Sipas ish deputetit të PD-së, Xhemal Gjunkshi policia po mban të lidhur me pranga një protestues i cili ndodhet në spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore si dhe tenton të pengojë përfaqësuesit e PD-së që ta vizitojnë.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi ka publikuar në rrjetet sociale disa foto, ku bashkë me ish-deputetin tjetër Bardh Spahia ndodhen në ambientet e spitalit nga ku marrin ndihmën mjekësore protestuesit e lënduar gjatë ditë së djeshme.
Përkrah foto Gjunkshi shkruan se policia ushtroi dhunë shtazarake ndaj protestuesve dhe qytetarëve, duke shtuar se janë me dhjetëra rastet e keqtrajtimi dhe dhunimi.
Statusi i plotë:
Dhunë shtazarake e policisë kundrejt qytetarëve protestues. Janë me dhjetëra rastet e keqtrajtimit dhe dhunimit të qytetarëve të ndaluar.
Ne ishim dhe pamë nga afër protestuesit e dhunuar në urgjencën e spitalit të traumës.
Policia , e pa aftë për të ndaluar bandat e krimit të organizuar, ne kundershtim me ligjin, mban të lidhur me pranga qytetarin në kushtet e shtrimit spitalor dhe tenton të na pengojë edhe neve.