Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte sot i pranishëm në një takim në Parlamentin Britanik, ku u takua me Kryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Britanik, Tom Tugendhat.
Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, në këtë takim, lideri i opozitës konfirmoi angazhimin e partisë që drejton dhe të gjithë opozitës së bashkuar për një zgjidhje politike të krizës, që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, “duke ndarë politikën nga krimi, duke i zgjidhur duart drejtësisë që të vërë para ligjit politikanët e përfshirë në shitblerje votash me krimin e organizuar si dhe afera të tmerrshme korruptive”.
“Reformë e thellë politike për fuqizimin e rolit të qytetarit sipas praktikave më të mira të vendeve demokratike perëndimore është angazhimi ynë”- mësohet të ketë deklaruar Basha.
Lideri i opozitës theksoi rolin e rëndësishëm të Britanisë së Madhe, në bashkëpunim me partnerët e tjerë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Gjithashtu, z.Basha e falënderoi z. Tugenthat për qëndrimin e qartë dhe të prerë të Britanisë së Madhe dhe Parlamentit Britanik kundër ndryshimit të kufijve dhe copëtimit të Kosovës, çka do të ishte nje precedent i rrezikshëm kundër paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Gjatë takimit u diskutua mbi prioritetet e bashkëpunimit të ardhshmëm midis Shqipërisë dhe qeverisë britanike në fushat e bashkëpunimit strategjik të sigurisë kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.