Videoja zbulon veprimet e dyshimta të Policisë. Aty shihet se pas orës 22 ishin fikur dritat e lokalit. Gjatë kontrollit, polici Milosh Zhivkoviq, hapë dollapin dhe sheh kuletën. Ai i tregon kolegut të tij, Shkumbin Jashari, i cili kapë kuletën dhe e fut në xhep. Jashari, është arrestuar të enjten për këtë veprim.
Një thënie e miliarderit, Bill Gates, me gjasë e ka ndikuar që zyrtari policor, Shkumbin Jashari, të harrojë se kush është.
“Kur ti ke para në dorë, ti harron se kush je. Kur ti nuk ke para në dorë, të tjerët harrojnë se kush je. Kjo është jeta”, citon Jashari, Miliarderin Gates në një postim në llogarinë e tij në Facebook.
Identifikimi i një kulete me 1.800 euro nga zyrtari policor, me gjasë ia ka kujtuar thënien e miliarderit sa i përket parave.
Orët e vona të bastisjes në një lokal të lojërave të fatit në Graçanicë, kanë rezultuar të begatshme për të.
Gjatë kontrolleve të urdhëruara nga Qeveria, Jashari, ka vjedhur një kuletë me 1.800 euro. Hajnia e tij është filmuar krejtësisht nga kamerat e sigurisë së këtij lokali.
Si pasojë e këtij veprimi, Jashari është arrestuar të enjten nga Inspektorati Policor i Kosovës, nën dyshimin se ka kryer vepër penale “përvetësim i kundërligjshëm i pasurisë me rastin e bastisjes apo ekzekutimit të vendimit gjyqësor”.
Media, ka siguruar videon e këtij akti, të cilën nuk e ka publikuar derisa janë kryer hetimet e para që kanë rezultuar me arrestimin e të dyshuarit.
IPK ka bërë të ditur arrestimin e zyrtarit policor, që ka shërbyer në Stacionin Policor në Graçanicë.
“Lidhur me këtë rast IPK ka kryer bastisjen në dy lokacione (shtëpinë dhe zyrën e të dyshuarit), me ç’rast janë konfiskuar disa sende në cilësinë e provave materiale. Të njëjtit me vendim të Prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Gjithashtu, IPK-ja ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për zyrtarin policor tashmë të arrestuar si të dyshuar për rastin si më lart”, thuhet në komunikatën e IPK-së.
Videoja zbulon veprimet e dyshimta të Policisë. Aty shihet se pas orës 22 ishin fikur dritat e lokalit. Gjatë kontrollit, polici Milosh Zhivkoviq, hapë dollapin dhe sheh kuletën. Ai i tregon kolegut të tij, Shkumbin Jashari, i cili kontrollon vendndodhjen e kamerave. Ai shkon edhe në dhomën e sigurisë për t’i parë pozitat se cilat kënde kapin kamerat.
Por, menaxherët e lokalit vendosin në ekran të televizorit vetëm katër kamera, e jo 16 sa ishin në lokal. Kur polici sigurohet se kamerat nuk janë duke e filmuar pjesën ku ndodhej kuleta, ai shkon kapë kuletën dhe e futë në xhep.
Pronarët e këtij lokali që kanë dashur të mbeten anonim, kanë treguar se si e kishin zbuluar këtë vjedhje.
“Ne i kemi shikuar të gjitha filmimet e bastisjeve në të gjitha lokalet. Kemi parë se si polici ka marrë kuletën”, ka thënë menaxheri i kësaj firme.
Ata e kanë raportuar rastin në IPK, çka ka rezultuar me arrestimin e zyrtarit policor.
Gjatë bastisjeve në këtë lokal shihet edhe komandanti i Stacionit të Gracanicës, Bratislav Trajkovic.
Media, sjell këto pamje ekskluzive që implikojnë zyrtarët policor në krim.
Aksioni i Policisë, Doganës dhe Administratës Tatimore, ishte zhvilluar ditën kur Kuvendi me anë të një rezolute vendosi për mbylljen e lojërave të fatit. /Insajder/