Rihapet çështja, përplasja në Elbasan/ Prokuroria: Në makinën që goditi policinë, ishin…

0
139

Gjykata për Krime të Rënda hapi shqyrtimin gjyqësor për dosjen e përplasjes së makinës së Policisë në Elbasan në shtator të 2017-ës dhe në seancën e radhës pritet që të dëshmojnë policët, të cilët ishin në vendin e ngjarjes, ndër ta edhe Gjergji Oshafi.

Pas disa seancash të dështuara, këtë të enjte prokurori lexoi kërkesën për gjykim për të pandehurit Marjus Lulaj, Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri, të cilët akuzohen për “Vrasje të punonjësve të Policisë së Shtetit” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”. Nga tre të pandehurit, Marjus Lulaj është i vetmi që nuk është arrestuar, ndërsa ka dyshime se fshihet në shtetin grek.elbasani

Por pavarësisht arratisë, disa seanca më parë, avokati Genc Gjokutaj bëri të ditur se me anë të një prokuroreje, Çela e kishte autorizuar atë ta mbronte në proces dhe bënte me dije Gjykatën se kishte dijeni për procesin. Ndërkohë, gjatë seancës së djeshme, çështja e kompetencës dhe cilësimi i veprës penale u bë pjesë e diskutimit, por sipas Gjykatës, kjo çështje është zgjidhur nga gjyqtari i seancës paraprake, që ka kaluar çështjen në gjykim me akuzat e sipërpërmendura dhe ka bërë këtë gjykatë kompetente për gjykimin e dosjes.

Kujtojmë se gjatë hetimeve parapake, Prokuroria për Krime të Rënda ka dërguar dy herë dosjen në Elbasan për moskompetencë, duke rrëzuar akuzën e “Vrasjes së punonjësit të Policisë”, mbetur në tentativë. Në të dyja rastet, Prokuroria e Elbasanit e ka dërguar sërish dosjen te Krimet e Rënda, ku edhe më pas kaloi në gjykim. Ndërkohë, prokurori Behar Dibra listoi dje provat me të cilat pretendon të vërtetojë akuzat, ku kërkoi që në seancën që do të zhvillohet në 11 prill, të thirren për të dëshmuar policët që janë edhe në cilësinë e viktimave në proces, të cilët janë dëmtuar nga ngjarja.

HETIMET

Referuar kërkesës për gjykim që prokurori i dosjes, Behar Dibra, lexoi dje në sallën e gjyqit, çështja është regjistruar në 2017-ën dhe i referohet ngjarjes së 18 shtatorit. Mesditën e kësaj date, patrullat e Policisë kishin dalë për verifikim automjetesh dhe personash në lidhje me një sinjalizim të bërë nga një shtetas, se në tunelin e Kërrabës, 3 automjete i kishin bërë manovra në rrugë, ndërsa në një prej makinave, një person i kishte drejtuar një objekt si pistoletë. Këtë situatë, ky shtetas e kishte marrë si kanosje, tha prokurori.

Gjatë kontrolleve të kryera përpara tregut ushqimor, Policia kishte vënë re një makinë “Range Rover”, e ngjashme me përshkrimet e bëra nga personi. Policia i ka bërë me shenjë që të ndalonte dhe personave brenda që të dilnin. Njëri prej këtyre personave ka dalë dhe ka shkuar në drejtim të rojës së tregut për t’i dhënë diçka, veprim të cilin Policia ia kishte ndaluar. Si pasagjerë në këtë automjet ka qenë Endri Çopja dhe një person tjetër, që kanë refuzuar të shoqërohen në Polici.

Gjatë kësaj kohe, në këtë vend janë mbledhur forca të shumta Policie dhe pas disa minutash, vërehet një makinë tip “Audi”, që bën manovra. Nga kamerat e sigurisë shihet që makina “Audi” bën tentativë për t’u futur në tregun ushqimor dhe gjatë kësaj tentative prek makinën e Policisë, e cila shtyhet disa metra më tutje. Ndërkohë, policët e pranishëm aty, nga pamjet duken që vetëm qëllojnë në ajër. Ndërkohë, pavarësisht kërkesave për të hapur derën e tregut, ajo është hapur me vonesë dhe vetëm pasi ka marrë dijeni shtetasi P.Ç., pronar i tij, i cili ka urdhëruar hapjen e portës.

Vendi është rrethuar nga forca policie të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe është bërë ndërhyrja dhe sekuestrimi i makinës dhe objekteve të gjetura aty. Ndërkohë, sipas Prokurorisë, në bordin e makinës “Audi” ka qenë Enea Bekteshi dhe Marjus Lulaj(Suel Çela), që tentuan të vrisnin punonjësit e Policisë. Më tej, prokurori sqaroi se Enea Bekteshi akuzohet edhe për trafikim narkotikësh, pasi gjatë arrestimit i është gjetur një sasi lënde narkotike.

Ndërsa Kelmend Xhaferri akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje dhe largim të burgosurit nga vendqëndrimi. Gjatë arrestimit, Xhaferrit i është gjetur një armë, ndërsa gjatë kohës që ka qenë në “Arrest shtëpie”, ka dalë./PANORAMA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here