Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike e motit me shi, qytetarët iu përgjigjën thirrjes së opozitës për të marrë pjesë në protestën e saj të tretë kombëtare.
Jo vetëm opozita por edhe mbështetësit e saj kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama në protestën e ditës së shtunë. Qytetarët shprehën pakënaqësi për politikat e ndërmarra nga qeveria që sipas tyre ka përkeqësuar gjendjen ekonomike.
Shumë prej tyre, të ardhur nga larg Tiranës, kishin kërkesa konkrete drejtuar qeverisë.
“Për të ardhmen e fëmijëve, sepse është një kriminel. Nuk respekton as të drejtën e fjalës”.
“Për padrejtësinë në bujqësi, ekonomi, kudo”.
“Këmbët në një këpucë po na i fut, nuk jetohet kështu, ku të shkojmë?Ku të mbytemi? Pa punë, dritat duan paguar, ujin se kam paguar se nuk kam ku ti marr lekët”.
Disa të tjerë ishin në një zë me opozitën dhe ngarkuan mazhorancën me akuza për krimin dhe korrupsion.
“Ne protestojmë që Rama të largohet nga ky vend dhe ne të jetojmë të qetë”.
“Kërkoj që ky sistem të shembet, parrulla jonë është Rama ik!”
Në protestën e së shtunës pankartat ia lanë vendin çadrave të shiut, në të cilat ishte shkruar “Ik”, një thirrje kjo për Kryeministrin.