Nga Herion Mesi
Kryeministri i vendit tim e shikon popullin opozitar si popullin e destinuar që të vuajë përgjatë qeverisjes së tij, si shenjë proporcionaliteti ndaj asaj çfarë i ndodh popullit të tij, kur ai është në opozitë, duke na thënë që “popull” është ai që rri në shtëpi, nuk bëzan, është i kënaqur, nuk ka ankesa nga politikat e tij qeverisëse, pra nuk ka arsye pse të protestojë. Akoma më serioze bëhet situata kur brenda javës kryeministri i vendit tim detyrohet që të dalë tre herë para medieve të bëjë gallata me atë çfarë ndodh në rrugët e kryeqytetit, teksa deklaron që protestat e opozitës dëmtojnë Shqipërinë, por jo Qeverinë e tij, a thua se ky tipi po qeveris në Amsterdam dhe se Holanda është vendi që po i prish imazhin Shqipërisë me denoncimet e saj të rritjes së kriminalitetit nga bandat shqiptare.
Por përtej kësaj ka dhe diçka më serioze! Kryeministri i vendit tim “ka të drejtë” kur thotë që opozita vetë kërkoi të dilte jashtë sistemit, ndaj ajo duhet të vuajë pasojat e vendimmarrjes së saj, duke mos marrë pjesë në jetën parlamentare, si dhe duke mos u bërë pjesë e procesit zgjedhor të parashikuar për t’u mbajtur më 30 qershor. “Opozita iku, qafën theftë!”, duket sikur është mesazhi i mazhorancës qeverisëse.
Dhe për këto arsye kjo opozitë “e papërgjegjshme”, e cila flamurin e betejës së saj ka kthimin e vendit në kushtetutshmëri dhe rikthimin e institucioneve ligjzbatuese në rendin normal të një vendi demokratik, gabon kur kërkon (të paktën parimisht) garanci që në vendin tim të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme, ku çdokush që vendos të shprehet me votë të mos ketë frikë nga deformimi i saj.
Duke marrë shkas nga këto gabime të njëpasnjëshme të opozitës, i jap të drejtë kryeministrit që me kokëfortësinë e tij nuk heq dorë nga dëshira që një herë të vetme gjatë qeverisjes së tij të zbatojë Kushtetutën (që nuk ekziston, për shkak se nuk ka kush gjykon kushtetutshmërinë e vendimmarrjeve të tij), duke mos hequr dorë jo vetëm nga rimbushja e Parlamentit, që ngjan me rimbushjen e kartave celulare, ku e vetmja domosdoshmëri është e folura, por pa thelb dhe pa krye, por kryeministri i vendit tim është i vendosur që të respektojë edhe datën e përcaktuar për zgjedhjet vendore.
Është fat i madh për ne si popull që pas më shumë se 6 vitesh shikojmë këmbënguljen për të zbatuar ligjin themeltar të shtetit, Kushtetutën!
Në këtë kuadër, kryeministri i vendit tim edhe pse thotë që nuk shqetësohet nga opozita, protestat e saj, denoncimet e saj, e ku di unë tjetër, ka nisur punën intensive për zhvillimin e garës zgjedhore duke përcaktuar dhe kush do jenë kandidatët e PS-së për një garë pa kundërshtarë, apo thënë në gjuhë sportive, (siç i pëlqen dhe kryeministrit të vendit tim): më 30 Qershor do luhet futboll me një portë, ku porta është bosh dhe të gjithë do bëjnë gola plot!
