“Ne i bëjmë thirrje drejtësisë ti jap fund praktikave të deritanishme të mbrojtjes së autorëve të krimeve të komunizmit dhe të zbatoje ligjin duke u bazuar mbi prova e jo politikë penale komuniste”, deklaroi shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politike të Shqipërisë
Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politike të Shqipërisë do të jetë nesër në orën 13.00 në Gjykatën Administrative në Tiranë, ku do të zhvillohet seanca gjyqësore midis ish-hetuesit të Sigurimit të Shtetit, Bujar Sheshi dhe Autoritetit mbi Informimin e Dosjeve të Shtetit, pas padisë që ka ngritur ish-hetuesi, i cili kërkon të “pastrojë” veten pas informimit që Autoriteti i Dosjeve ka bërë duke e cilësuar Sheshin si pjesë të Sigurimit.
“Drejtësia të mos mbrojë autorët e krimeve të komunizmit! Nesër në ora 13.00 në Gjykatën Administrative Tiranë, zhvillohet seanca gjyqësore midis ish hetuesit të Sigurimit të Shtetit Bujar Sheshi dhe Autoritetit mbi Informimin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit me padi të ish hetuesit, i cili kërkon të “pastrojë” veten pas informimit të Autoritetit që Sheshi ka qënë pjesë e Sigurimi si spiun e si hetues.
Autoriteti në bazë të ligjit informoi për pjesëmarrjen e tij në veprimtarinë kriminale të Sigurimit me kërkesë nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme për të verifikuar pastërtinë e figurës të kandidatit z. Bujar Sheshi, që kishte aplikuar për anëtar në KLP nga radhët e prokurorëve, si detyrim ligjor (45/2015 dhe ligjit 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”).
Sheshi më vonë u zgjodh anëtar i KLP pavarësisht faktit që ishte pjesë e sigurimit. Autoriteti bëri publik pjesëmarrjen e tij në krimet e komunizmit duke nxjerrë kështu në dritë zgjedhjen e tij të pa ligjshme në KLP gjë që solli edhe padinë e tij në gjykatë dhe këtë proces gjyqësor që zhvillohet nesër. Nga përvoja e deri tanishme shumë drejtues e anëtarë të Sigurimit të Shtetit, autorë të krimeve të komunizmit kanë përdorur proceset gjyqësorë për ti shpëtuar ligjit që i ndalon ata të kryejnë detyra të veçanta shtetërore e publike.
Gjykatat një pjesë e tyre në konflikt interesi kanë vendosur përkundër fakteve e provave dhe kanë vendosur në favor të autorëve të krimeve duke u mundësuar atyre të jenë drejtues të lartë të shtetit apo drejtësisë. Në këto kushte Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë mbështet çdo institucion organizate apo individ që publikon e zbardh krimet e komunizmit dhe autorët e tyre dhe dënon me forcë çdo përpjekje politike e ligjore për ti fshehur e mbrojtur ato.
Ne i bëjmë thirrje drejtësisë ti jap fund praktikave të deritanishme të mbrojtjes së autorëve të krimeve të komunizmit dhe të zbatoje ligjin duke u bazuar mbi prova e jo politikë penale komuniste”.