Skenari/ Manovrat për manipulimin e garës për Kryeprokuror

0
109

Ditët e pushimit zyrtar shtyjnë deri të Enjten afatin e aplikimit për kandidaturat për Prokurorin e Përgjithshëm me mandat të plotë 7-vjeçar. Procesi, një ndër më të rëndësishmit e Reformës në Drejtësi, në fakt po zhvillohet në “heshtje” prej muajsh.

Shumë të dhëna “indirekte” dëshmojnë se institucionet e reja, përfshirë Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kanë vepruar dhe po veprojnë në favor të të preferuarës së maxhorancës socialiste, Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku.

“Boldnews.al” ka përmbledhur një seri faktorësh, të cilat krijojnë dyshimin se gjithçka është e paracaktuar. E preferuara e Ulsi Manjës mund të arrijë të marrë mandatin e plotë, pavarësisht problematikave të theksuara që ka dëshmuar gjatë “përkohshmërisë” së saj në 1 vit e gjysëm në krye të institucionit të Akuzës.

“Loja” me numrin e kandidatëve
Kushtetuta parashikon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) duhet të realizojë një renditje të tre kandidatëve që marrin më shumë pikë gjatë fazës së vlerësimit të kryer nga ky institucion. Kjo listë tre-emërore i dërgohet Parlamentit, i cili duhet të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm me 84 vota (3/5). Nëse nuk sigurohen 84 vota deputetësh, atëherë automatikisht zgjidhet Kryeprokuror kandidati i renditur i pari në listën e KLP.

Pra, Kushtetuta kërkon të paktën 3 kandidatë, për të konsideruar procedurën e rregullt. I pari që kandidoi ishte prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela. Ai e ka shprehur vullnetin e tij për të drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme që në momentin e largimit të Adriatik Llalës. Por, Çela preferoi të mos përfshihej në garën për Kryeprokuror “të përkohshëm”, duke u përgatitur për kandidimin për mandatin e plotë.

Deri në fund të javës së kaluar, nuk kishte asnjë kandidat tjetër, ndërkohë që pritej aplikimi i Arta Markut. Vetëm me kandidaturën e Çelës dhe të pritshmen e Arta Markut, gara nuk mund të ishte e plotë.

Për këtë arsye, “u gjetën” edhe dy kandidatura të tjera-prokurorja e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj, e cila, sipas kolegëve të saj, nuk ka shfaqur asnjëherë interes për të pasur poste të larta menaxheriale; dhe Lulzim Alushaj, avokat i Top Channel, për të cilin nuk ka asnjë të dhënë nëse plotëson kriteret formale për postin e Kryeprokurorit.

Gjithësesi, me tre kandidaturat e javës së kaluar, përfshirë edhe aplikimin e Arta Markut paraditen e kësaj të Hëne, u arrit numri formal për të konsideruar procesin e rregullt kushtetues.

“Loja me Vetingun”
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hartuar një Rregullore të posaçme për garën për Kryeprokuror. Përtej kushteve formale ligjore, kandidatët duhet të plotësojnë edhe disa kritere të tjera, të cilat përmbajnë detaje që bëjnë ndryshimin e madh.

Kandidatët për Kryeprokuror, ndër të tjera, duhet të kenë kaluar Vetingun me vendim të formës së prerë. Pra, kandidatët duhet të jenë konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe duhet të mos kenë pasur ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA). Por, edhe nëse kanë pasur ankim në KPA, duhet që të jenë konfirmuar edhe nga shkalla e dytë e Vetingut.

Në kandidaturat e deritanishme është kjo situatë; prokuroret Arta Marku dhe Fatjona Memçaj janë konfirmuar me vendim të formës së prerë. Avokati Lulzim Alushaj do të përfshihet në Veting në momentin që mbyllet procesi i kandidimit, pra më 2 maj. Sipas Rregullores, vetingun për jo-magjistratët, pra përfshirë edhe Alushajn, do e realizojë Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Ky institucion ka detyrimin që, brenda 45 ditëve, të kryejë hetim të plotë e të thelluar për pasurinë dhe integritetin e avokatit Alushaj, një proces, për të cilin institucioni i specializuar, KPK, kërkon 7-8 muaj kohë.

