Banorë të Unazës së Re e kanë zhvendosur protestën para komisariatit numër 6 në kryeqytet, duke kërkuar lirimin e të ndaluarve në protestën e zhvilluar më herët te “Fabrika e Miellit”.
“Lironi djemtë tanë, Rama ik” ishin disa nga thirrjet e banorëve.
Ish-nënkryetari i PD-së është në mbështetje të banorëve. Edi Paloka tha se Rama po e çon vendin në përplasje. Lidhur me protestën te “Fabrika e Miellit”, ai sqaroi se banorët kanë dalë në rrugë pasi panë forca të shumta policore dhe menduan se policia po u prishte banesat.
Paloka denoncoi edhe dhunën policore gjatë protestës. “U sulën si bisha ndaj qytetarëve”, tha ai.
Më tej, tha se Rama nuk ndalet përballë asgjëje për të përfituar nga projekti korruptiv te Unaza.
“I shoqëruar në komisarit është dhe deputeti Klevis Balliu, se është deputeti i shqiptareve pasi ka marrë votat. Është i mbyllur në komisariat se doli në mbështetje të banorëve”, tha ai lidhur me shoqërimin e Klevis Balliut.
Disa të plagosur
Disa protestues kanë mbetur të plagosur nga dhuna policore.
Protestuesit thanë se dy gra dhe tre burra janë në gjendje të rëndë nga dhuna fizike që policia ushtroi ndaj tyre dhe përdorimi i sprajit lotsjellës.
Zhvendoset protesta
Protesta e banorëve të Unazës është zhvendosur në vendin ku mbahet çdo pasdite.
Protestuesi humb ndjenjat
Njëri nga protestuesit ka humbur ndjenjat. Banorët i kanë dhënë ndihmën e parë dhe e kanë transportuar deri te autoambulanca, që ndodhej pranë vendngjarjes.
Përplasje mes policisë dhe banorëve
Tensionohet situata te “Unaza e re” në kryeqytet. Policia është përplasur fizikisht me banorët të cilët po protestojnë në zonën pranë “Fabrikës së Miellit” ku kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim. Forca të shumta policia janë vendosur rreth biznesit ku ndodhet kryeministri Rama dhe u kanë kërkuar protestuesve të lirojnë rrugën.
Burime nga vendngjarja thanë se policia ka tentuar të shoqërojnë me forcë një banor, por të tjerët kanë ndërhyrë duke mos i lejuar. Megjithatë, disa banorë janë shoqëruar nga policia duke u futur në furginin e Policise nga efektive. Mes tyre ishte edhe ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu.