Dibra 2016 – ‘bebe epruvetë’…

0
134

Nga Kastriot Islami

Ngërçi politik aktual lidhet me blerjen e votës dhe kërcënimin e votuesve për të tjetërsuar rezultatin zgjedhor.

Tjetërsimi i rezultatit zgjedhor në 2017 është kryer sipas një skeme të ideuar e përpunuar nga Rama dhe të aplikuar në një përmasë të vogël ose siç thuhet ndryshe përmes një ‘projekti pilot’ në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Dibrës për shkak të skandalit seksual që përfshiu ish kryetarin e saj rilindas, Shukri Xhelili.

Ndërkohë që ideatori dhe përpunuesi i këtij projekti pilot ishte Edi Rama, ‘zbatuesi’ në terren në Dibër ishte Damian Gjiknuri, i cili më vonë, për shkak të ‘suksesit’ të arritur në tjetërsimin e rezulatit zgjedhor, do të ‘gradohej’ për të aplikuar të njëjtën skemë edhe në qarkun e Vlorës ku Rama kishte vendosur kandidaturën për deputet.

Objektivi i kësaj skeme pilot të tjetërsimit të rezultatit zgjedhor ishte arritja e një rezultati ‘historik’ që do t’i garantonte Rilindjes fitimin e pushtetit i vetëm, ose siç do të shprehej Rama për sigurimin e ‘tepsisë dhe timonit’ nga vetëm ai. Thënë ndryshe përmes kësaj skeme do të goditej veçanërisht roli i LSI si king-maker, pra do të duhej të ‘vidheshin’ me të gjitha mënyrat e marifetet 10-13 mandate, për të mundësuar që Rilindja të drejtonte e vetme me 74-77 mandate.

Kjo skemë u ideua dhe orkestruar në mënyrë diabolike e makivalike nga Rama në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2016 në bashkinë e Dibrës. Në këtë kuptim Dibra 2016 është ‘bebe-epruvetë’ për manipulimin e zgjedhjeve të 2017.

1. Në Dibër 2016, u përballën shteti i Al-Kapones me opozitën … 

Asnjë parti politike në botë, sado e organizuar dhe përgatitur të ishte, sado perfekte të ishte drejtimi apo kandidati i saj, s’do të mund të konkurronte dhe të përballej me një bandë kriminalo-korruptive në pushtet. Aq më pak me një bandë të tipit Al Kapone por që ndryshe nga Al Kapone i Cikagos, jo vetëm që nuk luftohet nga shteti por drejton shtetin.

Kjo ndodhi në Dibër 201. Al Kapone në krye të qeverisë së bashku me shpurën e tij kriminalo-korruptive u ndeshën me opozitën politike, një përballje ekstremisht asimetrike. Në fakt,shteti i Al Kaponës u ndesh me një opozitë thjesht politike në drejtimin e së cilës ishte PD.

Një parti politike, të cilës ndër të tjera i duhet të përballet ende me shumë sfida të brendshme po ashtu si cdo parti tjetër në opozitë. Por sado e suksesshme të ishte në perfeksionimin e saj si strukturë politike, në hartimin e programit të saj, të alternativës së saj, të ekipit të saj, të aleancave, ajo do ta kishte të pamundur të përballej me sukses me një bandë kriminalo-korruptive në pushtet, me një bandë të tipit Al Kapone që drejton qeverinë.

Sepse nga eksperienca botërore e vendeve demokratike, nuk ka pasur deri më sot asnjë mënyrë sesi një përballje e tillë mund të dalë më sukses, sepse një përballje e tillë asimetrike as që bëhet fjalë të ndodhë në një vend demokratik. Dhe ndoshta ajo që ndodhi në Dibër provoi tezën se Shqipëria s’është vend demokratik dhe s’realizon zgjedhje të lira e të ndershme.

