Një sulm me mortajë në një shkollë të shtunën, në rajonin e tensionuar juglindor të Ghaznit në Afganistan, shkaktoi vdekjen e të paktën katër nxënësve dhe plagosjen e mbi dhjetë të tjerëve. Sulmi vjen pasi talebanët, morën kontrollin e një qarku verilindor me rëndësi strategjike në Afghanistan dhe vranë forca qeveritare në zona të tjera të vendit.
Një zëdhënës i qeverisjes rajonale, i tha Zërit të Amerikës se mes 15 personave të plagosur, ishin dy mësues. Nuk dihet ende nëse forcat afgane apo kryengritësit talebanë goditën me mortaja ndaj shkollës në qarkun Andar.
Zëdhënësi tha se një hetim qeveritar është hapur për incidentin.
Luftimet janë intensifikuar në shumë province afgane me ardhjen e pranverës, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara drejtojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje me Talebanët për t’i dhënë fund luftës 18 vjeçare në Afganistan.
Brenda javës së kaluar, rreth 35 civilë afganë, përfshirë 20 fëmijë dhe gjashtë gra, kanë humbur jetën në incidente të lidhura me konfliktin në gjithë vendin. /Voa/