Dhe për të çuar më tej idenë brilante që dhe UEFA do e kishte zile, ai i fton shqiptarët e urtë, ata pa pretendime, që nuk protestojnë të bëhen pjesë e kësaj ndeshjeje futbolli me një portë, si tifozë. Që ndeshja të jetë serioze duhen sa më shumë tifozë në stadium, por këta tifozë duhet të bëjnë tifozllëk për ekipin e tij, pasi në këtë ndeshje nuk ka kundërshtarë. Dhe si e tillë në këtë ndeshje nuk vend as për tifozët e ekipit kundërshtar, nuk ka vend as për spektatorët që do rrinë në shtëpi pasi nuk i tërheq fare futbolli si lojë e luajtur mes ekipeve, por si koncept. Një ndeshje e tillë do të falimentonte edhe kompanitë e basteve dhe bukmejkërsat, edhe pse fitorja me portë bosh dhe kundër një ekipi që nuk i lejohet të luajë, është garanci për një golavarazh të thellë.
E në këtë gjithë suazë ngjarjesh dhe parashikimesh, duke u larguar tashmë nga futbolli për t’u bërë pak seriozë në këtë analizë, kryeministri i vendit tim, “i pa shqetësuar” nga opozita dhe për fatin e tij politik, brenda 6 ditësh ka zhvilluar dy konferenca për shtyp dhe një komunikim me audiencë të gjerë mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion” në Tv Klan.
Ajo që “më shqetëson” nga këto dalje publike është fakti se të gjithë kolegët e mi gazetarë nuk e marrin seriozisht kryeministrin e vendit tim, pasi të gjithë e pyesin: “Ore si do zgjidhet kriza politike që ka përfshirë vendin tim prej më shumë se 4 muajsh? Ore si do e shmangësh një përplasje popullore, duke qenë se klima politike sa vjen e tensionohet? Ore kur dhe si do ndëshkohen përgjegjësit për blerjen e votave? Si dhe kur do ndëshkohen përgjegjësit për aferën korruptive tek Unaza e Re? Kur do ketë Gjykatë Kushtetuese?”. Të dashur kolegë nuk mund ta shqetësoni kryeministrin e vendit tim për këto gjëra sipërfaqësore, ai po zbaton Kushtetutën! Do bëjë zgjedhje, edhe vetëm po qe nevoja! Ku është problemi këtu?!
Ndaj zini mend dhe në konferencën e ardhshme për shtyp pyeteni kryeministrin e vendit tim për gjëra tejet serioze, duke qenë se nuk heq dorë nga vendosmëria për të respektuar datën kushtetuese për zgjedhjet vendore: Pse duhen votuar kandidatët e Partisë Socialiste për bashkitë? Çfarë platforme ka qeveria për bashkitë? A ka frikë ai nga humbja e të përzgjedhurve të tij përballë atyre të pavarur apo të disa partive të krijuara me kontribut vullnetar? A do e japë ai dorëheqjen në rast disfate në këtë betejë titanësh (pa opozitën)?
Por nëse kryeministri ju bën premtimin e mrekullueshëm që do ta bëjë Shkodrën si Vlora, atëherë duartrokiteni fort dhe plot pasion. Pasi “Shkodra si Vlora” është ëndrra e çdo mallakastrioti. Nëse ju premton që projekti i rilindjes urbane do vijojë pa u ndalur edhe tek bashkitë që deri sot qeverisen nga përfaqësuesit e opozitës “së papërgjegjshme”, atëherë do kemi qendra bashkishë në të gjithë vendin me të njëjtin ndriçim, me të njëjtat shtylla, me të njëjtat pllaka siç janë bërë bashkitë e majta gjatë këtyre viteve, a thua se projektet e tyre i ka realizuar një kompani e vetme, qoftë larg të jetë kjo monopol pranë qeverisë.
Pra, kolegë kujdes kur komunikoni me kryeministrin e vendit tim dhe mos ma shqetësoni atë për gjëra demode që kanë të bëjnë me refuzimin e çeljes së negociatave, krizën ekonomike, vendosjen e taksave për kalimet e automjeteve në çdo rrugë interurbane, mungesën e alternativës, vrasjen e shpresës, rritjen e emigracionit, apo dhe më e fundit rënia e lindshmërisë… Nuk shqetësohet njeriu për këto!