin, iu ke ndryshuar realitetin. Trik i thjeshtë kartezian.

Efiçenca matematike e propagandës së Rilindjes sot është bazuar thellësisht në gaslighting.
“Kemi ulur taksat për 97% të popullsisë” – ndërkohë që në realitet taksat janë rritur për 100% të popullsisë, madje disa herë.
“Në 2012 Shqipëria prodhonte më shumë hashash se në 2016, po atëherë s’bëhej publike” – ndërkohë që në Shqipër në 2016-2017 u mboll gjithë vendi me hashash.
“E morëm buxhetin në 2013 të rrënuar nga borxhet ndërsa tani është totalisht i disiplinuar.” – ndërkohë që Shqipëria në 2013 kishte borxh 6 miliardë Euro, ndërsa sot ka rreth 8 miliardë Euro borxh dhe situata po shkon me vrap drejt kolapsit.
“Po e kthejmë Tiranën në një qytet të jetueshëm plot parqe e gjelbërim” – ndërkohë që Tirana po kthehet çdo ditë e më shumë në një xhungël betoni, plot ndotje e trafik gati të pajetueshme.

Suksesi i gjithë kësaj metode është tashmë i provuar dhe matematikisht. Janë ende në shumicë njerëzit që për shkak të ketij bombardimi me gaslighting ndryshojnë perceptimin e tyre dhe krijojnë një realitet të ri në mendje, ndryshe nga ai që shohin, dëgjojnë apo jetojnë çdo ditë vetëm prej asaj që dëgjojnë apo lexojnë çdo ditë. Dhe nuk i ndodh vetëm njerëzve që kanë mungesë informacioni apo interesi, nganjëherë efekti ndihet dhe tek ata persona që kanë informacion. Në disa raste dhe unë personalisht kam vënë në dyshim veten time për njohuri apo argumenta që i dija me siguri, vetëm për shkak të këtij efekti.

E pra, nuk është mbytja e gazit lotsjellës ajo që po dëmton realisht njerëzit e këtij vendi, është “ndriçimi” i gazit ai që po i mbyt ata realisht.
Sepse gaslighting është si kanceri, s’i është gjetur ende kura. Dhe kjo më tmerron, sepse personalisht nuk di si dilet nga ky qerthull..

Pano Soko

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here