Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se kryeqyteti ka nevojë për një godinë të re të Teatrit Kombëtar që plotëson të gjitha standardet ndryshe nga ai ekzistues.
“Do të kemi një Teatër të ri modern që do të zgjasë 100 vite. E kemi testuar dhe nuk ka asnjë vlerë që të riparohet. Kishte kapacitet vetëm për të argëtuar ushtarët dhe nuk ka asnjë vlerë. Sot shumica e veprave në teatër kanë nevojë për një skenë fundore , pra për një hon të madh, ku skena të shkojë poshtë, për atë që quhet oxhak ku skena të shkojë sipër, ka nevojë që të kenë disa ambiente, të kenë një garderobë, të kenë hapësira. Ne do të kemi një teatër të ri por nëse dikush mendon një mendim alternativ siç është opozita duhet patjetër të vijë në 30 qershor e të na tregojë sa vetë”, tha Veliaj.
Veliaj u shpreh se zgjedhjet e 30 qershorit janë edhe referendum më i mirë edhe për vetë opozitën, nëse qytetarët e duan një teatër të ri modern në qytetin e tyre apo do të duan të kenë sërish atë ngrehinë.
“Edhe po të donim një referendum sot do të duheshin 6 muaj ndërkohë që zgjedhje kemi për tre muaj”, deklaroi Veliaj.
Godina ekzistuese e Teatrit Kombëtar pritet të shembet. Projekti i Teatrit të ri Kombëtar është prezantuar në muajin mars të vitit të kaluar nga kryeministri Edi Rama. Pas këtij prezantimi rrodhën shumë debate e protesta të artistëve; takime me kryebashkiakun Erjon Veliaj; dëgjesa publike me Ministren e Kulturës në Kuvend. Pas shumë debateve dhe protestave pjesa më e madhe e artistëve, emra të njohur të skenës si Robert Ndrenika, Alfred Trebicka, Arben Derhemi, Altin Basha, Suela Konjari, Armando Bora e të tjerë, që më parë kishin kundërshtuar me forcë projektin, e pranuan ngritjen e një teatri të ri në themelet e të vjetrit. Pas negociatave me kryebashkiakun Veliaj, artistët kanë shprehur publikisht pëlqimin e tyre për teatrin e ri.