Nga Kastriot Çipi:
Ndërkohë që shembej tavani i një dhome në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, duke plagosur dy gra lehona (falë Zotit asnjë foshnjë), nga fasada historike e Teatrit Kombëtar shkuleshin shkronjat ndriçuese.
I njëjti shtet, që nuk kontrollon sigurinë e ndërtimeve dhe rindërtimeve të spitaleve, po shkatërron me dhunë objekte të trashëgimisë, që i kanë mbijetuar mungesës së mirëmbajtjes për dekada.
Por, pasi ka kaluar nata e hajnave me rroga shtetërore, skandali sapo ka nisur të shpërfaqet… dhe të thellohet. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, njeriu që për katër vjet me rradhë në post nuk shpenzoi asnjë qindarkë për mirëmbajtjen e ndërtesës, që u rreshtua pro shembjes së saj dhe u shpërblye me një mandat të dytë, e mohoi ngjarjen, prova e së cilës është aty, në zemër të Tiranës, në një shesh publik, ditën me diell. Ai i tha gazetares së Faxnews se “asnjë shkrojnë nuk është hequr nga fasada e Teatrit Kombëtar”.
Këtu ngrihen ca pikëpyetje të mëdha. Nëse drejtori i TK nuk ka dijeni, kush e dha urdhrin për heqjen e tabelës ndriçuese? Ministria e Kulturës apo Bashkia Tiranë? Deri tani asnjëri prej këtyre institucioneve nuk është shprehur.
Teatri Kombëtar është në varësi të Ministrisë së Kulturës dhe asetet e tij janë në pronësi të kësaj të fundit. Bashkia Tiranë, pra, nuk ka asnjë tagër ligjor dhe nëse ajo është përgjegjëse, atëherë skandali është i dyfishtë.
Por nëse urdhrin e ka dhënë zonja ministre e Kulturës, mbeten të gjitha pikëpyetjet e tjera: Pse natën? Pse u hoqën shkronjat? Ku ndodhen tani?
Në bazë të ligjit special për “Rindërtimin e Teatrit Kombëtar”, Ministria e Kulturës dhe Bashkia Tiranë duhet të bashkëpunojnë për të shpallur garën për projekte për “zhvillimin urban të zonës” dhe krijimin e komisionit negociator për vlerësimin e tyre. Por këto veprime duhet të bazohen në një Vendim të Këshillit të Ministrave, i cili nuk është miratuar ende, megjithëse afati ligjor ka kaluar qysh më 13 dhjetor 2018.
Atëherë pse u hoq emri i Teatrit Kombëtar nga fasada? A nuk është kjo, në rastin më të mirë, kompromentim i garës? Ligji special thotë se i takon komisionit negociator të vendosë për këtë ndërtesë. Kjo do të thotë se komisioni ka të drejtë edhe t’i refuzojë të gjitha projektet e paraqitur në garë dhe, në këtë rast, Teatri Kombëtar nuk ka arsye të shembet. Me këtë veprim, shteti tregon sa seriozisht e merr garën dhe ligjin, institucionet e drejtësisë dhe vetë nocionin e drejtësisë.
Bashkia Tiranë trumbeton me të madhe çdo gjobë për shkelje bari apo urinim gjatë protestave të opozitës, por nuk ka bërë ende asnjë koment për këtë dëmtim të pronës publike, në zemër të Tiranës dhe në bashkëpunim, të ndodhur para kamerave të Ministrisë së Brendshme dhe më pak se 70 metra larg vetë Bashkisë.
Orët e ardhshme duhet të mësojmë kush e dha urdhrin dhe cilët e zbatuan. Por nëse Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës nuk japin asnjë sqarim, atëherë duhet të ndërhyjë Prokuroria për të zbardhur të vërtetën.