Rilind kanabisi, grupet kriminale gati për sezonin e mbjelljeve

0
143

 

Hambarët e mbushur me kanabis përgjatë viteve të arta 2016-2017 tashmë janë zbrazur dhe grupet kriminale kanë nisur të riorganizohen për të nisur masivisht kultivimin e bimëve narkotike. Duke iu referuar shifrave zyrtare të policisë, deri më tani janë sekuestruar mbi 10 mijë kubikë me kanabis në zonën Laç-Fushë-Krujë, por nuk janë të vetmet “ekonomi bujqësore” që po lulëzojnë…

Strukturat policore po qarkullojnë një iformacion të brendshëm që zjarret e shumta të ndodhura në disa zona të thella malore në të gjithë vendin nuk kanë për qëllim vetëm për të përfituar kullotë, por tokë për mbjelljen e kanabisit.

Riaktivizimi i grupeve kriminale të narkotikëve po vjen edhe si pasojë e rritjes së çmimit të kanabisit, pasi “kërkesë-oferta” e dikton tregun në çmim. Mbiprodhimi tej parashikimeve i kanabisit, bëri që në vitet 2016-2017 çmimi të pësontë ulje drastike, ndërsa u desh që malli të ambalazhohej dhe ruhej për “ditë të vështira”.

Përgjatë vitit 2018, trafiku vijoi, ndërsa kultivimi i kanabisit të ri ishte në nivele të ulëta. Tashmë është kuptuar se më shumë se “forca e ligjit”, grosistët e mëdhenj të drogës trafikuan kanabisin e siguruar më parë, të cilët e ruanin dhe më pas gjenin momentin e përshtatshëm për ta trafikuar, kryesisht drejt Italisë dhe Greqisë.

Aktualisht hambaret janë zbrazur dhe ka nisur plani i ri për kanalizimin e vendit. Metoda është po e njëjta. Fillimisht nga trafikantët përcaktohet zona ku do mbillet hashashi dhe së pari bëjnë hapjen e tokave të reja. Në disa raste po përdoret zjarri i qëllimshëm, ndërsa në parcelat e përdorura më parë bëhet një pastrim i lehtë dhe toka do jetë e “begatë” pasi ka qëndruar një vit djerr.

Në analizimin e zjarreve të dyshuara të qëllimshme, në rreth 60 % të rasteve ka raezultaur se nuk janë pranë zonave të banuara, por në pjesë malore, ku nuk shkelin as barinj me tufat e tyre.

Vlora dhe Tepelena vijon të mbetet kampion në kultivimin e narkotikëve dhe grupet kriminale që ishin në “parajsë” përgjatë viteve 2016-2017, kanë nisur riaktivizimin dhe nuk përjashtohet mundësia që të kërkojnë mbështetje edhe në strukturat e reja të Policisë së Shtetit. Deri më tani nuk raportohet kapje të fidanëve në këto zona, çka shton edhe më shumë dyshimin se do mbetet sërish treva të privilegjuara.

Gjithashtu edhe Malësia e Dukagjimit dhe e Krujës mbesin krahina me rrezik potencial në kultivimin dhe më pas trafikimit të lëndëve narkotike. Ky do jetë viti i provës së madhe të strukturave të shtetit kundrejt kultivuesve dhe trafikantëve të drogës.

Nga Boldnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here