Analiza: “A po bëhet Rama diktator?”.

0
195

 

Nga Endri Shabani

Ishte një mbasdite normale e vitit 2003. Unë, ende një adoleshent, po sorollasja librin e fizikës nga njëri cep i dhomës në tjetrin, duke nxjerrë njëmijë justifikime për të mos bërë detyrat e shtëpisë. Në këtë moment më vjen një mesazh në celular: “Jam Edi Rama. Kur do takohemi?”.

Pak ditë më parë, kryetari i bashkisë kishte ardhur në shkollën Harry Fultz, dhe unë, i bezdisur nga servilizmi i zakonshëm në këto takime, u ngrita dhe e akuzova se Bashkia që ai drejtonte nuk kishte bërë asgjë për të rinjtë. Solla shembullin tonë, një grupi të rinjsh që patëm themeluar një gazetë rinore, por që autoritetet vendore, në vend që të na mbështesnin, ishin vënë në konkurencë kush e kush të na pengonte më tepër.

Dy ditë më vonë ne, një tufë adoleshentësh, u gjendëm në një zyrë madhështore, ulur përballë një njeriu të madh fizikisht, të vendosur, të qetë dhe të plotfuqishëm. Pasi dëgjoi ankesat tona, nxori telefonin dhe bëri disa telefonata. Pak minuta më vonë të gjitha vështirësitë tona të deriatyshme ishin zgjidhur si me magji. Kaq. Disa telefonata, pesë minuta, dhe të gjitha problemet, për të cilat ne ishim sorollatur prej muajsh dyerve të institucioneve nuk ishin më.

Mu kujtua ky episod kur mu kërkua të shkruaj nëse ka rrezik që Shqipëria të rikthehet në autokraci. Një pyetje që, nisur nga rrethanat, mund të shtrohet edhe “A po bëhet Rama diktator?”. Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje duhet të analizojmë sa Ramën aq edhe Shqipërinë. Ose e thënë ndryshe kërkesën dhe ofertën për autokraci.

Nga pikëpamja e ofertës, liderët autoritarë kanë të paktën tre trajta të përbashkëta në sjelljet e tyre: a) armikun e popullit b) fuqinë e liderit c) mungesën e kontrollit.

Si fillim liderët autoritarë kanë nevojë për të identifikuar një armik të popullit, dhe kur nuk ka, e sajojnë. Në kohën e luftës së ftohtë armiqtë e partisë ishin anglo-amerikanët, ndërsa në tregun politik të kohës së sotme është Rusia, të cilën Rama nuk ka vonuar ta zgjedhë. Duhet sqaruar se rreziku nuk duhet paraqitur si kërcënim për liderin, por si rrezik për vendin, prandaj quhet “armik i popullit”. Kështuqë, Rusia nuk rrezikon pushtetin e Ramës, por Shqipërinë, duke e penguar atë drejt anëtarësimit në BE. Sigurisht që Rama (madje as edhe Veliaj) nuk ka nevojë ta besojë vërtet se protestat e opozitës vendosen në Moskë, por mjafton që votuesit e tij të besojnë se këtu ka një rrezik real kombëtar.

Së dyti, pasi kanë zbuluar “armikun e popullit”, liderët autoritarë marrin rolin e heroit. Pra ata, dhe vetëm ata, mund ta shpëtojnë popullin nga rreziku që i kanoset, sepse ata, dhe vetëm ata, mund t’i bëjnë ballë “armikut të popullit”. Në këtë pikë, bëhet e domosdoshme për liderin autoritar që elektorati ta perceptoj si të fortë (kujdes! Liderin, jo shtetin). Prandaj njëherë e një kohë pushteti projektohej përmes paradave ushtarake, ndërsa sot me anti-mitingjet madhështore si ato në Vlorë e Tiranë. Por gjithashtu duhet të vihet në pah edhe karakteri i pathyeshëm (si shkëmb graniti) i liderit që nuk dorëzohet përballë kërcënimeve. Prandaj, ta marrë vesh bota mbarë që “zgjedhje të parakohshme nuk ka!” edhe që “Teatrit do i vëmë kazmën!”.

Së treti, liderët autoritarë sigurohen të çmontojnë çdo mekanizëm kontrolli mbi ta. Në këtë pikë sulmohet gjyqësori, zgjedhjet dhe media. Të treja këto janë element thelbësorë në demokracitë kushtetuese perëndimore. Prandaj, nuk ishte pa rëndësi që në diktaturën e shkuar nuk kishim as media të lirë dhe as gjyqësor të pavarur, ndërsa zgjedhjet shërbenin sa për aerobi popullore. Nuk është as rastësi që në të gjitha vëndet që po rrëshqasin drejt autoritarizmit (si Polonia, Turqia apo Hungaria) janë sulmuar pikërisht mediat dhe gjyqësori. Në shumë raste, gjyqësori dobësohet përmes reformave që në dukje synojnë fuqizimin e tij, por në praktikë e paralizojnë atë, ose e vendosin në varësi të liderit. Në Turqi Erdogani i pushoi gjyqtarët nga puna se ishin “puçistë”, ndërsa në Poloni i nxorën në pension të parakohshëm. Në Shqipëri besoj se ti e di më mirë se unë se c’po ndodh, kështuqë po të lë ta gjykosh vetë. Ndërsa, përsa i përket mediave, nuk është e thënë që të sulmohen gjithmonë, mjafton që të mos jenë të pavarura. Sigurisht kjo arrihet me plumba në shtëpinë e gazetarëve, por edhe me tendera në vilat e pronarëve. Dhe për të qënë plotësisht të sigurt që ata nuk kanë asnjë peshë në opinionin publik, është e nevojshme edhe të delegjitimohen një e nga një të gjithë “kadrinjtë”, dhe “kazanët” e tyre.

