Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka pasur replika të ashpra sonte në Open me kryeredaktorin e gazetës Panorama, Robert Rakipllari, lidhur me temat e nxehta të Samitit të Berlinit, që kanë të bëjnë me kufinjë Kosovë-Serbi, dhe atë të hapjes së negociatave të BE me Shqipërinë. Që në fillim janë vërejtur tone nervozizmi. Ai u gjet nën presionin e analistëve se përse nuk hapen negociatat në qershor, siç është propaganduar nga Rama.
Cakaj iu drejtua Iliazit duke i thënë se nuk bënte dot psikiatrin politik për të qetësuar atë. Iliazi i indinjuar, tha se s’mund të fliste ashtu, po duhej të jepte llogari pse nuk hapen negociatat.
Gjatë gjithë debatit, kryediplomati pati tendencën të korigjonte gazetarët e pranishëm, ne veçanti Rakipllarin. Në një moment, Cakaj kërkoi të transmetohej intervista e tij “e famshme”, për të cilën ai është akuzuar se ka qënë në mbështetje të ndryshimit të kufirit Kosovë-Serbi, ç’ka ishte dhe një nga argumentat e Presidentit për refuzimin e tij si Ministër i Jashtëm.
Me këtë insert nga intervista, Caka i sfidoi të pranishmit, duke u thënë ja cila është e vërteta.
Rakipllari i tha Ministrit në detyrë se nuk i intereson mendimi i tij personal për këtë çështje, pasi, sipas tij, ai është “askushi”, nuk përfaqëson asgjë. “Ti vjen nga hici dhe bëhesh Ministër, nuk ke një kontribut, kështu që nuk më intereson mendimi yt personal, më duhet mendimi yt si Ministër”, tha Rakipllari.
Debati ishte i nxehtë. Cakaj u shfaq pedant dhe ishte e pamundur për ti marrë dëshmi e detaje nga takimet e Berlinit, ku ai ishte i pranishëm. Por debati nisi keq dhe me agresion. Ministri u ndje i sulmuar dhe ishte gjithë kohës në mbrojtje, duke shpenzuar shumë energji për përgenjështrimin e opinioneve që po gëlojnë pas Samitit të Berlinit, dhe pa pasur shumë mundësi për të bindur opinionin në lidhje me shtyrjen e negociatave dhe arsyet pse kjo po ndodh në mënyre ciklike.