PD së bashku me aleatët po punon për hartimin e një platforme të detyrave që do të ketë qeveria tranzitore.
Duke e cilësuar si kusht të panegociueshëm për të hyrë në zgjedhjet vendore krijimin e një qeverie tranzitore, demokratët janë duke punuar dhe do të prezantojnë detyrat që do të ketë kjo qeveri.
Sipas burimeve nga grupi i punës që është duke punuar për këtë platformë, detyra kryesore që do të ketë kjo qeveri e mandatuar me konsensusin e të gjithë aktorëve politikë do të jetë përgatitja e zgjedhjeve të parakohshme.
Demokratët pritet të kërkojnë që kjo qeveri të punojë me një afat 3-6 muaj deri në zhvillimin e zgjedhjeve. Gjithashtu, pritet që të kërkohet për depolitizim të komisioneve zgjedhore. Në fokus të qeverisë tranzitore do të jetë edhe miratimi i Kodit të ri Zgjedhor, nga i cili, aktualisht, për shkak të lënies së mandateve, janë të përjashtuar PD dhe LSI.