Analisti Lubonja thirrje për presidentin Meta: Reago për gjendjen politike ku ndodhen shqiptarët!

0
137

Meta duhet të reagojë edhe për ato gjëra që fliten për Shqipërinë, për trafikun e drogës që bëhet në vend, për pastrimin e parave që bëhet me kullat në kryeqytet, u shpreh Lubonja.

Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Opinion” në “News 24” foli për deklaratat dhe rolin e presidentit të Republikës Ilir Meta. Lubonja tha se Meta duhet të mos qëndrojë aq mbi palët, por të reagojë për situatën politike që po kalon Shqipëria.

“I kam ndjekur deklaratat e presidentit të Republikës Ilir Meta. Mendoj se Meta duhet të reagojë më shumë për situatën në Shqipëri. Jemi mësuar që presidenti qëndron mbi palët dhe aktualisht kreu i shtetit po bën këtë rol. Mirëpo, mendoj se në këtë situatë ku ndodhet Shqipëria, Meta duhet të reagojë edhe për ato gjëra që fliten për Shqipërinë, për trafikun e drogës që bëhet në vend, për pastrimin e parave që bëhet me kullat në kryeqytet. Kjo sepse presidenti Meta, duke qenë në këtë pozicion ka informacione edhe nga shërbimet sekrete dhe di më shumë për situatën. Mendoj se duhet të reagojë për gjendjen ku ndodhen shqiptarët”, tha Lubonja.

Fatos Lubonja shtoi se fjalimi i Edi Ramës tek sulmon opozitën dhe mediat si dhe përmendja e Ilir Metës janë simptoma të një krize që ka kapluar kryeministrin.

“E pashë deklaratën e tij mbi gazetarët dhe atë që deklaroi për presidentin Meta. Ishte një delir, i një njeriu që bën deklarime të pamatura. Quajti derra gazetarët në një kohë, që disa gjëra që mediat thonë janë të vërteta. Shqipëria u mbush me kanabis dhe këtu bëhet pa fund pastrim parash. Këtu është ngritur një sistem kriminal. Ndërkohë, përmendi edhe presidentin Meta. Mendoj se gjendja ka arritur në pikën që kreu i shtetit duhet të reagojë për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria”, u shpreh Lubonja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here