Burime pranë grupit hetimore në Policinë e Shkodrës bëjnë me dije se në momentin e vrasjes njëri nga vëllezërit Bilali ka qenë i armatosur. Në momentin kur autorët e vrasjes kanë qëlluar në drejtim të dy vëllezërve, 59-vjecari Astrit Bilali u është kundërpërgjigjur atyre duke qëlluar me pistoletë.
Përveç dëshmive në vendngjarje, kjo është vërtetuar dhe nga gjetja e gëzhojave në vendin e ngjarjes ndërkohë që arma pistoletë është gjetur pranë trupit të viktimës. Në brendësi të mjetit tip ‘Benz’ që autorët i vendosën flakën pas ngjarjes është gjetur edhe arma e krimit tip automatik e cila është përdorur në vrasjen e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali.
Sa i takon makinës së djegur nga autorët, blutë e Shkodrës bëjnë me dije se përveç se me targa të falsifikuara ky mjet është deklaruar i vjedhur që në muajin dhjetor të 2018-es.
Policia ka shoqëruar mbi 15 persona për këtë ngjarje, por ende nuk janë identifikuar autorët të cilët ekzekutuan në derën e shtëpisë dy vëllezërit Bilali mëngjesin e së shtunës në Shkodër./ Report tv