Në një intervistë mbrëmjen e djeshme në emisionin “Provokacija” në Abc News, analisti dhe pedagogu Agron Gjekmarkaj ka folur për Gjuhën Shqipe, për kulturën e historinë, dhe ka analizuar çështje si raportet e gegnishtes me normën letrare, etj.
Por analisti “u ngacmua” edhe lidhur me Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke i kujtuar se Gjekmarkaj e ka mbështetur në fillim dhe e ka vlerësuar, por më pas e ka sulmuar.
Sipas tij, zelli për t’i shërbyer Ramës, e ka shndërruar atë në ‘Rilindas’. Kjo e ndan Gjekmarkajn me Lleshin.
Sipas analistit dhe pedagogut, përdorimi i gazit kundër protestuesve, ka qënë i tepruar dhe i dënueshëm.
Pjesë nga intervista:
Nano: Pjesa katolike mund të ndihet nën presion pasi në numra është e vogël, por ka një rol të madh në histori, pasi feja tjeter është e madhe në numra, nga ana tjetër ka ndjenjën e krenarisë për rolin që ka luajtur në histori. (Unë mendoj se pa katolikët s’do kishte Shqipëri) A ndjehet ky presion ndaj katolikëve?
Gjekmarkaj: Nuk ndjej se ka presion mbi katolikët, në shkollë apo në punë, ndoshta politika luan me raportet e përfaqësimit. Pikëpamja ime personale: Duhet të ishin më të përfaqësuar në institucionet shtetërore, por e rëndësishme është që ata që janë të jenë cilësor. Si katolik kultuoror them se s’ka rëndësi kush është, por duhet të jetë cilësor.
Nano: Një katolik kulturor tjetër, që ti e ke kritikuar, edhe ti edhe Marku, nuk i latë as kohë…është Aleksandër Lleshaj.
Gjekmarkaj: Jo unë në fillim e kam mbështetur, më pas e kam kritikuar.
Nano: Por e keni dërrmuar me kritika…
Gjekmarkaj: Nuk e ka dërrmuar shumë… Unë s’kam ndryshuar mendim nëse është i ndershëm apo i pandershëm, nëse është i lidhur me drogën. Unë mendoj se z. Lleshaj që e kam patur mik, është akoma i ndershëm e korrekt. Por shoh një zell e mirënjohje të tij për Edi Ramën. Unë nuk e mendoj të jetë kundër, por e kam menduar më të tërhequr, por sot shoh se statuset e tij ngjajnë me ato të zyrës së shtypit. Pikërisht për këtë i kam bërë kritikat; përshtatja, zelli që po tregon me përdorimin e gazit, apo protestën e studentëve s’më kanë lënë shije të mirë…kam menduar se do të jetë i tërhequr.
Nano: S’ka pasur dhunë nga policia në protestë
Gjekmarkaj: S’ka pasur dhunë as nga opozita, s’mund të quaj dhunë gërvishtjen, apo disa të rinj që i afrohen policisë. Përdorimi i gazit ka qenë i egër. Po kështu ndërhyrja e policisë në universitet më ka shqetësuar. Shoh një polici agresive me njerëzit e opozitës. Arrestimet pas çdo proteste, kjo të çon tek burgosja politike, burg të ndërgjegjes. Pra e kam parë ministrin e Brendshëm të përfshirë. Policia ka shumë zell…Kam menduar se Gjenerali do ishte më shumë shtetar se sa pushtetar.
Nano: Mendoj se duhet t’i jepni më shumë kohë, është njeri i ndershëm…
Gjekmarkaj: Ka kulturën që ka patur dhe ndershmërinë, por në sjelljen politike duhet kritikuar.