Shtrohet pyetja: Ç’duhet bërë dhe si dilet nga kjo gjendje? Kjo është një ngjarje jo ekzistente për një vend demokratik, prandaj është e vështirë që vëndet demokratike të japin ndonjë leksion për të tejkaluar këtë situate në një vend ku demokracia është në etiketë por jo në përmbajtje, pra kur bëhet fjalë për ‘demokraci fasadë’.

Ndoshta kjo qasje mund të shpjegonte edhe disa nga qëndrimet e këshillat e partnerëve ndërkombëtarë që e konsiderojnë Shqipërinë një ‘vend demokratik me probleme të mëdha’ ndërkohë që realisht demokracia në Shqipëri, mund të thuhet pa mëdyshje se ose s’ekziston ose në rastin më të mirë ajo është thjesht një ‘demokraci fasadë’. Ndërkohë që eksperienca e vendeve me regjime autoritare, qoftë diktatoriale qoftë të një pakice kleptokratike, apo ato hibride (Shqipëria klasifikohet si një rrëgjim hibrid, mes demokracisë dhe autoritarizmit), tregon se një përballje e tillë, mes një partie politike dhe një bande kriminalo-korruptive që drejton shtetin gjithnjë ka përfunduar me trazira pas-zgjedhore, apo përballje masive të qytetarëve me bandën ose me vendosjen e një regjimi policor e represiv. Shqipëria duket të jetë futur në këtë rrugë që nga viti 2013.

2. Dibra, përballja e një partie politike me korrupsionin, krimin e kanabisin në pushtet…

Dibra u konceptua si test nga të gjithë palët. Opozita politike tentoi të rifitonte një bastion të saj që nga të gjithë llogaritje politike rezultonte një objektiv realist por mbi të gjitha të testonte sa e gatshme do të ishte qeveria për tu kthyer në terrenin e një përballje politike ose e thënë më qartë sa e gatshme do të ishte qeveria për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme.

Kurse Rama e konsideroi Dibrën si vendin ku do të testonte/kalibronte projektin e tij pilot, pra manualin e blerjes së votave me të gjithë mënyrat, me synimin për të maksimalizuar suksesin e kësaj teknologjie në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2017.

Për Ramën ishte me interes të veçantë të testonte se në çfarë mase mund të përdorte ‘mekanizmin e ri të kanabisit’ dhe çfarë marzhi suksesi elektoral i siguronte ky element i përdorur për herë të parë në një shkallë kaq të gjërë. Shumë analistë e trajtuan Dibrën si testi i qëndrueshmërisë së aleancës PS-LSI apo edhe si test të zëvendësimit të votave të grumbulluara nga LSI nga votat e blera me mekanizmin e kanabisit.

Dibra, siç dhe rezultoi, do të ishte vendi më i përshtatshëm për të testuar një teknologji integrale të blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve, por edhe të anashkalimit të LSI apo më saktë të eliminimit të saj si faktor king-maker.

3. Blerja e votave dhe kërcënimi i votuesve në themel të suksesit elektoral…

Rama ka arritur në përfundimin se rruga më e lehtë e fitores në zgjedhjet e ardhshme lidhet me grumbullimin e mjeteve financiare për blerjen e votave dhe sigurimi i një çmimi sa më të ulët përmes varfërimit të qytetarëve.

Kjo skeme manipuluese duhet shoqëruar me terror psikologjik, qoftë mbi qytetarët, qoftë mbi bizneset, për ti frikësuar që ata i) ose të votojnë pro qeverisë, ii) ose të abstenojnë, iii) ose të largohen nga vendi. Kërcënimi në shumicën e rasteve realizohet përmes veprimit të përbashkët të policisë me individët me rekorde kriminale.

Ekipi i blerjes së votave përbëhet nga i) individë të pasuruar në mënyrë ilegjitime nga grabitja e aseteve e fondeve publike përmes tenderave dhe koncesioneve; ii) nga individë me rekorde të tmerrshme kriminale; iii) nga zotërues të medias klienteliste që kanë për detyrë të mashtrojnë publikun, të fshehin të gjithë bëmat e qeverisë dhe të kryqëzojnë çdo kundërshtar.

Rama, drejtuesi politik i kësaj skeme ja delegon formalisht kompetencën një ‘kupole’ të përbërë kryesisht nga i) një anëtar i qeverisjes klienteliste, dhe/ose ii) nga indivdë të njohur për rekorde të tmerrshme kriminale dhe/ose iii) nga politikanë e biznesmenë që mbajnë më vete valixhet/ çantat me paratë për blerjen e votave.

4. Mekanizmi i kanabisit për tjetërsimin e votave…

Një nga mekanizmat e rëndësishëm të tjetërsimit të rezultatit zgjedhor në Dibër 2016 ishte kanabisi. Ky mekanizëm do të testohej jo vetëm kundër opozitës por edhe për të goditur LSI. Blerja e votave përmes përdorimit të kanabisit do të kryhej përmes një bashkëpunimi të ngushtë të i) rrjetit të policëve dhe ii) individëve me rekorde kriminale. Tre ishin teknologjitë e blerjes së votës përmes kanabisit:

A) Joshja e kultivuesve të kanabisit.

Drejtorëve e policisë në qarqe dhe/ose shefave të komisariateve në rrethe, të emëruar nga Rama-Tahiri, u ishte dhënë orientim të zbulonin të gjithë terrenet e përshtatshme për kultivimin e kanabisit dhe të evidentonin pronarët e tyre si dhe përkatësinë e tyre politike.

Atyre iu premtuan pagesa e qirasë së tokës, pagë për punën dhe eventualisht një pjesë e fitimit, por e gjithë kjo në shkëmbim të një sasie votash që do të kaloheshin në favor të kandidatit qeveritar, veçanërisht merrnin prioritet të gjithë ata që ishin votues të opozitës.

B) Kërcënimi i kultivuesve të kanabisit. Përveç joshjes, individët me rekorde kriminale, në lidhje të ngushtë me policët e zonës, u instruktuan të përdorin edhe ‘kërcënimin’. Sa herë një individ, i majtë apo i djathtë, evidentohej se kishte mbjellë kanabis atij i kërkohet të siguronte një sasi votash opozitare, përndryshe parcela shkatërrohej dhe/ose personi kërcënohej se do të përfundonte në pranga nëse nuk pranonte të siguronte një sasi votash për kandidatin e Rilindjes.

C) Sigurimi i parave për blerjen e votave përmes shit-blerjes së kanabisit. Një pjesë e konsiderueshme e parave për fitime personale por edhe për blerje të votave do të siguroheshin nga policia dhe individët me rekorde kriminale nga kultivuesit e kanabisit të cilëve ju sigurohej i gjithë procesi i kultivimit, që nga mbjellja deri në grumbullimin e ‘fryteve’ nga agjentët e qeverisë.

5. Mekanizmi i blerjes së votës me paratë e korrupsionit, trafiqeve…

Kjo është një dukuri e aplikuar nga Rama në 2013, në zgjedhjet e pjesshme në Korçë, në zgjedhjet vendore në 2015 dhe në zgjedhjet e pjesshme në Dibër, madje e evidentuar në raportet e OSBE-ODHIR dhe/ose nga media investigative. Para të kesh sigurohen:

i) nga kultivimi i kanabisit (së fundmi), ii) nga biznesmenët e klientelës nga fitimet e tenderave apo koncensioneve e dhëna në mënyrë klienteliste nga Rama,

iii) nga paratë e trafiqeve, veprimeve kriminale, gjobat ndaj bizneseve,

iv) dhe nga politikanët e korruptuar që detyrohen të derdhin ‘kuotën e tyre’.

Çmimi i votës është në përpjesëtim të zhdrejtë me varfërinë e individëve, pra më të varfërit i blihet vota më lirë.

