Çfarë ka bërë qeveria Rama kundër pronës private dhe publike në 6 vite?

0
146

Gjykata Europiane e Strasburgut; vetëm vitin e kaluar 14 milionë Euro dëme për shtetit i jep të drejtë pronarëve të ligjshëm!

Në raportin e fundit të Gjykatës Europiane mbi çështjet në gjykim dhe vendimet e saj, Shqipëria zë vendin e parë sa i takon çështjeve të pronësisë. Plaga e buxhetit të shtetit, ekonomisë por edhe pronarëve vazhdon të lëngojë ndërsa drejtësia kërkon të zbatohet. Fatkeqësisht, qeveria dhe njerëzit që drejtojnë atë në gjashtë vite kanë prodhuar vetëm ligje që nuk shërojnë plagët por i përkeqësojnë.

Vendimi i parë i qeverisë Rama ishte ai i tjetërsimit të 18 000 Ha pprone të vendosura nga qeveria e fundit demokratike në dispozicion të pronarëve për kompensim fizik, të cilat i kaluan ministrisë së bujqësisë dhe që kurrë nuk u vendosën në përdorim. Vendimi i dytë ishte dhe më arbitrar, votimi i një ligji investimesh strategjike me përcaktimin që prona e pronarit merret nga shteti për një shumë qesharake dhe i falet investitorit. Një ligj që ka hapur një sërë problemesh sidomos në brigjet e jugut të Shqipërisë. Më pas do të vinte radha e ligjit të Kompensimit të Pronave, që nuk u kthente kurrgjë pronarëve dhe u kompensonte vetem një pjesë të vogël të shumës së pronës. Kjo e fundit llogaritej mbi çmimin e pronës në vitin 1945. Pra një pronë në mes të Bllokut do të vlerësohej me çmimin e vitit 1945 dhe do të kompensohej jo 100% nga qeveria me atë çmim. Sot pronarët po detyrohen të firmosin kontrata për kompensim të vetëm 20% të vlerës së pronës.

Natyrisht, çdo vendim i qeverisë në dëm të pronës private shoqërohej me një gllabërim të saj ndaj pronës publike. Shembullin më të mirë të kësaj lidhje e gjejmë në Ligjin Fusha. Ky ligj special i destinuar për firmën FUSHA shpk që do të prishte teatrin kombëtar, do të mundësonte ndërtimin e 8 kullave atje ku sot ndodhet teatri. Gjithashtu shkatërrimin e pedonales, për të cilën BE ka shpenzuar 2 mln euro. Qeveria qendrore, kryeministri, vendosi të nxjerrë në punë parlamentin për të firmosur një dhuratë që kish bërë ndërmend t’ia jepte Fushës. Ndërsa kryebashkiaku Veliaj, imitoi deri në detaj shefin e tij duke shkelur me të dyja këmbët ligjin e pushtetit vendor. I dhuroi kompanisë Fusha shpk një sipërfaqe në pronësi të Bashkisë Tiranë pa 2/3 e votave në Këshill Bashkiak. Pjesa e mbetur e sipërfaqes, është në pronësi të pronarëve privatë të cilët nuk i kanë dhënë asnjë firmë për ndërtim kompanisë Fusha shpk. Por, siç duket Fusha do të përdorë pushtetin e qeverisë për t’ua marrë me përdhunë.

Hapi i radhës i qeverisë Rama, në kurriz të pronarëve, është krijimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare. Një projektligj që kanalizon çdo pronë publike (dhe private që është në administrim publik) të qytetarëve në duart e kryeministrit (Arkitektit real të këtij projektligji). Kjo korporatë, për të qenë mbi ligjin pasi është një feud personal i kryeministrit, do të jetë e përjashtuar nga Ligji i Prokurimit Publik. Korporata e Investimeve Strategjike është gjetja më e fundit djallëzore me të cilin Kryeministri angazhohet për të fundit herë për të marrë çdo lloj prone publike dhe private në vend.

Pikërisht nën frymën e projektligjit për Korporatën e Investimeve Strategjike u shkrua dhe VKM 708 e datës 27.02.2019, në të cilën qeveria rishtetëzonte pronat private në jug të vendit. Do të ishte fati me pronarët, pasi në mungesë të një Gjykate Kushtetuese (që mungon prej 1 viti), qeveria Greke ndërhyri duke pyetur deri edhe komisionerin Hahn për problemin e pronave në Shqipëri. Ndërkohë që qeveria shqiptare vazhdon të mashtrojë delegacionin e BE dhe shqiptarët mbi plotësimin e kushteve të vendosura, ku prona është prioritet kyc. Pasi në fund të ditës, kushti i pronës nuk është plotësuar nga qeveria Rama dhe fatkeqësisht për pronarët sjellja e qeverisë ndaj pronës private është përkeqësuar.

Aktualisht, qeveria e ka shtyrë edhe për pak kohë implementimin e VKM-së që do t’i hapte rrugë thjeshtëzimit të kalimit të këtyre pronave në buxhetin e kompanisë personale të kryeministrit Rama. E cila nëse do të krijohet do të jetë pronarja më e madhe në Shqipëri, duke shndërruar kështu Edi Ramën në hajdutin më të madh të pronave në rajon.

E të mos harrojmë VKM pa fund që japin me 1 euro pronat e pronarëve bizneseve në përdorim, asnjë vendim real për kthim prone në 6 vite të funksionimit të agjensisë dhe dhjetëra shtëpi që proshen në shkelje të ligjit duke flakur banorët jashtë tyre.

Ka ardhur koha që prona të vlerësohet dhe pronari të respektohet. Projekti i PD jo vetëm që nuk lidhet me tjetërsimin e pronës dhe as shtetëzimin e tij për interesa personale. Përkundrazi, projekti jonë për pronën dhe tokën lidhet pashmangshmërisht me ekonominë dhe rigjallërimin e saj. ne duam të luftojmë për të mundur të jemi mazhorancë. Prona e pronarit të mos jetë më plaçka e zilisë që qeveria dëshiron ta gllabërojë, por të jetë e drejta që e gëzon i zoti. Parimi jonë ndaj pronës është po aq i shenjtë sa ndaj Zotit, familjes dhe atdheut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here