LEXO EDHE  Rama, Thaçi e Vuçiç pinë verë me Macron e Merkel/ Çfarë po ndodh në darkën zyrtare (Foto)

Kandidati tjetër, Olsian Çela, nuk është përballur ende me seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ai është përfshirë në Veting që prej muajit Shtator 2018, por deri më tani, KPK ende nuk e ka mbyllur procesin e rivlerësimit ndaj tij.

Prokurori Çela duhet të shpresojë që KPK të përfundojë procesin e Vetingut deri në fillim të muajit qershor, kohë kur mbaron afati për shqyrtimin e kandidaturave. Gjithashtu, ai duhet të shpresojë që KPK ta konfirmojë në detyrë. Dhe, në fund, nëse konfirmohet, duhet të shpresojë që Komisioneri Publik të mos ankimojë vendimin e tij.

Pra, që ai të jetë kandidat formal për Prokuror të Përgjithshëm, duhet të shpresojë në vullnetin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të përmbushur procedurat në një kohë sa më të shpejtë. Nëse KPK, vonon sado pak procedurat, prokurori Olsian Çela mbetet jashtë garës për Kryeprokuror.

“Loja e KLP”
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) duket se është në favor të Arta Markut, për shkak të “koncensioneve” që kjo e fundit i ka bërë anëtarëve të institucionit përgjegjës të kandidaturave për Kryeprokuror.

Arta Marku i ka vënë në dispozicion Këshillit të Lartë të Prokurorisë zyra në ambjentet e Prokurorisë së Përgjithshme. Së bashku me zyrat, anëtarët e KLP-së janë pajisur me automjete dhe shoferë, të cilat janë pjesë e inventarit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjithashtu, kryetari dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në shkelje të çdo standarti, u bënë pjesë e “enturazhit” të Arta Markut në analizat vjetore të zhvilluara gjatë periudhës shkurt-mars 2019.

Organizata të Shoqërisë Civile, të cilat monitorojnë procesin e Reformës në Drejtësi, ngritën pikëpyetje të mëdha për angazhimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në krah të Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku.

Ndërkohë, Kryeprokurorja e Përkohshme ka punuar prej muajsh që në Këshillin e Lartë të Prokurorisë të jenë disa mbështetës të flaktë të saj. Deri më tani, të vetë-shpallurit si përkrahës së Arta Markut janë anëtarët-baxhanakë të KLP, prokurorët Besnik Cani dhe Vatë Staka.

“Loja me renditjen e kandidatëve”
Pak orë para mbylljes së afatit të aplikimeve, tashmë janë 4 juristë që synojnë postin e Kryeprokurorit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka 45 ditë kohë për të shqyrtuar dokumentacionin dhe për të renditur 3 të parët, të cilët do t’ia përcjellë Parlamentit për votim.

Në rastin se kandidati Olsian Çela nuk arrin që, brenda këtij afati, të përfundojë procesin e Vetingut me sukses dhe me vendim të formës së prerë, atëherë ai nuk do të jetë pjesë e listës që do t’i përcillet Parlamentit.

Në këtë mënyrë, lista do të kufizohet në 3 kandidatura, në të cilat, me shumë mundësi, Arta Marku do të jetë në krye të saj. Në kandidaturat e mbetura, Marku ka potenciale më të mëdha, për shkak se, jo për ndonjë meritë specifike, ka ushtruar detyrën e Kryeprokurores (me mandat të përkohshëm).

E, në këtë mënyrë, edhe nëse Ulsi Manja dhe Partia Socialiste nuk arrijnë të sigurojnë 84 vota, Arta Marku do të zgjidhet Kryeprokurore si rrjedhojë e renditjes së hartuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Gara formale për aplikimin për Prokuror të Përgjithshëm mbyllet të Enjten, 2 maj. Ende nuk dihet nëse do të ketë kandidatura të tjera për postin e Kryeprokurorin me mandat të plotë./ Boldnews.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here