Briken Fejzullai në një reagim të bërë në rrjetet sociale, thotë se qeveria shqiptare do të detyrohet që ti paguajë Agon Channel një shifër më të madhe dëmshpërblimi, nga sa u tha dje në media.
Sipas tij qeveria do të jetë e detyruar që të paguajë rreth 300 milionë euro, pasi në këtë futen dhe dëmi moral, dëmi financiar, si dhe pagesat e proceseve gjyqësore dhe avokatëve super të shtrenjtë.
”Tani, unë e kam një gjysëm ideje se si të paguhen këto para, pa i rënë qafë buxhetit të shtetit:
Konfiskohen pronat dhe llogaritë e “Ali Babës dhe 40 Hajdutëve” dhe dalin paratë e Beçhetti-t, ato të Rinasit dhe eurot që i duhen Belës, për autostradën Tiranë – Durrës”, shkruan më tej Fejzullai.
Reagimi i plotë i Fejzullait:
Nuk dua të bëj Tan Hoxhën e situatës… por “nga informacionet që kam unë”, flitet për 300 milion € minimalisht, të cilat shteti shqiptar duhet të paguajë në çështjen kundër Beçhetti-t. Jo 110 por plot 300 milion €.
Këtu përfshihet dëmi financiar, dëmi moral, parcela e superkripur e superavokatëve të italianit (i cili nuk e ka për herë të parë, që fiton gjyqe multimilonëshe) dhe shpenzimet e gjyqit.
Plus 4 vjet rroga të plota, për këdo që shteti ynë sypetrit e i patrembur, ka lënë arbitrarisht pa punë.
Sepse me arrogancën që i karakterizon, këta as nuk morën mundimin të zgjidhnin problemet e kontratave të mbetura pezull dhe jo të mbyllura, por thjesht morën e nxorrën nga drejtorët deri tek sanitaret, në rrugë të madhe.
Fakti që akoma nuk është bërë publike, është sepse po tentohet të negociohet për herë të fundit, shifra tmerrësisht e lartë, të cilën shqiptarët duhet ta paguajnë, për kapriço të “Mbretit të Marrë”.
Tani, unë e kam një gjysëm ideje se si të paguhen këto para, pa i rënë qafë buxhetit të shtetit:
Konfiskohen pronat dhe llogaritë e “Ali Babës dhe 40 Hajdutëve” dhe dalin paratë e Beçhetti-t, ato të Rinasit dhe eurot që i duhen Belës, për autostradën Tiranë – Durrës.
Pastaj, nëse këta të thekurit që bëjnë “share” çdo gjë të partisë dhe mërziten sa herë ne “budallenjtë” ngrejmë zërin për idiotësirat dhe padrejtësitë që ndodhin çdo ditë në këtë vend janë kundra; le të bëjnë një kuletë dhe të paguajnë të gjithë bashkë, për Zotin e tyre dhe traplliqet e tij prej adoleshenti inatçor.