Ditën e sotme, Kryetari i LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë Arian Galdini ka bërë dy postime në profilin e tij në facebook ku edhe paralajmëron anëtarët dhe simpatizantët e partisë së tij se LDE mund të mos ia dalë dot mbanë që të hyjë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.
Pedagogu dhe Kryetari i LDE Arian Galdini është aleati i parë dhe i vetëm i Lulzim Bashës që ka mbajtur një qëndrim konseguent properëndimor, kundër strategjisë së PD dhe Opozitës prej 16 shkurtit 2019 e këndej.
LDE dhe Galdini janë shprehur vazhdimisht kundër djegies së mandateve dhe kundër bojkotit të zgjedhjeve lokale.
Mesa duket LDE, me gjithë përpjekjen e saj për të marë pjesë në zgjedhje, si parti e djathtë dhe opozitare, nuk ia ka dalë mbanë që ti mbledhë dot firmat mbështetëse për listat e kandidatëve të saj për në Këshillat Bashkiakë.
Ja edhe dy postimet e plota të ditës së sotme, në profilin e facebook prej Arian Galdinit:
Postimi i parê:
Miq të LDE,
Mirëmëngjesi.
Ju falenderoj nga zemra të gjithë juve që më keni shkruar e telefonuar këto ditë.
Falenderoj me shpirt secilin prej mbi 2000 anëtarëve të Komunitetit LDE ngado nëpër gjithë Shqipërinë, për punën titanike që keni bërë me Grupet e Punës për të mbledhur firmat mbështetëse.
Ju jam mirënjohës dhe borxhli gjithësecilit prej jush dhe të gjithë juve bashkë.
Me mbledhjen e firmave ne nuk ia dalim dot.
Nuk ishim të përgatitur për këtë situatë.
Fajin kryesor e mar unë përsipër dhe ju kërkoj shumë të falur e ndjesë.
Duhej ta kisha parashikuar.
E kishim kritikuar pafund këtë Kod Kriminal Antiliri Elektoral PD – PS, por derisa e provuam në terren, nuk e dinim se ishte edhe më i keq sesa e kishim imagjinuar ne.
Ky Kod Vrastar i Lirisë është ndërtuar prej PD dhe PS që të vrasin ende pa lindur çdo mundësi e lëvizje të re.
Ky Kod tregon natyrën e vërtetë të PD dhe PS.
Prandaj ne si LDE refuzojmë çdo bashkëpunim të mëtejshëm me PD dhe partitë e tjera Opozitare në rast se PD sidomos nuk do të kërkojë ndjesë publikisht për Kodin që ka miratuar bashkë me PS.
PD dhe Opozita e çdo Parti e re apo e vjetër Opozitare apo Fraksion Parlamentar Opozitar, nuk duhen lejuar më që të bëjnë një Kod të Ri Privat me PS.
Kodi i ri Elektoral duhet të jetë fryt i një debati të gjerë madhor, politik, akademik e qytetar.
Përndryshe do të jetë as më shumë e as më pak veçse Kodi Privat Kriminal e Antiliri i PS me PD apo i PS me cilindo Fraksion Parlamentar.
Ne si LDE nuk do të bashkëpunojmë me askënd që nuk mer përsipër që ta kthejë çështjen e Kodit të ri Elektoral në një debat të shëndetshëm, të lirë, të sinqertë, të përgjegjshëm e transparent publik.
Kemi edhe pak ditë kohë për të kuptuar nëse LDE do të hyjë apo jo në këto zgjedhje.
Vendimi im personal dhe propozimi im në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare në dt 3 maj, do të jetë që edhe nëse ne ia dalim të adoptojmë një deputet të sapobetuar, apo nëse vendosim të bëjmë Koalicion me disa parti për hir të hyrjes në zgjedhje, LDE të mos konkurojë në gjithë Shqipërinë.
Edhe nëse ia dalim të gjejmë ndonje opsion të orës së fundit për të hyrë në zgjedhje me deputet të adoptuar apo me Koalicion Konvenience dhe Pragmatizmi, ne si LDE duhet të konkurojmë vetëm pjesërisht dhe vetëm në ato Bashki ku strukturat tona janë të gatshme të kenë sukses.
E megjithatë premtimi dhe betimi im për ju është ky:
Premtoj dhe betohem para Zotit dhe Ndërgjegjes sime e para gjithësecilit prej jush, se hyjmë apo jo në këto zgjedhje, për LDE nuk ka më kthim mbrapa.
Vala e Lirisë sapo ka nisur.
LDE do të ecë përpara bashkë me Valën e Lirisë.
Do të punojmë 100 fish më shumë që të ngremë e ndërtojmë strukturat e LDE nê çdo shtëpi, mendje e zemër shqiptari.
Do të punojmë me vendosmëri absolute sikur zgjedhjet të jenë nesër.
Nuk ka më pushim e as ndalje për LDE.
Dy alternativa kemi përpara:
Ose ia dalim mbanë, ose ia dalim mbanë.
Alternativë tjetër nuk ka.
Faleminderit.
Postimi i dytë:
Miq,
Kam vendosur që të porosis të gjitha Grupet e Punës së LDE që po punojnë për mbledhjen e firmave mbështetëse për kandidatët tanë nëpër Bashki, që ta ndalin menjëherë punën e tyre.
Ne nuk ia dalim dot ti mbledhim firmat.
Kjo është e vërteta.
Mes gjithë këtij terrori shtetëror dhe bandash, është e pamundur që qytetarët të na e japin firmat me fotokopje të kartës së identitetit.
Nuk ia dalim dot.
U përpoqëm dhe e provuam.
Në këtë pikë, me këtë nivel organizativ dhe strukturor që kemi ne si LDE, nuk ia dalim dot që ti mbledhim firmat.
Kjo është e vërteta e ndershme.
Fajin dhe përgjegjësitë i mar unë të gjitha përsipër.
Ju kërkoj ndjesë dhe të falur.
Dhe ju premtoj që nuk do ndalemi e nuk do dorëzohemi.
Moshyrja jonë në këto zgjedhje nuk është as qëndrimi ynë e as dëshira jonë.
Ne jemi pro zgjedhjeve dhe pro perëndimit.
Thjesht Kodi Kriminal, Privat, Antiliri PD – PS na e pamundëson pjesëmarrjen në këto zgjedhje.
Nuk ia dalim dot.
Kaq e thjeshtë është.
Po i shqyrtojmë 2 mundësitë që kanë mbetur, adoptimi i një deputeti apo koalicioni me parti të reja a të vogla.
Do përpiqemi deri në dt 3 maj kur do të mblidhemi në Asamblenë tonë Kombëtare, ku do marim edhe vendimin përfundimtar.
Mos u mërzisni.
Mos u shqetësoni.
Mospjesëmarrja jonë në zgjedhje nuk është fundi i betejës sonë.
Përkundërazi.
Kjo provë e sprovë e kësaj radhe, na motivon më shumë.
Ndihem thelbësisht më i motivuar dhe më i vendosur që të ndjekim Valën e Lirisë e ta ngremë LDE ngado, ngado, kudo nëpër Shqipëri, në çdo zemër, mendje e shtëpi shqiptari.
Do tia dalim.
Kthim mbrapa e dorëzim e ndalje nuk ka.
LDE sapo e ka filluar udhën e saj.
LDE është partia e së nesërmes.
Do tia dalim.