Pas dështimit të seancës së parë për shkak të mos njoftimit të të pandehurve, gjykata për Krime të Rënda ka nisur gjykimin e grupit të Habilajve.
Prej dy vitesh, Habilaj dhe një pjesë e grupit të tij, janë në arrest në burg në Itali dhe janë duke u gjykuar për të njëjtat vepra penale, ndërsa Krimet kanë bërë njoftimet në Vlorë, duke angazhuar policinë e rrethit.
Më tej, gjykata ka kërkuar edhe ndihmën e Interpolit, por ende nuk ka marrë një përgjigje. Në këto kushte, deri në njoftimin zyrtar të të pandehurve, gjykata e shtyu seancën për në 30 prill.
Në Shqipëri, i vetmi nga grupi është Armand Koçerri, i cili u arrestua së bashku me Nazer Seitin, ky i fundit, u ekstradua disa muaj më parë në Itali, ku edhe është duke u gjykuar.
Prokuroria akuzon 9 të pandehurit për trafikimin e tonelatave të drogës drejt Italisë.
Kujtojmë se nga përgjimet për këtë grup, ka dalë edhe emri i ish-ministrit Saimir Tahiri, i cili është marrë i pandehur për përkrahjen e grupit të Habilajve, i drejtuar nga kushërinjtë e tij Moisi dhe Artan Habilaj.