6. Mekanizmi i veresije ve apo faturave të papaguara të dritave…

Çdo ditë e më shumë, shumë individë apo familje, pa të ardhura apo edhe me asistencë, por edhe ato me paga të ulëta që nuk janë më në gjendje të paguajnë faturat e dritave apo detyrohen të marrin ushqime me pagesë të vonuar dhe që shënojnë emrat në librat e dyqaneve të ushqimeve (veresije) kanë qenë në shënjestër të skemës për tjetërsimin e rezultatit zgjedhor në Dibër 2016.

‘Kandidati’ së bashku me ‘biznesmenin sponsorizues’ kalonin dyqan më dyqan duke paguar ‘veresijet’ e të gjithë atyre të varfërve që kishin pranuar të jepnin votën e tyre në shkëmbim të kafshatës së bukës; madje ne javët e fundit të fushatës, për disa individë që kanë dhënë garanci për votën në favor të rilindjes, disa prej tyre do t’ju paguhej edhe një shumë parash  avancë deri në tre muaj për një listë minimale ushqimesh.

Por së fundmi edhe agjentët e OSHE, kanë qenë intensivisht të angazhuar në anulimin e faturave për këtë kategori individësh në shkëmbim të votës së tyre në favor të rilindjes.

7. Kërcënime për heqje nga puna/premtim vendesh pune/dhënie e asistencës sociale…

Në Dibër ky mekanizëm është përdorur duke realizuar punësime gjatë ditëve te fushatës, apo duke futur në listën e asistencës një numër të madh individësh që ndoshta edhe e meritonin por që ishin lënë në harresë. Askush s’do të ishte kundër punësimeve apo futjes së disa prej tyre në listën e asistencës sociale, veçanësisht të gjithë atyre që e meritonin; por shqetësimi lidhet me faktin se ky veprim u krye gjatë fushatës elektorale në shkëmbim të votës.

Krahas dhënies së këtyre ‘incentivave’, në Dibër u aplikua edhe kërcënimi me heqje nga puna ndaj atyre që klasifikoheshin opozitarë, të punësuar si mësues, mjekë, apo gjetiu. Atyre u kërkohej ose të provonin përmes fotografimit të votës angazhimin e marrë për të votuar pro rilindjes ose të mos merrnin pjesë në votim nëse do ta kishin të vështirë të votonin pro Rilindjes.

8. Mekanizimi i kërcënimit me ndërprerjen e investimeve…

Një nga sjelljet më skandaloze, penalisht të dënueshme, të evidentuara në Dibër, të artikuluara  nga Damian Gjiknuri është ajo e kërcënimit të votuesve duke i kërkuar:

i) ose votoni kandidatin e Rilindjes ii) ose s’do të ketë fonde nga buxheti i shtetit për bashkinë opozitare për shkak të gabimit që qytetarët kanë bërë duke mos votuar kandidatin e Rilindjes.

Ky është një veprim që mund të asgjësohej ose përmes veprimit të Prokurorit të Përgjithshëm ose me abandonimin e zgjedhjeve.

9. Klima e terrorit nga grupet kriminale në bashkëveprim me policinë…

Kupola e korruptuar dhe kriminale, e emëruar dhe instruktuar nga Rama për të drejtuar fushatën e manipulimeve elektorale, u instalua në terren me zhurmën dhe mjetet e një ‘bande kriminale-elektorale’.

Synimi është të përhapet përmes terrorit psikologjik objektivin e fitores së padiskutueshme. ‘Të fortët’ e Rilindjes ushtruan terror psikologjik në rrugët e qytetit me makina të shtrenjta e të blinduara apo ndonjëherë do të mjaftonte lajmi se ‘krye i forti’ është i gatshëm për veprime të dhunshme kurse natën lëvizin hajdutët e kusarët e fshatit që me telefona celularë të huazuar për tre katër javësh, komunikonin me shefat e tyre kriminalë apo që herë pas herë takoheshin edhe nga shefat e policisë.

Kjo klimë terrori psikologjik u përhap për të instaluar te kundërshtari idenë e humbjes së sigurtë sepse Rilindja ‘kishte marrë vendim të bënte gjithçka, madje deri edhe përplasje fizike’ për të cuar në vend porosinë e kryetarit të madh, për të realizuar me çdo kushte e mjet objektivin e një ‘fitoreje historike’. Ata deklaroheshin të gatshëm të bënin çdo manipulim apo deri edhe goditje fizike ndaj kujtdo nëse ndjenin se kundërshtari i tyre do të jepte shenja se mund të fitonte. Madje ata përhapnin edhe lajme të rrema se do të ndërronin kutitë e votimit apo do të blinin edhe komisionarët , thjesht për ti krijuar idenë te votuesit e opozitës se ‘kot e keni që mundoheni se e kemi ndarë mendjen për fitore të thellë’…

Media klienteliste në shërbim të qeverisë sulmonte opozitën…

Rama kontrollon duke e ushqyer me paratë e pista të trafiqeve, të aferave korruptive, të individëve me rekorde kriminale, të biznesmenë klientelistë që fitojnë në mënyrë selektive tendera e koncesione, mbi 80 për qind të medias.

Media klienteliste e Ramës ka për detyrë kryesore i) të mos nxjerrë në media asnjë qëndrim të opozitës dhe mundësisht ta vendosë atë në terr të plotë; ii) të fshehë të gjithë skandalet e pushtetit dhe të iii) sulmojë, denigrojë, shajë opozitën dhe çdo kundërshtar të Ramës. Një nga orientimet që merr dhe aplikon media pranë qeverisë është relativizimi i skandaleve të Ramës dhe krijimi i idesë se të gjithë janë njëlloj. Në fushatën zgjedhore të Dibrës 2016, media klienteliste pati një angazhim ekstrem deri vënë në përdorim individë me rekorde kriminale, trafikantë, individë të sëmurë mendërisht, dhe sharrës me pagesë që arrinin te përdornin një fjalor banal rruge kundër cdo kundërshtari të Ramës.

10. Ja përse gjithçka filloi nga Dibra 2016…?

Në Dibër përballja ishte asimetrike, mes një opozite politike që kishte në përdorim mjete e burime njerëzore karakteristike për një strukturë politike dhe një bande kriminale-korruptive, në pushtet dhe që ka kapur në çdo aspekt shtetin. Skema e blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve është tashmë e qartë, në themel të saj ishin paratë e korrupsionit, kultivimi i kanabisit dhe individët me rekorde të tmerrshme kriminale. Asnjë parti politike në botë, sado e organizuar dhe përgatitur të ishte, s’do të mund të konkurronte dhe të përballej me një skemë të tillë korruptive-kriminale.

Dy do të ishin mundësitë i) përballja masive me këtë model jo politik dhe ii) ndërhyrja e fuqishme ndërkombëtare që në bashkëpunim me forcat progresiste vendore do të çmontonin një regjim të tillë. Koha është një parametër shumë i rëndësishëm.

Heshtja e partnerëve dhe angazhimi i tyre jo në momentin e duhur do të ishte në favor të destabilitetit, të trazirave, kaosit dhe përballjes masive. Në këtë situatë duket sikur shqiptarët e kanë gjetur zgjidhjen më të lehtë: të largohen nga vendi, drejt Europës me ‘vizën e lirë’ apo drejt SHBA me ‘green card’.

Shqipëria, tre vjet më vonë, në 2019, gjendet përballet të njëjtës sfidë, ndoshta në një krizë edhe më të thellë e më të rëndë. Sepse në zgjedhjet e përgjithshme Edi Rama arriti të kapte plotësisht shtetin duke marrë i vetëm ‘tepsinë e timonin’ e pushtetit përmes një skeme të tjetërsimit të rezultatit zgjedhor, të cilën e kishte testuar me ‘sukses të plotë’ në Dibër 2016 nën drejtimin e tij direkt dhe nën menaxhimin e Damian Gjiknurit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here