Pas disa vrasjeve të bujshme që tronditën vendin, zv Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaronte në një emision televiziv, se qytetarët duhet të ndihen të sigurtë dhe se ngjarjet kriminale lidhen me bandat, që lajnë hesapet me njëra tjetrën.
“Çdo ngjarje e rëndë është shqetësuese. Dhe për çdo ngjarje duhet të bëjmë dallimin, kemi vrasje aty për aty, kemi vrasje në familje, kemi dhe disa vrasje që janë dhe për likuidime. Qytetarët nuk duhet të ndihen të shqetësuar”, deklaronte zv ministri.
Por, pak ditë pas kësaj deklarate kaq optimiste dhe rozë, në aeroportin e vendit ka ndodhur një grabitje spektakolae, ku grabitës të armatosur rëndë, kanë arritur të marrin 10 milionë euro të disa bankave të nivelit të dytë, nga një avion me 160 pasagjerë brenda.
Grabitësit kanë kërcënuar punonjësit dhe pasagjerët, duke i drejtuar armën. Ja si e përshkruan ngjarjen një nga pasagjerët dëshmitar: “Avioni ishte i ndezur dhe pamë nga ana e djathtë e avionit tre persona me kapuçë në kokë, të veshur si komando të afroheshin tek barku i avionit. Kujtuam se bëhej fjalë për një stërvitje. Ata kanë kërcënuar me kallashnikov punonjësit dhe i urdhëruan të shtrihen“.
Shqipëria është ngërthyer nga një sërë ngjarjesh kriminale mjaft të rënda, ku përfshihen, vrasje, plagosje dhe grabitje. Por, autoritetet duket se vijojnë të mohojnë gjendjen, duke i konsideruar ngjarjet “larje hesapesh”. Në këtë linjë, ka qenë, kryeministri Rama, Ministri i Brendshëm dhe vartësit e tij.
Kujtojmë se ndërkohë që kjo grabitje spektakolare kryehej në aeroportin e Rinasit, vendin tonë po e viziton zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetetit, Mathew Palmer.