Arrestohen tre autoret e dyshuar te grabitjes se 76-vjeçar në qytetin e Peqinit, mes tyre nje vajze e re si dhe eshte shpallur ne kerkim nje 19-vjecar.
Policia ben me dije se ka zbardhur ngjarjen dhe ka vene ne pranga autoret, te cilet pasi i kanë dhënë një lëng për t’i “paralizuar” kujtesën, i kanë vjedhur banesën.
NJOFTIMI I POLICISE
Policia zbardh ngjarjen, identifikon dhe arreston autorët e dyshuar të vjedhjes së banesës të shtetasit S.Z., ndodhur më datë 08.05.2019.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Peqin, pas një pune të mirë-organizuar hetimore dhe profesionale dhe në bazë të provave të grumbulluara, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasve:
B.H., 30 vjeç, M.Ll., 27 vjeç, të dy banues në Peqin dhe E.Sh., 27 vjeçe , banuese në Durrës.
Si dhe vijon puna intensive për kapjen edhe të një prej autorëve të dyshuar të vjedhjes i cili është shpallur në kërkim, shtetasi S.I., 19 vjeç.
Arrestimi i tyre u bë pasi, dyshohen se në bashkëpunim me njëri- tjetrin, më datë 08.05.2019, kanë vjedhur në banesën e shtetasit S.Z., një sasi të kosiderueshme parash.
Materialet hetimore në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprën penale ” Vjedhja”.
Ngjarja ka ndodhur mbasditen e së martës, ku sipas deklaratave të të moshuarit Skënder Zeqiri, një çift bashkëshortësh rreth të 50-ve kanë trokitur në banesën e tij dhe i kanë kërkuar që zonja të hyjë në tualet për të kryer nevojat personale.
76-vjeçari i ka pranuar të hyjnë brenda, por sapo ka mbyllur derën, çifti i ka ofruar një pije. Pasi ka pirë lëngun, i moshuari nuk ka mundur të bëjë asnjë lëvizje, sepse e ka paralizuar përkohësisht. Pavarësisht kësaj, i moshuari është përpjekur që të bëjë rezistencë. Kjo i ka detyruar autorët që ta lidhin.
Më pas, çifti ka nisur të kontrollojë në banesë dhe kanë gjetur e marrë bizhuteri me vlerë, si edhe dyshohet se i kanë marrë edhe një sasi prej rreth 60 mijë eurosh. 76-vjeçari ishte tregtar rrobash në Peqin dhe paratë i kishte të ardhurat nga aktiviteti prej shumë vitesh.
Dy autorët, pasi kanë përvetësuar shumën e parave, janë larguar duke humbur çdo gjurmë. Kur i ka ardhur kujtesa, i moshuari ka nisur të bërtasë dhe kanë qenë fqinjët ata që kanë hyrë në banesë, duke mësuar për ngjarjen dhe më pas kanë lajmëruar Policinë. Kjo e fundit ka dalë në një deklaratë për mediat 24 orë pas ngjarjes. Policia shpreson që të arrijë në identifikimin e autorëve përmes shenjave të gishtërinjve që mund të kenë lënë në banesë apo të ndonjë dëshmitari që mund t’i ketë parë duke hyrë apo duke u larguar nga banesa e 76- vjeçarit.
“Në datën 08.05.2019, rreth orës 14:00, Policia u njoftua se në lagjen ‘Xhami’ të Bashkisë Peqin, është vjedhur një banesë. Menjëherë u ngrit grupi hetimor dhe u shkua në banesën që ishte e vjedhur dhe i përkiste shtetasit Skënder Zeqiri, 76 vjeç. Nga veprimet paraprake të kryera, rezulton se rreth orëve të paradites, te shtëpia e tij ka shkuar një çift, me pretendimin se gruaja kishte nevoja personale. Ata dyshohet se i ka dhënë për të pirë një shishe me lëng të moshuarit, duke i paralizuar kujtesën. Dy shtetasit ende të paidentifikuar kanë marrë një shumë parash dhe janë larguar pa ushtruar dhunë ndaj të zotit të banesës, i cili tashmë ndodhet në spital për ndihmë mjekësore, si pasojë e pijes së konsumuar. Grupi hetimor ka kryer të gjitha veprimet, duke grumbulluar çdo provë të mundshme që do çonte në identifikimin dhe kapjen e autorëve. Njëkohësisht, shtetasit i është marrë mostër gjaku për të përcaktuar nëse ka elemente toksikologjike si pasojë e konsumimit të lëngut. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “Vjedhjes”.