Një falenderim për Sali Berishën…

0
144

Sali Berisha mund të ketë shumë krime, mëkate dhe padrejtësi mbi shpinë, por sot, në perëndim të karrierës së tij politike, i duhet njohur një meritë e pamohueshme.

Ai qe i pari që denoncoi me pathos, që luftoi ditë pas dite, që nuk iu nda asnjë moment, as Hashim Thaçit, as Edi Ramës dhe as kërkujt që i doli përpara, për mbrojtur idenë e copëtimit të Kosovës.

Ai luftoi që në gusht të vitit të kaluar sapo presidenti Kosovar organizoi atë shfaqjen e shpifur me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës që i kërkonin bashkimin me trojet amë.

Ai i priti preshevarët në zyrën e tij, u bëri me dije se po i përdornin dhe i etiketoi me emër “argatët e Beogradit”.

Ndoshta jo për ekses patriotizmi, – për këtë askush nuk mund të vërë bast, – por për shkak të dosjeve që ka pasur në tryezë dhe si pasojë e propozimeve që ka pasur si ish president dhe kryeministër i vendit, ai lëshoi i pari alarmin se ideja e ndryshimit të kufijve qe një ide e pastër serbe.

Pas tij dhe polemikës së fortë që pati me Hashim Thaçin, një nga një u pozicionuan kundër atij që fillimisht na e shitën si plan amerikan edhe LDK edhe Vetëvendosja edhe më pas shumë faktorë të tjerë shqiptarë.

Po të shikohet kalendari, Sali Berisha ka meritën se foli rreth dy javë më parë sesa të dilte publikisht kancelarja Merkel.

Ai ka meritën se ka marrë peshë në këtë betejë pothuaj sa e gjithë PD-ja dhe opozita bashkë.

Prandaj, sot kur “profecia” e tij, ka rezultuar e vërtetë, kur në më se dy intervista Aleksandar Vuçiç ka pranuar se plani i copëtimit të Kosovës ishte i tij, kur ai ka thënë se përpjekja u bë për të mos lejuar që Kosova të fitonte sovranitetin me territorin e saj të plotë, Sali Berisha e meriton një falënderim me gojën plot.

Beteja e për denoncimin e planit të Vuçiçit dhe e mbështetësve të tij shqiptarë, ishte sa vetmitare aq edhe epike. Ajo është një nga ato momente që shkruhen në historinë plot zigzage të një burri shteti.  ©Lapsi.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here