Qeverisë sonë i shkojnë shumë epitete. I rrinë ato si kostum i bukur.
Psh; thua qeveri e fasadave e po të bëhet një sondazh, mbase mbi 70% e pranojnë se ashtu duhet etiketuar.
Nga që nuk e ka mendjen të zgjidhë probleme, por të fshehë probleme. Ashtu si një tarracë shtëpie që pikon, nuk i venë izolant, por i bëjnë nga brenda një tavan të varur, me ca llamba me ngjyra dhe ja, iku lagështia.
Në fakt aty është, por u fsheh për ca kohë, nuk u eliminua.
Në gjuhën popullore qeveria jonë sillet si Lym Llamarinisti. Ky Lymi bënte prej vitesh e vitesh kazanë dhe govata. I qante ato, qe duarartë. Ndërkohë në Tiranë mbërritën hekurat elektrikë për hekurosje, por tani ishin modernë, me gradim.
Ishte fat të blije një copë nga ato. Edhe shisje mend mes miqsh dhe shokësh, edhe gruaja lodhej më pak. Nga që e vije temperaturën sipas rrobave, të leshtat ndryshe, mëndafshet ndryshe, pambuku ndryshe.
Një ditë drejtori i Lymit te dera e punishtes së llamarinistit vuri një lajmërim të madh ‘Rregullojmë këtu hekurat me gradim. Punë speciale dhe shërbim i kulturuar.’
-Kush?- pyeti Lymi.
-Ti, – i tha drejtori.
-Mos ia fut kot. S’jam elektricist. Nuk ia kam idenë as gradimit,as hekurave me korrent.
Por drejtori ia gjeti mënyrën. I shpjegoi Lymit si ndreqeshin fët e fët dhe iku. Qysh atëherë Lymi, veç kazanëve e govatave, ‘rregullonte’ dhe hekurat me gradim. Në fakt i rregullonte lesh, por kur klienti vinte ta merrte Lymi e vendoste tre minuta te kthina prapa, mbi një sobë me zjarr e ia dorëzonte qytetarit me fjalët: ‘Ki kujdes, të djeg se sapo i bëra një provë.’
Dhe me gishtin plot pështymë prekte sipërfaqen e nikeluar të hekurit. Ai lëshonte një fësht dhe avulli ngrihej lart. Ikte i gëzuar klienti i mashtruar. Në shtëpi e priste një mal me rroba që do i ‘hekuroste’ e shoqja…
Lymi nuk rron më. Iku, u ngjit lart me shumë pendesa. Por po e sheh se nuk i ngeli vendi bosh.
Ia zuri Edi Llamarinisti.
Që nuk merret më me hekurat me gradim, por tani e shumë vjet gradon sipas oreksit gjithë gazetat e televizionet shqiptare.
Që shiun ta bëjnë diell, zhegun freski dhe skëterrën parajsë…