Nga Akil Kraja
Përtej situatës ekonomike dhe skandaleve të keq-qeverisjes, kriza politika që po kalon vendi mund të përmblidhet në një pikë të vetme. A mundet një pakicë parlamentare, nëpërmjet djegies së mandateve, të rrëzojë një qeveri të zgjedhur për një mandat katër vjeçar dhe të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme?
Përgjigja është qartazi po! Një pakicë parlamentare mund të rrëzojë një qeveri.
Akti i djegies së mandateve e fuqizon demokracinë pasi rrit frekuencën e konsultimit të elektoratit. Demokracia direkte, si një ndër format më të avancuara të sistemeve politike, nënkupton pikërisht këtë gjë : një konsultim sa më të shpeshtë të sovranit votues, qoftë nëpërmjet referendumeve apo zgjedhjeve të pjesshme. Demokracia përfaqësuese në krahun tjetër bazohet në një premisë negative. Nisur nga pamundësia materiale për të promovuar një demokraci direkte me referendume dhe zgjedhje të shpeshta, sovrani pranon të zgjedhë me një frekuencë të caktuar disa individë si përfaqësues të tij në nivel qendror e lokal.
Në variantin e parë, sovrani vendos me votën e tij. Në variantin e dytë, sovrani delegon të drejtën e vendimmarrjes së tij. Në këtë sens, nëse djegia e mandatit i rikthen sovranit mundësinë për të vendosur vetë, atëherë ky është një akt demokratik. Dhe është pikërisht ky objektivi i opozitës shqiptare, që Shqipëria të bëhet një vend sa më demokratik. Opozita beson se një sistem demokratik prodhon paqe sociale, emancipim politik dhe zhvillim ekonomik. Këtu është burimi i çdo stabiliteti. Ndërkohë e kundërta nuk është e vërtetë : stabiliteti jo gjithmonë prodhon demokraci.
Vendet e lindjes se mesme mund të kenë një ekonomi dhe një situatë të brendshme shumë stabël, por nuk janë demokratike. Situata e jashtëzakonshme që po kalon Franca së fundmi na mëson gjithashtu që është pikërisht mungesa e konsultimeve adekuate, pra mungesa e demokracisë konsultative, ajo që solli instabilitet. Ndërkohë Zvicra ka zhvilluar 10 referendume gjatë vitit 2018 (përfshi një referendum mbi aplikimin e të drejtës ndërkombëtare) çka nuk rezulton të ketë prodhuar kriza të njëpasnjëshme, përkundrazi…
Në këtë llogjikë, djegia e mandateve dhe kalimi në zgjedhje të parakohshme me qëllim ri-përcaktimin e një shumice parlamentare, duhet lexuar si një akt demokratik i cili mbështetet në shembuj të shumtë.
Momenti i parë: Në një sistem mazhoritar të pastër, si në Angli, nëse një deputet vdes ose jep dorëheqjen, territori i mbuluar nga ky deputet kalon automatikisht në zgjedhje të pjesshme (by-elections) pavarësisht kalendarit elektoral kombëtar apo shumicës qeverisëse. Në disa raste specifike, zgjedhjet e pjesshme të mund të ndryshojnë dhe raportet mes grupeve parlamentar apo dhe vetë fatin e ekzekutivit. Kjo ka ndodhur nën qeverisjen e Kryeministrit Mayor në vitet 90. Në SHBA, gjatë zgjedhjeve të pjesshme të vitit 2010, votimi i një senatori të vetëm Republikan i mundësoi kësaj force arritjen e kufirit për të bllokuar ekzekutivin me praktikën e “filibuster”. Fakti se dhe 1 (një) deputet i vetëm mund të rrëzojë/bllokojë një qeveri, dëshmon një nivel të lartë demokratik. Në këto raste, parlamenti primon mbi ekzekutivin pasi reflekton pasqyrën elektorale më të përditësuar të vullnetit të sovranit.
Momenti i dytë: kushtetutat perëndimore, përfshi atë shqiptare, i njohin sovranit të drejtën të shprehet me referendum edhe nëse këtë gjë e kërkon një “pakicë”. Në Angli, mjaftojnë 100.000 firma, dhe nëse rezultati është kundra ekzekutivit, ky mund të rrëzohet dhe vendi të kalojë në zgjedhje të parakohshme. Kjo ka ndodhur me Charles De Gaulle pas referendumit të vitit 1969 si dhe me David Cameron dhe Mateo Renzin pas referendumeve ne Angli e Itali në 2016. Pra sovrani mund të thirret në çdo moment të votojë, dhe nëse vota e tij është kundra qëndrimit të ekzekutivit, atëherë ky i fundit duhet të ndryshojë. Kjo është fryma e një demokracie realisht përfaqësuese e cila vendos sovranin votues mbi çdo shumicë parlamentare, dhe për pasojë, mbi çdo ekzekutiv.
Momenti i tretë: mandati i ekzekutivit mund të jetë më i shkurtër se periudha e legjislaturës për të cilën është votuar. Është pikërisht kjo që ndodhi në prill të 2017 kur Theresa May kërkoi zgjedhje të parakohshme (snap elections) për të rikonfirmuar qeverinë e saj. Në Itali, prej vitit 1946 e deri në momentet që flasim, janë ndërruar plot 67 qeveri (ose mesatarisht 1 çdo vit) pavarësisht faktit se legjislatura italiane zgjat pesë vite dhe zgjedhjet janë zhvilluar normalisht. Ndërkohë Belgjika në vitin 2011 mbeti plot 1 (një) vit pa qeveri për shkak të mungesës së një shumice parlamentare solide. Pra është parlamenti ai që përcakton kohëzgjatjen dhe termat e ekzekutivit dhe jo e kundërta. Kjo pasi regjimi parlamentar bazohet mbi premisën që legjitimiteti i ekzekutivit vjen si shkak i votë-besimit të tij nga një parlament zgjedhur drejtpërsëdrejti nga sovrani. Dhe është pikërisht për këtë arsye, që mandati i një ekzekutivi mund të ndërpritet me herët nëse kompozimi i përfaqësimit të sovranit në parlamentit ndryshon.
Por le të kthehemi në rastin shqiptar dhe mbi djegien e mandateve.
Nisur nga fakti që jemi në një sistem proporcional rajonal, pas shterimit të kandidatëve rezervë, zgjidhja e vetme “demokratike” është që në Shqipëri të organizohen, sipas radhës, 12 zgjedhje legjislative të pjesshme në secilin “rajon” – çka nënkupton zgjedhje të parakohshme të përgjithshme. Kjo është një praktikë demokratike që do të prodhonte stabilitet në vend. Ashtu siç kushtetuta i garanton çdo individi lirinë që të kandidojë për një pozicion të zgjedhuri, e njëjta kushtetutë i garanton çdo të zgjedhuri mundësinë që të ri-ballafaqohet me sovranin që e ka votuar atë në mënyrë që parlamenti të jetë sa më besnik i vullnetit të tij në terma numerikë dhë përmbajtësorë.
Këto zgjedhje “të pjesshme” po marrin formën e një referendumi mbarë kombëtar. Kjo legjitimon jo vetëm ndërprerjen e parakohshme të qeverisjes Rama, por dhe do t’i mundësonin qeverisë së re, një mandat solid dhe të qartë në zbatimin e reformave jetike për vendin përtej zbatimit të programeve ideologjike bazë. E kam fjalën këtu për shembull për jetësimin e “vetingut në politikë” apo hapjen e një kantieri redaktimi të një “kushtetute të re”. Qëndrime këto të dyja të kundërshtuara nga ekzekutivi aktual por të mbështetura masivisht nga opinioni publik…
Në mbyllje, pavarësisht shtetësisë apo misionit ndërkombëtar që përfaqëson, çdokush që ka frikë nga një proces elektoral që i jep shansit sovranit të vendosë, apo që ka frikë nga jetësimi i standardeve perëndimore në Shqipëri, dëshmon se nuk beson se demokracia është një zgjidhje për vendin tonë. Çdokush që mendon se rasti shqiptar do të krijonte një precedent negativ rajonal, duhet të pranojë që ofron një alternativë më të pakët se “standardi demokratik”. Dhe është pikërisht këtu burimi i konfliktit : shqiptarët kërkojnë të njëjtat garanci zgjedhore si në çdo vend europian, asgjë më pak…