Një burrë ka pranuar në gjykatë se ka vjedhur më shumë se 100 milionë dollarë nga gjigandët e teknologjisë Google dhe Facebook.
Evaldas Rimasauskas, nga Lituania kishte shpikur një skemë mashtrimi me anë të së cilës falsifikonte fatura për blerjet që kompanitë nuk i kishin bërë kurrë.
Skema e mashtrimit ishte vënë në funksion për dy vite, 2013- 2015 dhe gjatë kësaj kohe ai kishte arritur të vidhte deri në 122 milionë dollarë.
Kompanitë paguan faturat, pasi në dukje nuk po kontrollonin nëse faturat korrespondonin me të dhënat e tyre.
50-vjeçari pranoi në gjykatë vjedhjet dhe rrezikon dënimin deri në 30 vjet burg.
Skema e mashtrimit
Prokurorët thanë që Rimasauskas arriti këtë skemë duke krijuar një kompani që nuk ekzistonte dhe duke hapur një llogari bankare në Lituani.
Thuhet që ai e ka rregjistruar kompaninë nën emrin e Quanta Computer Inc. me bazë në Tajvan që më parë kishte bërë biznes me gjigandët e teknologjisë kaliforniane.
Paratë e vjedhura, 99 milionë dollarë nga Facebook dhe 23 milionë dollarë nga Google u shpërndanë në llogaritë bankare anembanë botës, duke përfshirë Letoninë, Qipron, Sllovakinë, Lituaninë, Hungarinë dhe Hong Kong.
Ekstradimi
Rimasauskas u ekstradua nga Lituania në SHBA në 2017 dhe sipas dosjes gjyqësore ka pranuar 49.7 milionë dollarë që i ka marrë vetë personalisht nga skema.
Paratë e mbetura rreth 75 milionë dollarë nuk dihet ende se ku janë.