Sa për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, le t’ia lëmë këto analiza Niçes, sepse nuk kërkojnë shumë filozofi. Por ama ka një element të përbashkët mes autokratëve që qeverisin regjimet hibride, dhe është dobësimi i opozitës me çdo mjet. Pra, e lejojnë opozitën aq sa të ekzistojë, por e paralizojnë në atë pikën që ajo nuk mund të vijë dot më kurrë në pushtet.

“Mirë mo” – do thua ti – “ja të besuam që Rama ka tendenca autoritare, por nuk gjen mbështetje në popull”.

Në një studim të kohëve të fundit të Fondacionit gjerman FES, kemi analizuar pikërisht terrenin social-ekonomik në vend dhe perspektiva nuk është aq optimiste saç mund ta mendosh.
Përveç arkitekturës institucionale dhe ligjore që nuk arrin ta limitojë pushtetin e liderit autoritar (siç ndodh në demokracitë kushtetuese perëndimore), kemi vënë re që liderat autoritarë në Shqipëri kanë terren politik tepër pjellor. Kjo fillon me tendencën e popullit për të vlerësuar disiplinën mbi lirinë, dhe vazhdon me mungesën e kohezionit social mes shqiptarëve, duke bërë që njerëzit të mos e besojnë njëri tjetrin dhe për pasojë të mos mobilizohen kundër liderave të korruptuar.

Një gjetje shqetësuese e studimit ishte se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve i shohin popujt fqinj si rrezik potencial, dhe kanë qëndrime jotolerante ndaj grupeve të caktuara sociale, si homoseksualët. Ky ankth dhe këto qëndrime jotolerante e bëjnë një pjesë të konsiderueshme të elektoratit të ndjeshëm ndaj ligjërimit të preferuar të liderëve autoritarë, siç janë përrallat me rrezik kombëtar dhe armik të popullit.

Së dyti, studimi ka treguar se besimi tek media është në rënie. Për pasojë, ajo nuk e ka fuqinë t’i ushtrojë presion liderit autoritar që t’ia kufizojë abuzimin me pushtetin.

Së treti, besimi tek institucionet, dhe në veçanti tek gjykatat, është jashtëzakonisht i ulët. Kjo bën që nga njëra anë publiku ta presë zgjidhjen nga lideri autoritar, duke i deleguar atij gjithmonë edhe më shumë pushtet. Nga ana tjeter, çdo sulm i liderit ndaj institucioneve të pavarura (si gjykatat), në vend që ta dëmtojë atë politikisht, e fuqizon edhe më tepër, pasi e bën të duket si përfaqësues i zemërimit të qytetarëve. Një ndjeshmëri që shpesh shprehet me shprehjen “A ta lumsha! Ky i vjen hakut k’tyre!”

Së katërti, besimi i qytetarëve tek zgjedhjet është i ulët. Gjë që reflektohet edhe në faktin se më pak se gjysma e shqiptarëve marrin pjesë në votime, duke ia lehtësuar kështu punën liderit autoritar, pasi ai ia del të qeverisë vetëm me ata që përfitojnë nga pushteti, pra me minorancën. Nga ana tjetër kjo mungesë besimi tek demokracia, e bën liderin autoritar të pranueshëm, në mos legjitim. Kjo mendësi shprehet në besimin e një pjese të madhe të publikut se pushtetin në Shqipëri e vendosin ndërkombëtarët: “8 vjet njoni, 8 vjet tjetri”.

Dhe sëfundmi, ka një tendencë të përhapur për t’i atribuar liderit meritat e punëve publike, por ama jo zullumet e pushtetit. Madje një pjesë e konsiderueshme e publikut preferojnë të fajësojnë më mirë popullin se sa liderin për situatën ku ndodhet vendi. Ky mentalitet përfaqësohet më së miri në shprehjen se “uji rrjedh i kulluar nga burimi, por ndotet rrugës”.

Kështu dhe ne, ca adoleshentë që e kishin humbur rebelimin e zakonshëm, po zbrisnim shkallët e bashkisë. Kryetarin e të cilës, vetëm pak ditë më parë e kishim kritikuar jo për atë që ai ishte, por për institucionin që drejtonte. Për një moment kishim rënë në heshtje. Ndoshta po projektonim pafuqinë tonë tek ky njeri i pushtetshëm; ndoshta po mendonim sa mirë do ishte sikur ky lider të kishte më shumë pushtet e të na kishte zgjidhur edhe ca halle të tjera; apo ndoshta po mendonim për institucionet që nuk funksiononin pa një telefonatë nga lartë. Në këtë moment njëri prej djemve kthehet nga unë dhe, me sigurinë e njeriut që i ka dalë fjala, më thotë: “Të thash mo plak që kot i re në qafë atë dite. Ku di gjë ky i madhi se ça bëjnë ata poshtë”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here