‘Qytetarët nuk mund të bëjnë dot asgjë, kështu që janë organet ligjzbatuese, organet e rendit ato që kanë detyrën kryesore për kontrollin dhe sigurinë e vendit dhe duke qenë të korruptuar e duke mos e ushtruar si duhet detyrën e tyre ndodh kjo situatë ku jemi sot. Sepse qëllimi kryesor i forcave të policisë nuk është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike, qëllimi i tyre sot është të ruajnë klikën e Edi Ramës, të ruajnë dhe t’u shërbejnë trafikantëve të drogës, të shesin sa më shumë dhe të prodhojnë lekë pastaj për qeverinë shqiptare për të vjedhur votat’, u shpreh Silva Caka gjatë intervistës për ‘Ora News’
Pjesë nga intervista e Sekretares së Departamentit Juridik në LSI, Silva Caka për ‘Ora News’
Si e komentoni raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit?
Edhe në raportin e të drejtave të njeriut që nxori DASH përpara pak ditëve ishte e shkruar e zeza në të bardhë që korrupsioni është i shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes së Shqipërisë dhe si përkthehet kjo? Këtë në shifra e ka përkthyer shumë bukur raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që e cilësoi Shqipërinë një ndër 15 vendet më të korruptuara në botë. Dhe korrupsioni i zhvilluar në çdo degë të qeverisjes do të thotë që je një ndër 15 vendet më të korruptuara në botë. Kjo është shumë e qartë dhe nuk ka nevojë për ekuivokë apo shpjegime të mëtejshme. Kur thuhet kjo gjë, çdo shqiptar e kupton mjaft mirë se ku shkojnë paratë e tij. Paratë që hiqen nga xhepat e qytetarëve shqiptarë shkojnë për shpërdorime detyre, për afera korruptive. Korrupsioni për fat të keq nuk është e vetmja kryefjalë e raportit të DASH. Është gjithashtu edhe trafiku i lëndëve njerëzore, trafiku i lëndëve narkotike. Domethënë drogat e të gjitha llojeve nga ato më të lehta tek ato më të rëndat kalojnë në Shqipëri me lehtësinë dhe suportin më të madh të politikës shqiptare dhe të pushtetit. Këtu lind pyetja se çfarë mund të bëjnë qytetarët për ta frenuar trafikun e lëndëve narkotike. Qytetarët nuk mund të bëjnë dot asgjë, kështu që janë organet ligjzbatuese, organet e rendit ato që kanë detyrën kryesore për kontrollin dhe sigurinë e vendit dhe duke qenë të korruptuar e duke mos e ushtruar si duhet detyrën e tyre ndodh kjo situatë ku jemi sot. Sepse qëllimi kryesor i forcave të policisë nuk është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike, qëllimi i tyre sot është të ruajnë klikën e Edi Ramës, të ruajnë dhe t’u shërbejnë trafikantëve të drogës, të shesin sa më shumë dhe të prodhojnë lekë pastaj për qeverinë shqiptare për të vjedhur votat. Ky është misioni më i madh i organeve ligjzbatuese aktualisht në Shqipëri, nuk është as rendi, nuk është as siguria. Madje unë do doja që ta lidhja edhe me ndryshimet që ka pësuar dje ligji për vettingun në Policinë e Shtetit. Janë ngritur dy arsye shumë banale në lidhje me mosefektivitetin e këtij ligji. Në radhë të parë është kostoja. Pra, kjo qeveri paska 20 milion euro për t’i shpenzuar për 1 km rrugë në Unazën e Re dhe nuk paska 3 milion euro për të reformuar 12300 punonjës të Policisë së Shtetit dhe për ta bërë Policinë dinjitoze, ashtu siç duhet të jetë dhe ta vërë atë në shërbim të qytetarëve. Kjo qeveri mund të bëjë gjithçka tjetër me forcat e policisë, i vë ata në shërbim në mbrojtjes së votave për Partinë Socialiste. I vë ato në shërbim të ruajtjes së kanabisit, por nuk i vendoska dot që ata të hetojnë kolegët e tyre dhe në radhë të parë të bëjnë edhe vlerësimin e tyre kalimtar. Ndryshimet është për të ardhur keq që kanë ndodhur, në fakt për një arsye të vetme: Në radhë të parë ai ligj që në momentin që është hartuar dhe që u votua pati edhe një konsensus nga ana e LSI-së. Ju kujtoj që është miratuar marsin e kaluar kur ne kemi qenë në opozitë me PS-në dhe ka marrë miratimin tonë pikërisht për parimin e mirë që kishte që nga momenti që u hodh si ide. Ishte shumë e nevojshme që të bëhej një vetting ose një vlerësim i pasurisë, i integritetit, i profesionalizmit të forcave të policisë, sidomos me atashimin e tyre si njerëz që i shërbenin vetëm krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike. Dhe ky ishte parimi që na bindi edhe ne, edhe pse në opozitë që të jepnim kontributin dhe miratimin tonë për atë ligj. Ne kemi pasur një konsultim shumë të gjerë në atë kohë, qoftë me ICITAP-in, qoftë me PAMECA-n që janë dy organizma që i shërbejnë dhe kanë ndihmuar dhe kontribuar që Policia shqiptare të kualifikohet dhe të ketë standarde të larta ashtu sikurse dhe vendet e tjera, të cilat kanë dhënë një kontribut maksimal për të hartuar atë ligj dhe për ta miratuar atë ashtu sikurse u miratua. Ndryshimet që janë bërë dje, unë gjykoj që përveçse janë për të justifikuar vonesën e procesit të nisjes së vettingut që në fakt duhet të kishte nisur. Ne kishim lënë një afat 2-vjeçar për të bërë gjithë procesin. Ka kaluar 1 vit dhe nuk është bërë asgjë. Madje dhe një komision parlamentar që do duhej të ngrihej për të parë mbarëvajtjen e procesit të vettingut të policisë edhe sot e kësaj dite nuk është ngritur ende dhe nuk i kushton absolutisht asgjë as Kuvendit dhe as qeverisë për të bërë këtë gjë.