ALARMI! Del dokumenti/ Rama do të rikrijojë Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste

0
110

Nga Kastriot Dervishi

Kuvendi i Shqipërisë, përfshiu në kalendarin e punimeve të tij, në rendin e parë madje, rikrijimin e institutit të shoqes Nexhmije dhe shokut Sevo, i cili do i tregojë popullit, sa të mirë ishin komunistët gjatë luftës. Projekti qëndronte në sirtar qysh nga vitit 2016. Vetëm pas krijimit të tij do të mund të shqyrtohet rezoluta e ISKK-së. Pra, thënë hapur, na pranoni krimet e luftës për heroizma që për kompensim t’ju lejojmë të ekzistoni.

E bukura është se këtë projektligj do ta shqyrtojë komisioni i sigurisë kombëtare, a thua kemi të bëjmë me elementë madhorë, informacion të klasifikuar apo kushedi se çfarë. Mirëpo, kjo donte pak atmosferë të kuqe.

Persekutorë pleq e pasardhës të tyre, të cilët shijojnë të mirat materiale të kapitalizmit, por mendjen e kanë te të këqijat e komunizmit, prej më shumë se një muaji ndërmorën një sulm sa idiot aq e humoristik dhe estradesk ndaj Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), në mënyrë që t’i hapnin rrugën rikrijimit të Institut të Studimeve Marksiste-Leniniste që dikur drejtonin shoqja Nexhmije Hoxha dhe shoku Sevo Tarifa.

Nuk lanë kalbësirë, hekurishte, ndryshk apo skorie komunizmi pa na sjellë me atë gjuhën tipike ordinere në mbrojtje të regjimit më terrorist dhe antikombëtar që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, atij komunist, i cili ia ka kaluar për nga egërsia, çdo pushtimi mizor. Nuk lanë kriminel pa na bërë hero, duke pohuar shprehjen e Dritëro Agollit se ata nuk rinovohen kurrë.

Bijtë e këtyre partizanëve të 1944-s, të cilët ishin shqepur me makarona fashizmi gjithë kohën e pushtimit fashist, na kujtonin se e kishin “fituar luftën” (nënkuptohej me shqiptarët antikomunistë) qysh vitin 1944.

Komentonin një libër pa e lexuar fare atë, libër i cili ishte ndërtuar me ato që kanë thënë “heronjtë” e tyre. Kalonin nga lufta te hidrocentralet e kënetat, me një gjuhë që shqiptarët e njohin mjaft mirë qysh nga koha e triskave të socializmit. Duke qenë se natyra nuk i falur zgjuarsi, por vetëm injorancë dhe egërsi, bënë veprime që janë me kilometra larg të lexueshme e të dallueshme. Instituti propagandistik i Nexhmijes dhe Sevos, për shumë vite ishte kryeagjitatori i propagandës për gjasme luftën e madhe që është bërë në Shqipëri dhe rolin e diktatorit në të. Tanimë, këta, do ta ngrenë sërish Enverin e tyre si “udhëheqës i madh”. Sigurisht ata që nuk do përmenden fare sikur nuk ekzistojnë, do jenë Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha, Velimir Stojniçi, etj.

Një këshillë kam për këta falsifikatorët enveristë të menduar e të përfolur në krye të këtij instituti (edhe emrin ia di drejtuesit). Korpusi i dokumenteve që i takon luftës është identifikuar dhe digjitalizuar prej kohësh nga studiuesit (ndër të cilët edhe unë) bashkë me krimet e komunistëve, siç i kanë shkruar vetë ato. Në gjithë veprimtarinë e ardhshme propagandistike do jeni tërësisht të zbuluar sa herë do orvateni të bëni falsifikime siç bënte dikur instituti i Nexhmijes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here