Krizën mund ta zgjidhë opozita!

0
133

Nga Agron Gjekmarkaj

E kotë ta tjerrësh gjatë! Djegia e mandateve parlamentare nga opozita ka rrëzuar përtokë fasadën e pseudodemokracisë shqiptare. Edi Rama është fillikat e vetëm i rrethuar kudo me korrupsion e banalitet me qyfyre e gaz lotsjellës. Dy pamje na shfaqen përditë. Kryeministri, “rilindja” e të cilit nga sondazhet serioze është për herë të parë dukshëm në minorancë, në mënyrë intensive i është kthyer ligjërimit mbushur plot, me kinse batuta e shakara alegorike. Ato bëjnë me qeshë vetëm punonjësit e administratës publike në skenën e ERTV-së, këtij “Zëri i popullit” të ri, i cili ka vrarë gazetarinë dhe instaluar propagandën. Rastësore nuk janë! Megjithëse ngjan spontan, Kryeministri nuk është kurrë i tillë.

Kësisoj, ai do t’u thotë qytetarëve: Ja, e shihni kundër kujt janë ngritur, kundër një shpirt njeriu që gëzon fëmijët e pleqtë, gratë e burrat me dërhemët e tij të humorit?! Po kaq, nënteksti është: unë qenkam diktatori, satrapi, vrasësi i liberalizmit, hajduti i votave, i lekëve tuaja dhe pronave, bashkëbiseduesi i ngeshëm i të fortëve të këtij vendi? Kudo tjetër, përtej kësaj skene “bukolike”, gjithnjë e më tepër po shfaqet policia politike me një pasion të thekshëm për arrestuar me dhjetëra qytetarë në ditë me ritëm progresiv, aq sa nuk do të jetë e largët dita kur buxheti i shtetit duhet të modifikohet që, pos gazit lotsjellës të parashikojë edhe ndërtimin e burgjeve të reja!

Betejën me krimin Policia e ka humbur në mënyrë spektakolare, por me gjasë nuk është më shqetësim i saj siguria publike. Pretendim i madh ky, kur e dimë se si ajo u bë kumbara e kanabizimit të të gjithë territorit. Njerëzit vriten sikur të ishin pleshta. Policia ngjan të ketë vetëm një objektiv: Të mposhtë e dhunojë opozitën për llogari të qeverisë. Zyrtarët e lartë të saj shfaqen në përgjime me banditë, ku flasin për manipulim provash e dhënie parash si kompensim dhe s’ka asnjë reagim nga organet e drejtësisë, madje ata promovohen për të ndaluar e për t’iu hakërryer eksponentëve të opozitës.

Nëse dikush di ndonjë mënyrë tjetër se si mund të vdesë shteti i së drejtës, le ta thotë!

“Zululandi” i Edi Ramës, sot është pa gjykata, me një Parlament monist, me qeveri të cenuar në legjitimitet nga dosjet që konfirmojnë manipulimin e zgjedhjeve, me një ekonomi të rrënuar në duart e një çete oligarkësh klientë të pushtetit, që nuk skuqen as nuk zverdhen teksa marrin milionat e eurove, ndonëse shqiptarët ikin me shumicë nga varfëria.

Për momentin, Edi Rama po qeveris duke alternuar policinë me propagandën, joshjet me kërcënimet, por pa mundur ta fshehë faqe botës këtë “Kubë” të re të Europës! Banaliteti çdo ditë thyen një cak dhe të zë në befasi me furinë e tij. Tredhja e etikës publike është shndërruar në profesion qeveritar.

Test për karrierë është vetëposhtërimi, lëpirja, krahasimi i “Kurbanit” (veprës së liderit) me “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” të Sami Frasherit, apo citimi i ministrave qesharakë me atë lehtësi që mund t’i referohesh Pjetër Bogdanit. Kryeministri të hedh kockën dhe rri e pret garën e mungesave morale të atyre që, duke dihatur i afrohen dhe fëshk, e shtrëngojnë me dhëmbët çatallë.

Edi Rama dhe kopeja me derdimenë që ka për ministra veç flasin, flasin, flasin nga mëngjesi në darkë, pastaj hanë, hanë, hanë, e më vonë, përveç Ramës që fle pak se ka nerva të cimbisura, flenë, flenë, flenë dhe ditën tjetër, pasurohen, pasurohen, pasurohen! Të gjitha këto janë konstatime që përsëriten si nënë e dijes, të cilat nuk e lejojnë Ramën të zgjidhë krizën, por veç ta shtyjë atë me sa mundet. Krizën duhet ta zgjidhë opozita!

Fakti që Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhin përballen me gazin lotsjellës në vetë të parë i afron ata më tepër me njerëzit e zakonshëm, u jep atyre dhe partive që udhëheqin një kredibilitet që deri dje u ka munguar për shumë arsye! Por kjo mund të jetë një betejë relativisht e gjatë, monotonia e së cilës do të shndërrohej në aleat të Qeverisë dhe kjo nuk është tragjedi në vetvete!

Ajo (të mësuarit me të keqen) thyhet me lëvizje të forta! Basha ka filluar një cikël tryezash si akt politik partneriteti me elitat dhe shoqërinë! Duket sikur ai e ka seriozisht dëgjimin dhe reflektimin! I dënuar është të ecë në këtë hulli sipas teorisë së rrathëve bashkëqendrorë! PD ka nevojë të përsërisë vitin 2005, të rithemelohet pa e deklaruar, të bashkohet! Kundërshtarët e Bashës kanë qenë agresivë me të, por jo me PD-në, në mjaft raste me të drejtë! Nëse ata i vënë fre gjuhës, Basha duhet ta heqë frerin nga mendja dhe të ulet me ta. Djegia e mandateve e ofron këtë mundësi!

Ndërsa ata që mblodhi Sali Berisha në 2005- n i kishin punuar qindin PD-së e vetë shefit të saj, ku edhe ky i fundit ska qenë fort dorë e butë!

Basha e ka jetike të tejkalojë vetveten dhe e ka më të lehtë se Sali Berisha për ta bërë këtë! Në PD-në e tij mungojnë ende personalitetet e forta politike e intelektuale të spikatura, me gjithë përmirësimet që ka bërë! Statusi i intelektualit duhet të rishkruhet në atë parti të themeluar nga intelektualët! Decibaot e tipit, plotësoni formularët për t’u bërë deputetë, ia cenojnë rëndësinë e aksionit politik që ka nisur!

Një nismë të tillë formale online e pat marrë edhe para dy vitesh, por nxori në dritë një listë në masë të madhe banale, prej së cilës u çlirua me kurajë! Po kaq ngjan se zyra e shtypit apo ata që menaxhojnë imazhin e PD-së kanë rënë në autizëm dhe nuk po dinë ta lexojnë krizën ose e lexojnë si qokë simpatish! Një pjesë e personazheve që shpesh prezantojnë opozitën në ekrane janë të konsumuar dhe tejet retorikë, aq sa e bëjnë nervoz publikun! PD ka dy kategori profesionale, juristë dhe ekonomistë shumë të mirë, që mund ta përballojnë debatin! Atyre formacioneve nuk është se u mungojnë folësit pa ngarkesa! Idioti nuk bëhet dot profet dhe i korruptuari mësues morali, megjithëse kungulli i tyre çan oqeanin e tranzicionit si transoqeanik!

Lulzim Basha mund ta zgjidhë krizën, nëse i bind shqiptarët që ai këtë luftë nuk po e bën thjesht për t’u bërë kryeministër, tiran i qeverisë dhe partisë i rrethuar me bihude, që do brohorasin te veshi “Padisha çok jasha, si Lul Basha djalë nuk ka”, që me sytë dac e gace presin zyra e tendera! Ai duhet të bashkëjetojë me hapësirën kritike rreth tij! Mbinjeriu i Rilindjes dështoi, ndër të tjera, se këtë hapësirë e shndërroi në majë piramide!

Nëse qytetarëve u ofron garancitë kushtetuese për një qeverisje liberale, ligjin, normalitetin, ndryshimin e sistemit, refuzimin e përkëdheljes së atyre që jetojnë në paradhomën e Kryeministrit aktual, njerëzit që mund ta ndjekin në këtë sipërmarrje me emër e mbiemër, gjatë kohës që përpiqet të fitojë Edi Rama për të mbijetuar, ai do t’i japë fund kohës së krizës, nëse jo çdo gjë është një rrethrrotullim, siç e tha edhe “Ditëziu”!/Panorama/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here